Home Editorial A e ka Gjermania çelësin për derën e hyrjes së Shqipërisë në...

A e ka Gjermania çelësin për derën e hyrjes së Shqipërisë në BE?

0

Javën e ardhshme pritet të dalë progres-raporti i ri i Komisionit Evropian për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë.

Ai do të vlerësojë performancën në kryerjen e reformave të rëndësishme të kërkuara dhe statusin aktual të zhvillimit politik dhe ekonomik. Raporti do të japë udhëzime të qarta nga Komisioni Evropian mbi rekomandimet drejt rrugës për zgjerimin e Bashkimit Evropian në Ballkan.

Negociatat kanë avancuar tashmë me Malin e Zi dhe Serbinë, ku nevojitet progres i mëtejshëm për sa u përket reformave në sistemin ligjor dhe gjyqësor dhe flitet për një datë hyrjeje të mundshme më 2025.

Ka të tjera çështje specifike që duhen parë për Bosnjën, Kosovën e Maqedoninë, por për Shqipërinë BE ka njohur arritjet solide me përpjekjet për reformën dhe progresin në rrugën e anëtarësimit.

Pyetja kritike për Shqipërinë tani është nëse Komisioni Evropian do të rekomandojë apo jo hapjen e bisedimeve të anëtarësimit. Presidenca bullgare e Këshillit do të përpiqet t’i japë një shtysë zgjerimit në Ballkanin Perëndimor në samitin special të 17 majit në Sofje, i cili do të organizohet nga kryeministri bullgar Bojko Borisov dhe kryesohet nga presidenti i Këshillit të Evropës Donald Tusk. Vendimi final pritet të merret në samitin e Këshillit të Evropës në Bruksel, më 28-29 qershor.

Shqipëria ka marrë tashmë vlerësime për progresin e bërë në fushat e politikës së jashtme, politikës së sigurisë dhe reformën në drejtësi dhe ka shfaqur energji e përkushtim në implementimin e reformës dhe në aspiratat për përqafimin e idealeve evropiane. Duke folur në Parlamentin Evropian muajin e kaluar, Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Zëvendëspresente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, tha: “Kemi nevojë për atë lloj energjie, këtë energji pro-evropiane brenda Unionit pikërisht për të na kujtuar se për çfarë bëhet fjalë”.

Por vendimi për hapjen e bisedimeve të pranimit nuk është aspak i garantuar dhe mbetet shumë punë politike për t’u bërë për të bindur populistët dhe euroskeptikët në vendet anëtare të BE të cilët janë kundër zgjerimit. Parlamenti Evropian përgjithësisht është solid dhe i bashkuar në vizionin e tij në përkrahje të procesit të zgjerimit dhe ka një marrëveshje të gjerë ndërpartiake që Parlamenti duhet të mbështesë rekomandimin e Komisionit Evropian kur ai të publikohet. Por në nivel vendesh anëtare, ka ende shumë polemika.

Kjo është veçanërisht e vërtetë në Gjermani, ku politikat nacionale dominohen nga konsensusi ndërpartiak dhe ku qeveria federale do të ketë ndikim në organizimin e një tjetër samiti për Ballkanin Perëndimor në kuadrin e procesit të Berlinit më 10 korrik në Londër.

Johannes Singhammer i Christian Social Union (CSU) në Bavari e njeh mirë Shqipërinë. Për shumë vjet Bavaria dhe CSU kanë qenë të angazhuar me Shqipërinë që kur u projektua për herë të parë si vend kandidat në vitin 2000. “Nuk duhet ta zhgënjejmë popullin e Shqipërisë”, thotë. “Një brez i ri është rritur me shpresën e të ardhmes si qytetarë të Bashkimit Evropiane. Reformat kanë nisur dhe avancuar”.

Mogherini ka lënë të kuptohet për rekomandim të Shqipërisë nga KE duke thënë se “procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe procesi i integrimit të gjithë Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian janë çështje interesi vetjak për Bashkimin Evropian”.

Kryeministri shqiptar Edi Rama flet edhe për interesa të ndërsjellë me përfitime për të dyja palët. Ai bëri thirrje për përkrahje të hapjes së bisedimeve me qëllim injektimin e dinamizmit për të gjithë procesin dhe për të ndihmuar Shqipërinë të ndërtojë një të ardhme më të mirë për popullin e saj.

Ai thekson se hapja e bisedimeve do të ishte një motivim që do t’i bënte të gjithë në Shqipëri të punonin së bashku drejt vizionit strategjik të vendit për të ardhme në BE dhe thotë se bisedimet e pranimit do të ketë efekt transformues për Shqipërinë dhe qytetarët e saj. “Është e rëndësishme të pranohet që Shqipëria është serioze në vizioni dhe bindjen e saj evropiane”, thotë ai.

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.