Home Opinion Artan Fuga: Çfarë do të thonin në vitin 3070 për Teatrin Kombëtar

Artan Fuga: Çfarë do të thonin në vitin 3070 për Teatrin Kombëtar

0

Të shembësh godinën e Teatrit Kombëtar do të thotë t’u heqësh të drejtën brezave që do të vijnë të mësojnë për historinë e këtij vendi, për raportin mes artit dhe politikës, statusit të aktorit gjatë diktaturës e më pas, në vitet e gjata të tranzicionit.

Filozofi Artan Fuga e ka ndjekur me vë- mendje gjithë debatin që është riaktivizuar këto muajt e fundit mbi shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar.

Nga këndvështrimi i filozofit, por edhe qytetarit dhe artdashësit, Fuga thotë se i gjithë ky debat për teatrin, është një teatër në vetvete. “Duket se beteja për teatrin është një teatër i madh me aktorët dhe spektatorët e vet si edhe me lozhat që vështrojnë gjithçka nga lart”, thotë ai. Pasi vendos përballë njëri-tjetrit palët e përfshira në këtë debat, aktorët dhe pushtetarët, Fuga shkon më tej.

Ai “lexon” të ardhmen, vendin dhe rolin që godina aktuale, ashtu siç është, me atë arkitekturë dhe më kushte aspak të favorshme për aktorët, do të ketë në hapësirën urbane, në historinë e qytetit dhe atë të artit në Shqipëri.

ARTAN FUGA

PËRSE DO TË VLEJË NDËRTESA E TEATRIT NË VITIN 3070?

Ky titull nuk mund të marri nënkuptimin se çështja e ndërtesës të teatrit është një lojë. Fjala “teatër” mund të nënkuptojë se ajo ka gjasa të mbarojë si një komedi e thjeshtë, por edhe të marri përmasën e një dramë, në disa kuptime dhe për disa, mund të kthehet edhe në një tragjedi.

Ka disa javë që ka një gurgule të madhe mediatike dhe institucionale, kurse në terren ka pak evente dhe këto të fundit kanë mobilizuar relativisht masa jo të konsiderueshme njerëzish. Dikush do të donte që në fund nga pala e mbrojtësve të teatrit të shihte vetëm një aktor të vetëm që do të monologonte, kurse nga ana e mbrojtësve të teatrit do të ishte dëshiruar që i gjithë sheshi nga para dhe nga përpara ndërtesës të Ministrisë të Brendshme të mbushej plot me dashamirës të teatrit dhe qytetarë që ta mbronin teatrin.

Nga raportimet që bën media, nuk kuptohet fort mirë nëse teatri do të rrethohet me kulla, apo do të prishet fare për t’u zëvendësuar me ndonjë ngrehinë tjetër, do të zhvendoset andej nga diga e Liqenit artificial, apo do të marri ndonjë zgjidhje tjetër.

Kjo gurgule e paqartë ende, veç faktit që pushtetmbajtësit lokalë duan të bëjnë ndërtime në atë zonë, veç paqartësisë të mjaftueshme të pozicioneve të pjesëmarrësve në këtë ndeshje, të cilët matin forcat e njëri-tjetrit, vjen edhe nga vetë semantika e fjalës “teatër” në gjuhën shqipe, ose, së paku, nga polivalenca e kësaj fjale në përdorimin e përditshëm.

Çfarë nënkupton ajo?

Me teatër kuptohet institucioni i teatrit si i tillë. Por, kuptohet edhe ndërtesa ku luhen pjesët teatrale. Pra, ka një mbivendosje sensesh, pra, herë flitet për të ruajtur teatrin si institucion dhe herë të tjera për ruajtjen e ndërtesës.

Por, ka edhe një polivalencë tjetër. Teatri vallë është institucioni, apo janë pjesët që luhen në të? Sepse teatri ka ekzistuar ashtu, mirë a keq, si institucion, kurse teatri si lojë (e keni dëgjuar shprehjen: Mos luaj teatër! – çka nënkupton pjesët që luhen atje), pra, si tekst drame, si lojë aktoriale, si regji, skenografi, plastikë, etj., si krijimtari shqiptare vazhdon të jetë pothuajse shterpë, ndërsa luhen pjesë të huaja. Pra, teatri si dramë shqipe dhe shqiptare nuk ekziston pothuajse fare.

E pastaj kakofonia bëhet edhe më e thekur kur nuk kuptohet, nëse kur bëhet fjalë për teatrin, është fjala për ndërtesën e tij, apo edhe për sallën, arkitekturën e brendshme të saj, hapësirat ndihmëse, apo teatri është toka e teatrit?

Pra, në kuptimësinë e çështjes, brenda fjalës “teatër” kemi disa shtresa fenomenologjike: • Ndërtesa e teatrit

• Salla e teatrit

• Toka e teatrit

• Institucioni i teatrit

• Pjesa teatrale me të gjithë elementet e saj

• Tradita e teatrit dhe plejada e çmuar e aktorëve të teatrit

Dhe të gjitha këtyre iu mbivendoset edhe ndeshja e tanishme, debati i sotshëm me argumentet përkatëse të palëve: pra, kemi teatrin e teatrit si përplasje interesash në hapë- sirën publike. Demokracia si teatër.

***

Një analizë tjetër është ajo aktoriale. Cilët janë palët e interesuara në këtë përballje?

-Nga njëra anë, janë pushtetmbajtësit, që shpesh ndryshojnë rolet dhe i hedhin kompetencat sa nga njëra anë te tjetra. Rezistuesit detyrohen të shkojnë zyrë më zyrë, nga ajo e kryetarit të Bashkisë, te ajo e ministres së Kulturës e në takime me Kryeministrin. Herë del në pah Bashkia sepse si duket plani rregullues i qytetit, nëse ka një të tillë, sepse kjo gjë kurrë nuk është marrë vesh mirë, herë të tjera shfaqet si negociatore Ministria e Kulturës sepse, gjithsesi, teatri duket si institucion kulture dhe herë të tjera zbulohet vetë qeveria sepse, sidoqoftë, për shkaqe juridike kompetencash dhe pastaj politike, pra, varësish politike, është ajo që vendos në fund të fundit për gjithçka. Mos harrojmë se pushtetmbajtësi që do të vulosë ndërtesën e teatrit të ri do të mbetet në histori si Rishëljeja, apo Franc Jozefi, apo ku e di unë se kush tjetër nga sundimtarët e Athinës apo Spartës së Lashtë.

– Pastaj kemi zhvilluesit urbanë. Është industria e ndërtimit në Tiranë. Jo vetëm këtu, por kudo ka një betejë dramatike në çdo qytet të botës midis zhvilluesve urbanë, metaforikisht kështu quhen ndërtuesit dhe qytetarëve. Nga njëra anë, qytetarët e duan zhvillimin e qytetit, por nga ana tjetër nuk duan betonizimin e tij. Po ashtu lartësimi i qytetit vertikalisht e mbyt qytetarin. Këto nuk kanë nevojë të zbulohen në Shqipëri, i dinë të gjithë studentët që ndjekin studimet për Urbanizëm, qysh nga fundi i vitit të parë të shkollimit. Arbitrazhin midis këtyre dy forcave, në parim, e bën pushteti politik apo bashkiak. Por, dihet se pushteti e ka deklaruar se kur është fjala për investimet është bërë palë me sipërmarrësit dhe e sheh qytetarin në funksion të sipërmarrësit. Se përse ndodh kështu, edhe këtë e dinë të gjithë dhe nuk ka nevojë të zgjatemi.

– Pala tjetër janë aktorët e teatrit. Por cilët? Ata që janë të punësuar? Hëmmmmm…, nuk e kanë të lehtë të aktivizohen sepse duhet të luajnë ngjethshëm midis ruajtjes së vendit të punës dhe mbrojtjes së teatrit, kurse ata që kanë qenë, por nuk janë më të punësuar, sigurisht ndjejnë dobësitë dhe disavantazhet e të qenurit pensionistë. Interesante që administratorët e teatrit janë palë me pushtetin dhe jo me aktorët që protestojnë. Sigurisht, mund ta argumentojnë pozicionin e tyre me pretekste të ndryshme, por në një pikë thonë: ndërtesa e vjetër nuk i qëndron më kohës, pra, një ndërtesë e re, e futur dhe ndërfutur mes kullash, apo diku gjetkë do të paraqitej sikur paraqet të renë, progresin, emancipimin. Por, edhe sikur këto të mos ishin bindjet e tyre subjektive, do të ishte një ekzagjerim t’u kërkohej administratorëve të teatrit të dilnin kundër pushtetit, kur dihet se është pushteti politik që i ka emëruar ata. Do të duhej ose të dorëzonin kolltukun, ose të dorëzonin ndërtesën. Të dyja vështirë se i mbanin dot!

– Po qytetarët? Shumë pak aktivistë janë mobilizuar. Publiku nuk proteston sepse ruajtja e ndërtesës të teatrit, natyrshëm, nuk është në listën e prioriteteve të jetës të përditshme. Nuk ka punë, nuk ka fuqi blerëse, rriten çmimet e shërbimeve, nuk proteston as për to, jo më për teatrin. Të revoltohesh për një kauzë kulturore, do të ishte një risi në vendin tonë. Do të duhej të kalohej fillimisht nëpër etapa të tjera. Manifestimet te ne i bëjnë vetëm partitë politike.

Përndryshe, publiku nuk njeh asnjë autoritet tjetër legjitim për të shprehur në mënyrë autonome vullnetin e vet. Kur vjen puna për të gjykuar përmbajtjen e debatit për teatrin, është radha të shohim argumentet e secilës palë. Jo veç e veç dhe të shkëputura nga njëra-tjetra, por në zhvillimin e tyre dialektik, si dialog ku secila palë kërkon të shfaqë e sigurojë legjitimitetin e vet përpara një qytetari masiv që qëndron në pritje dhe sheh teatër me teatrin. Duket se beteja për teatrin është një teatër i madh me aktorët dhe spektatorët e vet si edhe me lozhat që vështrojnë gjithçka nga lart. A ka edhe suflerë si në teatrin e vërtetë? Sigurisht. Po, njerëz që rrinë pas kuintave? Sigurisht. Po regji? Sigurisht. Por, le të shohim sesi argumentet e njërës palë ose tjetër, deri tani, nuk kanë arritur ta vendosin kundërshtarin me shpatulla pas murit dhe ta deligjitimojnë atë.

Protestuesit: Nuk duam të prishet ndërtesa e teatrit!

Pushtetarët: Ne nuk do t’ju lemë pa ndërtesë teatri, madje do ta bëjmë më të mirë, diku gjetkë.

Protestuesit: Jo ne duam që ndërtesa e teatrit të qëndrojë këtu ku është!

Pushtetarët: Mirë, atëherë, do ta japim një pjesë të truallit për ndërtim dhe teatri ekzistues i rinovuar do të futet brenda një ansambli arkitektural më të madh, rrethuar me kulla.

Protestuesit: Jo, ne duam të ruajmë këtë ndërtesë sepse aty kanë luajtur aktorët tanë të mëdhenj, pra, ta ruajmë si memorie e teatrit!

Pushtetarët: Mos u bëni nostalgjikë. Ata artistë nuk janë më. Pastaj art të realizmit socialist kanë bërë. Nuk mundemi që për kujtimin e të vdekurve të rrezikojmë spektatorin në një sallë të papërshtatshme, apo ta privojmë aktorin nga një sallë bashkëkohore. Etj..

Protestuesit:

Pushtetarët:

Protestuesit:

Pushtetarët:

Kështu debati nuk përfundon dot sepse hidhet sa nga një fushë në tjetrën të semantikës të fjalës teatër. Dikush flet për teatrin si aktor dhe lojë aktoriale, tjetri jep argumente për tokën e teatrit si shesh ndërtimi; dikush flet për teatrin që duhet të qëndrojë sa më pranë qendrës, tjetri i kundërvihet me probleme të sallës së teatrit, apo të kuintave. Aktorët detyrohen të merren me urbanizëm, kurse ata që administrojnë hapësirën urbane të merren me probleme të teatrit dhe të financimit të projekteve teatrale.

Sekush mbrohet me argumentet e veta, aty ku është më i fortë.

Aktorët e mobilizuar presin e shpresojnë që pushteti i përfshirë në problematika shumë të mprehta me drejtësinë, me opozitën, etj., të mos të dojë, së paku, për një kohë të bëjë një akt të dhunshëm, duke i futur ekskavatorin teatrit; kurse pushteti shpreson se radhët e aktorëve ose të militantëve qytetarë të aktivizuar të rrudhen nga lodhja.

Tërhiq e mos e këput! Vihet re relativiteti i vlerës të argumenteve.

Protestuesit: Këtu kanë luajtur aktorë të mëdhenj!!!

Pushteti: E vërtetë! Të respektuar që këtë formë arti e futën institucionalisht në historinë e artit shqiptar. Por, cila kujtesë do të ruhet? Loja aktoriale? Ajo gjithsesi nuk ruhet dot nga muret dhe nga hapësirat empirike.

Mendoj se ajo është e filmuar dhe e regjistruar. Duhet ruajtur me kujdes me të gjitha anët madhështore, naive, heroike, groteske, me arritjet dhe servilizmat propagandistike të kohës. Por, nuk besoj se mund të materializohet dot te hapësirat e ndërtesës së teatrit.

Institucioni i teatrit dhe përmbajtja e dramave në shqip?

Sa kohë teatri nuk është realisht i pavarur, por i kontrolluar politikisht, as mund të bëhet fjalë për dramë shqiptare. Arti i sunduar nga politika si emërim, si nomenklaturë, si financim, etj., nuk bën veçse kthehet në sistem propagande ose në formën e produkteve artistike limonadë. Teatri i vërtetë kërkon liri të vërtetë.

Padyshim me teknologjinë e sotme mund të bëhet një sallë ose një ansambël hapësinor ultramodern dhe shumë i përshtatshëm për aktorët dhe spektatorët. Asnjë vështirësi nuk ka këtu.

I futur në mjedise kullash? Ne po fusim stadiumin poshtë kullës, jo teatrin?

Atëherë, çfarë mbetet?

Është një element që ka mbetur i parrahur. Ai është sa problem i aktorëve, aq i urbanistëve, sa edhe i qytetarëve, po aq edhe i pushteteve.

Duhet ruajtur hapësira e ndërtuar si muze i gjallë, në forma reale, në dimensione reale, sepse sikurse thoshte antropologu dhe filozofi i hapësirave urbane S. T.Hall, hapësira është forma më e sinqertë e kujtesës njerëzore.

Kush prek hapësirat e ndërtuara që janë një kujtesë tredimensionale, ai mund të bëjë një teatër të ri, mund të bëjë një ose disa salla mjaft komode, por do të mbartte mbi vete edhe përgjegjësinë sepse ka dëmtuar rëndë trashëgiminë kulturore kombëtare.

Dhe me trashëgimi nuk kuptoj lojën aktoriale të aktorëve të dikurshëm e të sotëm, por kujtesën e vendit të teatrit në kulturën kombëtare, e marrëdhënieve mes artit dhe politikës, shtetit, në Shqipërinë e dy shekujve të fundit, atij që kaloi dhe atij që po kalon rrëshqitshëm. Jo për një nostalgji të kësaj kujtese, por për ta ruajtur atë në mënyrë që qytetarët e ardhshëm ta kenë si një libër të hapur për ta lexuar e rilexuar sa herë t’u nevojitet.

Nuk vihet dorë mbi këtë kujtesë sepse është përgjegjësi shumë e rëndë. Duhet të kesh një imagjinatë dhe kurajë shumë të fortë për t’i hyrë detit në këmbë!

Çfarë do t’u tregojë brezave të ardhshëm, ta zëmë, njëmijë e ca vjetësh, ajo ndërtesë që duhet të meremetohet e mirëmbajtur si dëshmi e një epoke?

Tani, ne mund ta bëjmë leximin e hapësirës aq sa na e japin mundësinë konceptet tona të sotme, por brezat e ardhshëm do ta lexojnë atë si muze të hapur, në dimensione reale, me format dhe materialin fizik të ndërtuar, me akustikën dhe ndriçimin real me konceptet e tyre. Ata do të nxjerrin mësimet e tyre.

Qytetari i vitit 3070: Çfarë është ajo ndërtesë që ju e quani teatër, ajo që ndodhet pas ndërtesës të asaj që quhej Ministri e Brendshme? Çfarë absurdi, çfarë është kjo e brendshme, e jashtme?

Historiani: Teatri dhe kultura kanë qenë nën kontrollin policor. Policët ishin si këta robotët që kemi sot dhe na mbrojnë nga njerëzit që çmenden. Bashkëjetonte drama e huaj me dramën shqiptare, me lojën aktoriale, me policinë që kontrollonte përballë. Aktorët luanin dramat, i vinin në skenë, por në jetë luanin dramën e tyre reale që kurrë nuk e thoshin dot në skenë.

Qytetari i vitit 3070: Përse ajo ndërtesë e trashëguar nga pushtimi fashist dhe jo një ndërtesë e madhe dhe impozante, sado e shëmtuar si ajo që ka mbetur me emrin e ish-Komitetit Qendror ose e Piramidës?

Historiani: Ja, sikurse e shihni ishte. Sepse arti teatral nuk shihej si një mesazh i përjetshëm që vinte nga Greqia e Lashtë a më tutje, pra, si mbipushtet mbi pushtetet shekullare të asaj kohe primitive ku ca njerëz sundonin politikisht shumicën, por si një vegël e politikës.

Qytetari i vitit 3070: E kështu mbeti kjo ndërtesë, edhe në periudhën që e quani post-akullnajore? Nuk pati një ndërtesë tjetër?

Historiani: Post-totalitare. Mos e ngatërroni as me kohën e gurit dhe të bronzit. Jo mor bir, nuk pati, ja sikurse e sheh, e para, sepse përsëri politika kontrolloi artin, e dyta, sepse fitimi dhe tregu sigurisht e lanë teatrin në një gjendje të varfër. Hapësira do të flasë vetë me gjuhën e vet të sinqertë – do të thoshte S.T. Hall. Të gjithë mund të gënjejnë, hapësira e lexuar nga specialistët nuk gënjen dot, nuk ka nënkuptime, nuk ka hipokrizi, nuk ka prapamendime.

Qytetari i viteve 3070: Po këto dhomat e aktorëve? Kështu ngjajnë si ato birucat që kemi vizituar te burgu që quhej i grave?

Historiani: Edhe ato kanë kuptimin e tyre. Aktori konsiderohej jo si një hyjni e çartur, sikurse ishte në të vërtetë brenda artit të vet, apo hiqeshin se ishin kur i lëvdoheshin njëri-tjetrit, por shihej si një punëtor partie, që duhej t’i shërbente kauzës, pra, nuk duhej të kishte studiot e veta, me poltrona klasike, me abazhurët, divanet, si në teatrot klasike. Ja, shihini! Dhe brenda këtyre kushteve, aktorët luajtën Shekspirin, Molierin, Gëten, apo duke i sjellë në skenë në shqip.

Qytetari i vitit 3070: Po kjo ku shkruhet “kafeneja” këtu, e kthyer në sallë lotosh? Aty pinin eliksirin artistët, apo helmin para sesa të hipnin në skenë?

Historiani: Ah, kjo është një histori tjetër… Imagjinoni se çfarë dhimbjeje do të ndjenin brezat e ardhshëm nëse ne do t’ua hiqnim këtë mundësi për ta rindërtuar historinë e qytetit, apo të marrëdhënieve midis artit dhe politikës, që vetëm ndërtesa e teatrit ekzistues, në kontekstin e sotëm arkitektural dhe urban atje, pa shtesa dhe mbishtesa, ka mundësi ta bëjë realisht dhe autentikisht. Pastaj, për ndërtesa të tjera teatri shpërndarë nëpër të gjitha lagjet dhe zonat e kryeqytetit, duhet menduar patjetër. Përndryshe, qytetari i vitit 3070 do të pyesë me habi robotin që i rrëfen historinë, pra, robotin-historian: “Sa absurde, si është e mundur që ata edhe teatrin e centralizonin në një pikë, në një teatër që e quanin nacional, të varur nga ministrja e Kulturës, duke i dhënë gjithçkaje formën antropomorfike naive dhe budallaqe të trupit të njeriut? Si është e mundur që ende dymijë e ca vjet pas Krishtit nuk e kishin kuptuar që universi nuk ka formën e njeriut?”.

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here