Azil në Angli, 18-vjeçari i shpëton dëbimit falë notave

Kur u pa se shqiptarët u frenuar nga kërkesat për azil, shifrat flasin të kundërtën. Dëshira e shqiptarëve për të ikur është rikthyer sërish e fortë, teksa mes krizës politike, njerëzit nuk duket se po shohin dritë për të ardhmen e tyre brenda vendit. Njëri prej shqiptare që ka fituar azil, është Stiven Bregu. Si student i shkëlqyer, ai fitoi apelin dhe qëndrimin në Mbretërinë e Bashkuar pas një peticioni për të kundërshtuar dëbimin e tij mblodhi më shumë se 90 mijë firma. Bregu emigroi i vetëm nga Shqipëria në Mbretërinë e Bashkuar kur ishte vetëm 13-vjeç për t’u arratisur nga familja abuzive. Ngaqë nuk fliste anglisht, u vendos nën kujdesjen e shtetit dhe që atëherë, ka arritur rezultate të jashtëzakonshme në shkollë.

Pasi nuk iu pranua aplikimi për azil, ai apeloi. Drejtori i shkollës së Stivenit, Rob Shaw, tha për Brisol Post: ”Stiven mori vesh rezultatin e apelit dhe ju njoftoj me kënaqësinë më të madhe se fitoi të drejtën e qëndrimit në Mbretërinë e Bashkuar. Ky vendim mund të apelohet sërish nga autoritetet, por nëse kjo nuk ndodh, Stiven mund të nisë menjëherë praktikën”.

Adoleshenti dha provimet A-Levels në biologji, kimi dhe matematikë e siguroi një praktikë në një firmë menaxhimi falë talentit të lindur në matematikë. Mësuesja kujdestare, Elisabeth Gilpin e përshkroi si “student të shkëlqyer dhe një aset të komunitetit”. Ai i ra në sy kryebashkiakut të Bristol, Marvin Rees, kur u pranua në programin për studentët e talentuar me formim të pafavorshëm. “Stiven është një djalë i vendosur, i zgjuar dhe i dashur. Bristol është me fat që e ka,” tha kryebashkiaku. “Shpresoj që ky rast të shërbejë për reformimin e sistemit të azilit në vend, që askush të mos përjetojë traumën që përjetoi Stiveni. 18-vjeçari u shpreh shumë mirënjohës dhe i lumtur që mund të qëndrojë. “Bristoli është një vend fantastik dhe komuniteti është treguar kaq i mirë me mua. Bristoli është shtëpia ime. Shkolla dhe mësuesit më kanë mbështetur gjithnjë”.

Zyra Europiane e Mbështetjes së Azilit, në raportin e fundit, bën të ditur se në 6 muajt e parë të vitit kishte 10,439 kërkesa për azil për herë të parë nga shqiptarët në një nga vendet e Bashkimit Europian. Në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kërkesat për azil janë rritur ndjeshëm me 29.3%.

Burimi: BBC

Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.