Basha: Zgjidhje me zgjedhje ose populli do vendos me forcë

-PD-ja e mbetur pa asnjë pushtet, kur për herë të parë në historinë e saj 29 vjeçare ajo nuk ka asnjë lloji pushteti, pra selia blu nuk ka zgjidhje tjetër përveç zgjidhjes radikale, sepse fjalët dhe deklaratat me kryeministrin nuk duket se po japin rezultat. Demokratët janë vertetë në takime me kryetarin e tyre, por horizonti për ta është i errët dhe vetëm përballja me forcë ndaj qeverisë mund të hap paksa dritë për krejt opozitën. Me fjalë kryeministri nuk don t’ia dijë, përkundrazi tallet duke nxirë lëkurën në detin e Jonit.

Lideri i opozitës Lulzim Basha nuk po bën aspak pushime verore. Ai po takon nëpër Shqipëri demokratët dhe njerëzit të cilët duan zgjidhje nga varfëria. Dje ai ishte në Mallakastër, ku ngriti tonet kundër kryeministrit Rama.

Kreu i opozitës Lulzim Basha, deklaroi në aktivin e strukturave të PD në Mallakastër, se kapja me dhunë, thyerja e dyerve, uzurpimi i selive të pushtetit vendor nga bandat e Edi Ramës siç i quan ai, është e paligjshme dhe kriminale. “Një nga gjërat e para që do të bëjë qeveria e re, e dalë me votë të lirë është që gjithsecili që ka shkelur ligjin dhe është kthyer në vegël të verbër të Edi Ramës, do të mbajë përgjegjësi ligjore. Asnjëri prej tyre nuk do të harrohet, që nga ky i Mallakastrës, deri tek Edi Rama” – tha zoti Basha.

“Popullit sovran i lind e drejta t’i përgjigjet këtij pushteti me të njëjtat mënyra dhe të mbrojë me të njëjtat mënyra kushtetutën dhe ligjin, në Mallakastër, në Fier, në Durrës, në Elbasan, në të gjithë Shqipërinë, por mbi të gjitha në Tiranë, atje ku paligjshmëria ka hedhur rrënjët, atje ku hajdutëria dhe kriminaliteti janë ngritur në fron. Atje, popullit sovran, nëse nuk i hapet rrugë zgjidhjes politike, zgjidhjes që çdo vend tjetër i rajonit e ka patur në kushte akoma më të lehta sesa kriza e sotme shqiptare, një qeverie tranzitore dhe zgjedhjeve të parakohshme, atëhere popullit sovran i lind e drejta ta marrë në dorën e vet zgjidhjen, me të gjitha format, mjetet dhe mënyrat që i gjykon të përshtatshme për të rivendosur demokracinë dhe drejtësinë.”- u shpreh zoti Basha.

Pra Basha me sa duket do të përpiqet deri në shtator për zgjidhje të butë me mazhorancën për ta bindur se duhet të shkohet në zgjedhje pa kryeministrin Rama dhe duke shkuar në dy palë zgjedhje; ato parlamentare dhe lokale në një ditë. Por nga ana e tij kryeministër po jep mesazhe se nuk ka ndërmend aspak për ulje në tryezë me opozitën që të gjendet një zgjidhje me zgjedhje. Përkundrazi mazhoranca po merr një e nga një të gjitha bashkitë e opozitës. I ka mbetur edhe Shkodra, por duket se edhe këtë bashki po e merr me lehtë se sa mori Kamzën, pasi në Kamzë ua dorëzuan vetë.

Tani sa ka filluar mos’pasja e asnjë pushteti, por në ditët në vijim do të ndihet edhe me fort.

Me sa duket kryetari i PD-së Basha e ka ndjerë athtinë e demokratëve në këto takimet e verës prandaj ka ashpërsuar dje tonet ndaj kryeministrit. Kur je lider opozite duhet jo vetëm të takosh e shtrëngosh duart me popullin e pakënaqur, por edhe ta udheheqësh të gjejë lirinë dhe aspiratën e tij për një shoqëri të drejtë. Dhe kur e drejta bllokohet apo merret peng atëhere mbetet përballja.

Për dreq, nganjëherë duhet edhe me dhunë popullore për të vendosur drejtësinë.

Alban Mati

Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.