Brexit – Më shumë kohë më pak kaos?

0

Shtyrje për të dytën herë. Por për të arritur një “Brexit të butë”, Bashkimi Evropian e lidhi me një litar të gjatë shtyrjeje afati Britaninë e Madhe. Por a do të thotë më shumë kohë edhe më pak kaos?

Teatri i Brexit po bëhet gjithnjë e më absurd. Vendi anëtar, që kërkon të dalë nga BE, por nuk është i aftë të organizojë largimin prej tij,eventualisht do të jetë i detyruar të marrë pjesë në zgjedhjet europiane në maj. Të marrë pjesë në zgjedhjet e një institucioni të BE-së, pjesë e të cilit nuk do të jetë më. Nuk ka çudi, që përfaqësuesve të vijës së ashpër të Brexit u erdhi në mendje që ta përdorin këtë shans për sabotazh dhe t’i venë BE shkopinj nën rrota.

Absurditetin e situatës BE përpiqet ta mbulojë me një zgjatje fleksibël të daljes së Britanisë së Madhe nga BE. Nëse britanikët bien dakord për marrëveshjen e largimit nga BE, ata mund të largohen në ditën e parë të muajit në vijim, por më së voni në 31 tetor.

Të mundshme shtyrje të tjera të afatit

Në këto muaj torturues në politikën e brendshme deri në tetor – me një parlament tërësisht të përçarë dhe një kryeministre pa mbështetje e pushtet, – Britania e Madhe duhet të qëndrojë ulur në tryezën e 28 anëtarëve të BE pa i penguar proceset e BE. “Të rimarrim kontrollin” – premtimi i atyre që bënë fushatën për Brexit donte të kishte një tingëllim tjetër nga ai që ka filluar të ketë sot.

Në samitin e gjatë të Brukselit, BE i ka diktuar kryeministres britanike kushtet dhe vendosi, nëse ky vend “tradhtar” do të largohej të premten (afati ishte më 12 prill, shën red.) apo do të ndahej nga BE pas disa muajsh. Nuk është e sigurtë, nëse deri në fund të shtyrjes së re do të kemi një marrëveshje të ratifikuar nga të dyja palët. Ka gjasa që ky teatër, i vështirë për t’u kuptuar, pikërisht sepse është kaq absurd, të vazhdojë të ketë akte të reja. Që tani është e qartë, edhe në fund të tetorit do të ketë një shtyrje tjetër, sepse BE nuk do të jetë fajtore për një Brexit të ashpër.

Zgjidhja më e pastër e pa shumë absurditete do të ishte tërheqja e kërkesës për largim nga BE nga ana e qeverisë britanike. Kështu vendi me të drejta të plota në BE do të kishte të gjithë kohën e botës të gjente veten, të ndërmerrte një tentativë të re si edhe të negocionte një marrëveshje tjetër largimi. Britma e Brexitasve që duan të ikin një minutë e më parë nga BE do të ishte shumë e fortë. Theresa My pas tërheqjes së kërkesës në bazë të nenit 50 do duhej të dorëhiqej, por këtë ajo e ka ofruar ndërkohë, vetëm që parlamenti të arrijë në një ujdi.

Fantazma vazhdon të sillet vërdallë

Pasiguria për qytetarët dhe firmat mbetet edhe pas vendimit për shtyrjen. Situata e pasigurtë është helm për investimet e ardhshme. Deri tani 27 vendet anëtare kanë qenë habitshëm të një mendimi për sa i përket procedurës së Brexit. Por duket se ky unitet po lëkundet. Franca ka qenë shumë rezistente ndaj një shtyrjeje të re të Brexit, megjithëse atë e mbështeste shumica. Franca ashtu si Theresa May donte ta mënjanonte pjesëmarrjen në zgjedhjet europiane. Gjermania mbështeste idenë e shtyrjes së afatit për daljen e Britanisë së Madhe nga BE në dhjetor apo mars për të mos u përqëndruar më kaq shumë tek kjo temë. Në fund u arrit një kompromis, fundi i tetorit. Edhe një nofkë kjo shtyrje e re e ka marrë ndërkohë: Brexit-Hallouin. Në natën e fundit të tetorit vijnë vërdallë sipas legjendës fantazmat. A do të jetë Hallouini një ogur i mirë?

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.