Home Opinion Dhunimi barbar i së resë krutane Xhisela

Dhunimi barbar i së resë krutane Xhisela

0

BESNIK MUSTAFAJ/

Maloku dhe gjithë rruga që ndoqi kalvari i saj thellësisht dramatik ka tronditur dhe indinjuar mbarë opinionin publik shqiptar. Deri sot (e shtunë) përjashtim bënte vetëm Kryeministri Rama.

Vetëm ai nuk kishte folur, edhe pse kanë qenë të shumta zërat që i kanë kërkuar publikisht të shprehej. Për vetë specifikat e kësaj drame, protagonist famëkeq i së cilës ishte djali i deputetit socialist Rrahman Rraja, dhe ku akuzoheshin të ishin përlyer rëndë jo vetëm babai i keqbërësit, por edhe Taulant Balla, kryetar i Grupit Parlamentar Socialist në Kuvendin e Republikës sonë, pra, për vetë specifikat e kësaj drame me pasoja të rënda fizike, psikologjike, morale dhe penale, heshtja e zgjatur e Edi Ramës ishte mirëfilli shfaqje e arrogancës së tij dhe shpërfilljes së tij të plotë ndaj tronditjes së ndershme të opinionit publik, cilësi këto që ai nuk i demonstron për herë të parë.

Më në fund, ai foli. Dërgoi, si cinik që është, një mesazh telegrafik në “Twitter”. 40 fjalë të matura mirë me pikatore për të treguar qartë çfarë ai është si udhëheqës politik dhe si njeri dhe për të nxjerrë sërish në pah atë, që Afrim Krasniqi e quante “shembje të piramidës së vlerave” të një shoqërie të lirë dhe demokratike. Çfarë mbetet kur kjo piramidë shembet? Mesazhi i Kryeministrit është në katër fjali. Por e para dhe e fundit nuk thonë asgjë. Qëndrimi i tij shprehet në dy fjalitë e mbetura

Në njërën nga këto dy fjali, ai thotë: “Policia ka bërë detyrën e vet pa i bërë asnjë favor djalit të deputetit”. Ndërkohë, të gjithë shqiptarët kanë mësuar se kjo vajzë e shkretë, dhunën që po ushtrohej ndaj saj e ka denoncuar disa herë në Polici, në Krujë, e madje edhe në Tiranë, me shpresë se në Tiranë Policia do të ishte më të në krye të detyrës. Ajo ka treguar një kurajë të rrallë. Sa për krahasim, edhe në Francë, një vend ku emancipimi i femrës ka filluar dy shekuj më parë, vetëm 10 për qind e femrave të dhunuara guxojnë ta denoncojnë atë, sipas një studimi të fundit.

Policia ka pasur madje edhe një raport pjesor tronditës mbi pasojat e kësaj dhune. Pra, këtë gjë e di edhe Kryeministri. Siç dimë tashmë edhe ne, aq më fort Kryeministri, se ky djalë fatlum deputeti jo vetëm nuk u ndalua nga Policia, por nuk u mor në mbrojtje as preja e tij. Si mund të thotë në këto rrethana Kryeministri se Policia e bëri detyrën e saj? Si mund të thotë ai se Policia nuk i bëri asnjë favor djalit të deputetit? Është e vërtetë, siç mësojmë nga mediat, se viktima e ka tërhequr një herë apo edhe më shumë denoncimin. Po çfarë Policie Shteti është kjo, që e pranon një tërheqje të tillë të denoncimit pa pyetur se përse një viktimë e tillë, dukshëm fizikisht e brishtë, po mohonte fjalën e vet? Aq më tepër, duke pasur në dorë edhe një raport mjekoligjor, që vërtetonte pa lënë vend për dyshim gravitetin e dhunës, Policia i kishte të gjitha provat e një akti të mirëfilltë kriminal, të kryer në rrethana rënduese. A ka të drejtë Policia e një shteti të shpallur ligjor, ta bëjë të paqenë një akt kriminal, pavarësisht sjelljes së të dëmtuarës?

Këto janë pyetje elementare, që nuk japin mundësi për mëdyshje. Policia është përpjekur me të gjitha mënyrat e veta për ta mbyllur këtë çështje, duke e lënë pa mëshirë këtë vajzë në kthetrat e ujkut. Jo me dëshirën e saj, besoj unë, duke u nisur nga shembulli i oficerit të Policisë, Emiljano Nuhu. Por të tillë e ka pasur urdhrin nga lart. Dhe, siç vërtetohet nga deklarimi i Kryeministrit, Policia nuk ka ecur me hamendje, nisur nga fakti se (për)dhunuesi ishte i biri i një deputeti në pushtet, të cilit i “duhej ruajtur nderi”. Jo. Mbrojtësi i dhunuesit ishte dhe është, as më shumë e as më pak, por Kryetari i Qeverisë. Policët e dinë se nuk mund t’i dalin kundër një force të tillë madhore, pavarësisht se në anën e tyre është ligji. Nuk është hera e parë që Kryeministri del në mbrojtje të dhunuesve dhe trafikantëve të femrave shqiptare.

Në lumin e zemërimit që shpërtheu nëpër rrjetet sociale, pasi Kryeministri foli më në fund, binte veçanërisht në sy një gjë: njerëzit çuditeshin, hutoheshin, shqetësoheshin, indinjoheshin nga mungesa e dhembshurisë në çfarë shkruante ai. Thellë-thellë, sikur nuk donin ta besonin se i pari i vendit të tyre ishte kaq cingun në shpirt. Unë për veten time, si qytetar i këtij vendi, nuk kërkoj medoemos që Kryeministri të jetë human. Humanizmi është një virtyt që jo çdokush e ka të mbrujtur në karakterin e vet. Por unë kërkoj që ai të jetë i drejtë dhe i përgjegjshëm në zbatimin e ligjit. Sepse ai paguhet nga taksapaguesit shqiptarë, ndër ta edhe unë dhe familja ime, për të siguruar rend e drejtësi përmes zbatimit të ligjit. Në këtë rast, ai nuk është as i drejtë e as i përgjegjshëm. Ka marrë anën e kriminelit duke i futur frikën edhe Policisë. Kush do të na mbrojë në këtë vend? Te përgjigja e munguar për këtë pyetje e shoh unë shpjegimin pse njerëzit përmendnin me insistim se e dhunuara është jetime pa baba dhe nuk ka as vëlla. Përmendja e këtij fakti presupozon që njerëzit mendojnë tashmë se me këtë Kryeministër, në këtë vend, po vjen koha kur secili duhet t’i dalë zot vetes. Ose të durojë dhunën dhe poshtërimin e krimit. Nuk kemi rrugë tjetër. Blogerja e njohur, Doriana Metollari, njoftonte në faqen e saj, me një ironi dëshpëruese, se kishte një pushkë të fshehur. “Kush nuk e beson, le ta provojë!”, thoshte ajo. O, pikë e zezë, ku jemi katandisur!

Në fjalinë e dytë të kumtit të vet, Kryeministri u vërsulet egërsisht me një fjalor rrugaç politikanëve, domethënë opozitës, që i kanë dalë në mbrojtje viktimës, duke i cilësuar si “derra që hungërijnë në llucë” dhe se kështu ata “po e ridhunojnë vajzën”. Çfarë kërkon Edi Rama me një sulm të tillë? Ai sigurisht do që opozita të heshtë përballë një krimi shtetëror, të kryer nga Policia dhe Prokuroria në trajtimin e një krimi ordiner të kryer me vetëdije nga djali i deputetit socialist Rrahman Rraja. Unë nuk shoh në këtë sjellje të opozitës asnjë abuzim. Thjesht aty shoh kryerjen e detyrimit politik dhe moral nga ana e saj. Dhe shpresoj se nuk do të kompleksohet nga arroganca vulgare e Kryeministrit, i cili, siç shkruante në faqen e saj në rrjetet sociale deputetja demokrate Albana Vokshi, “është bërë mburojë e përdhunuesve dhe kriminelëve”.

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.