Diplomatët shqetësohen për standardet e tenderave, jo për demokracinë

Prej më shumë se një viti qindra artistë dhe qytetarë protestojnë dhe ruajnë çdo ditë Teatrin Kombëtar që të mos shembet nga një projekt korruptiv i qeverisë “Rama” me një kompani private. Në shumicën e kauzave, që me apo pa dashje, kthehen në politikë çështja e Teatrit Kombëtar është e vetmja lëvizje qytetare që ka ngritur në këmbë të majtë, të djathë, legalistë, ballistë. Pa u hyrë detajeve, çështja e Teatrit Kombëtar ka dy probleme kryesore. E para, shkatërrimi i pasurisë kulturore duke shembur një ndërtesë që ka identitet përballë pallateve dhe fjetinave shumëkatëshe me të cilat është mbushur Tirana. E dyta, është skandali korruptiv dhe mënyra sesi shteti i jep pronën publike një ndërtuesi për të bërë pallate dhe qendra biznesi dhe një teatër të ri brenda qendrave tregtare. Nëse arsyeja e parë e trashëgimisë kulturore shqetëson artistët dhe arkitektët, arsyeja e dytë e korrupsionit duhet të shqetësojë çdo qytetar për mënyrën se si qeveria është bërë pjesë e një afere korruptive 200 mln euro me “ligj special”.

Në debatin për çështjen e Teatrit Kombëtar sot ka lënë pushimet dhe është përfshirë edhe ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca. Ambasadori i BE ka bërë disa deklarata, të cilat pasi i dëgjon nuk mund të mos ngresh supet nga habia. Soreca thotë se çështja e Teatrit Kombëtar është politizuar, njëlloj sikur të kishte zbuluar se pjesëmarrja e ndonjë politikani në një protestë qytetare është krim. Lidhur me debatin e madh ligjor për korrupsionin dhe krimin qeveritar me projektin dhe tenderin, Soreca thotë se duhet transparencë. Ky ishte, me pak fjalë, qëndrimi i ambasadorit të BE për skandalin më të rëndë ku shteti po akuzohet se është vënë në shërbim të oligarkëve duke shkatërruar pasurinë publike.

Pra, ambasadori i BE, shqetësohet më shumë për modalitetet e tenderit të qeverisë dhe nuk kishte asnjë reagim për skandalet e tjera te Teatri Kombëtar. Soreca nuk pati asnjë reagim për dhunën e policisë së shtetit ndaj artistëve disa ditë më parë. Ambasadori që ka mision promovimin e të drejtave të njeriut nuk ka parë sesi u dhunua Edmond Budina dhe as sesi u helmuan gra dhe fëmijë në protestë me gaz. Nuk ka parë as si artistë dhe qytetarë u ngujuan brenda teatrit dhe u lanë pa ujë e drita për shumë orë nga policia. Pra, ambasadori që ka për detyrë edhe të vlerësojë respektimin e të drejtave të njeriut nuk e di që ka më shumë se një vit që artistët po denigrohen dhe dhunohen sepse kërkojnë mbrojtjen e Teatrit Kombëtar. Në gjithë betejën e artistëve përballë qeverisë, mediave të blera dhe denigrimeve çnjerëzore që u janë bërë, ambasadorit i bën përshtypje që kjo çështje është politizuar. Po si mund të mbash larg teatrin e politikën, kur gjithë PS, qeveria dhe çdo institucion shtetëror politik është kundër artistëve? Në këto skandale, e vetmja gjë që sheh Soreca është mënyra sesi është bërë tenderi për projektin e ri. Në fakt, nëse diplomati do të ishte informuar për procedurën duhet të dijë se edhe nëse tenderi bëhet me standarde, sërish fitues do të jetë firma që ka përcaktuar kryeministri. Rezultati është paracaktuar shumë kohë më parë dhe ligjërisht nuk ka asnjë vlerë nëse gara bëhet në “rregull”, siç e do ambasadori i BE. Në shesh kanë dalë provat që po vidhet nga qeveria prona publike, por ambasadori kërkon që vjedhja të jetë me standarde. Ndërsa çfarë mendojnë artistët për diplomatin nuk ka ndonjë rëndësi. Por edhe nëse e marrim seriozisht shqetësimin e Sorecës për tenderin, sërish ambasadori del kundër qëndrimeve të Komisionit Europian. Mjafton që dikush t’i thotë ambasadorit të projetki i ri i teatrit po bëhet me PPP, një procedurë që KE e ka kritikuar fort në raportet e fundit.

Qëndrimi i ambasadorit të BE që justifikon gjithçfarë ka ndodhur deri më sot me Teatrin Kombëtar, po ka hallin nëse letrat e tenderit janë kopsitur siç duhet, lë një shije të keqe për gjithë ata që mendojnë se ambasadorët janë ata që i nuk i lejojnë qeveritë shqiptare të çmenden. Nga ajo që tha sot Soreca, duket se diplomatë të këtij lloji janë ata që i shtyjnë qeveritë të sillen edhe më keq sesa imagjinohet me qytetarët. Ndryshe nuk ka si shpjegohet që një ambasador shqetësohet për standardet e tenderave dhe jo standardet e demokracisë në Shqipëri.

Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.