Edhe Fatmir Mediu kundër djegies së mandatëve të deputetit

Pas Presidentit Meta, flet edhe Fatmir Mediu se ishte kundër djegies së mandatëve të deputetit.

Aleati i Lulzim Bashës, kreu i PR-së, Fatmir Mediu tha në emisionin “Provokacija” se ka qenë kundër djegies së mandateve të opozitës, pasi në këndvështrimin e tij kishte disa rrugë për të mos arritur te ky Parlament i turpshëm.

“Po e them troç, nuk ka qenë një veprim i drejtë që në fillim. Por kush është rezultati? Është ky Parlament që shohim sot. Seanca e turpshme e djeshme. Pse e lejuam ne këtë? Ne duhet të dinim si ta linim parlamentin vetëm me mazhorancën që të mos plotësoheshin vendet… për të mos ardhur në këtë rrugë tragjikomike.

Parlamenti ishte një institucion që opozita duhet ta shfrytëzonte në maksimum. Unë bëj debatin brenda opozitës, por kur marrin vendim, debati im mbaron aty. I kam sugjeruar Bashës që të bënim deklaratë me listë që të gjithë deputetët të firmosnin në listë djegien e mandateve, por ne i lamë hapësirë Ramës që të vepronte në mënyrë të paligjshme”, – tha Mediu.

Ai thekson se ka pasur diskutime në lidhje me djegien e mandatave, dhe veçon si më të pjekur mendimin e ish-kryeministrit Berisha.

“Qëndrimi më i pjekur ishte i Berishës që tha se ndërkombëtarët nuk do e pranojnë këtë qëndrimin tonë. Do jetë e vështirë kjo mund të na çojë në sukses të menjëhershëm, ose në probleme shumë të mëdha. Dhe mendoj që këtu ka shumë për të analizuar”, – tha Mediu.

Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.