Edhe një letër mikeshës!

0

KIM MEHMETI/

E dashur, i mora pyetjet që m’i kishe dërguar dhe shpresoj se së shpejti do t’i kthej përgjigjet. Duhet ta pranoj se tanimë nuk e kam as vullnetin e as naivitetin e dikurshëm rinor, kur vetvetja më dukej si krua i pashtershëm i mençurisë, që i freskon të gjithë ata që i lexojnë thëniet e mia publike. Pra, tani i jetoj vitet kur e di se as mediave, as gazetarëve nuk u jam dashur e nuk u duhem, pse jam gjithaq i mençur, por pse kanë besuar se nuk duhet lëshuar duarsh një llafazan si unë, i cili naivisht beson se sinqeriteti është shtylla që mban në këmbë gjininë njerëzore. Pastaj, të jem edhe më i qartë: gjithë bisedat e mia të deritanishme publike nuk shpalosin asgjë më shumë se vetëgënjimit tim se jam duke thënë diçka që nuk është thënë deri më tani, siç tregojnë edhe atë që nuk e dija dikur, por që e di sot; shpeshherë gazetarët nuk bisedojnë me ty nga malli, por nga halli, se nuk kanë me çka t’i mbushin faqet e gazetave! Por, megjithatë, edhe pse tani i di të gjitha që i thashë më lart, pra, edhe pse e di se lumi i urtësisë qëmoti e ka vërshuar botën, nuk ndihem keq pse i kam thënë publikisht të vërtetat e mia, sepse qysh në rini e kuptova se shtyllat bartëse të kësaj bote janë të vërtetat që përsëriten, e deri te të cilat, çdonjëri arrin udhës së vet, duke mos e zaptuar kopshtin e mençurisë së huaj. Dhe ‘freskinë’ e tyre nuk e ngërthen në vetvete ajo që thuhet, por mënyra si ajo shpaloset! E kur jemi te përsëritjet e të vërtetave që dihen, nuk duhet harruar se lindja e vdekja janë përsëritur aq herë saç kanë lindur e saç ka ecur vdekatar mbi këto tokë, por megjithatë lindjevdekjet janë të freskëta si të kishin ndodhur vetëm një herë të vetme dhe ato çdonjëri i përjeton si diçka që kurrë më nuk ripërjetohet. Siç e përjeton çdonjëri në mënyrë të vet edhe kalbjen e qelbjen e sotme të vlerave njerëzore në ne, që aq shumë kundërmojmë erë të keqe, sa nuk mund ta mbulojmë as me ‘parfumet’ e shtrenjta që i përdorim! Dhe ngaqë e fillova këtë letër thuajse mbrapsht, të shtoj edhe më të dhembshmen që ka të bëjë me kotësinë e përsëritjes së të vërtetave e që e kanë thënë shumë dijetarë: se këshillat dhe thëniet e urta thuajse aspak nuk kanë ndikim, ngaqë të mençurit nuk kanë nevojë për to, politikanët e pushtetarët nuk u besojnë dhe budallenjtë nuk i kuptojnë! Dhe andaj, njeriu që publikisht i shpalos të vërtetat dhe mendimet e veta, nuk duhet të lodhet me atë që e thonë për të injorantët, sepse më shumë të lartësojnë e të nderojnë sharjet e të pafytyrëve dhe budallenjve, sesa lëvdatat e të ndershmëve dhe të mençurve!

Pastaj, pyetjet e tua më arrijnë në kohë kur jetoj me bindjen se nevoja për të velur sa më shumë dituri vjen nga pamundësia që t’i pushtojmë thellësitë e paskajshme të urtësisë dhe të vërtetave që janë thënë. Madje, besoj se sikur t’i dinim të gjitha që janë shkruar dhe që janë rrëfyer, sikur të mund të ishin pronarë të urtësisë gjithënjerëzore, atëherë do t’i dorëzoheshim heshtjes dhe do ndienim si vyshket e shuhet të menduarit dhe imagjinata, si na mbërthen robëria e gjithënjohjes dhe gjithëdijes, e që jetën e bënë të pajetueshme. Pra, që çdo gjë rreth nesh e bën të frikshme sa vetë lindja e vdekja, sa dy aktet që gjithë i kemi përjetuar, por duke mos mundur askush t’i rikujtojë e t’i përshkruajë ato. Sidoqoftë, pyetjeve të tua ua hodha një sy dhe më erdhi mirë që mes tyre nuk ishte ajo më e bezdisshmja, që kërkon shpjegim se çka kam dashur të them në veprat e mia. E përgjigjen e së cilës e dinë vetëm kritikët letrarë dhe lexuesit, që ndonjëherë zbulojnë ta kem thënë edhe atë që mendoj se nuk e kam shkruar. Me çka përfundimisht jam bindur se veprat e mia nuk tregojnë atë që kam shkruar, por atë që lexon lexuesi. Dhe se vlerat e mirëfillta janë si shkëmbinjtë ku mund të ngjiten shqiponja e zvarranikët, por nga ku jo çdokush sheh njësoj larg e thellë! Në mesin e shumë pyetjeve të tua më bëri përshtypje ajo se si do ta përshkruaja atë nxitje dhe nevojë, që publikisht të thuash ato që mendon dhe gjithëve t’ua shpalosësh atë që pjell imagjinata jote. Apo thënë edhe më qartë: si lind vepra! Kësaj pyetje mund t’i përgjigjem aq sa edhe hiri i pyetjes se si është ndje, përderisa ka qenë dru i përshkuar nga flaka e zjarrit. Pra, është thuajse e pamundur të shpjegohet kjo nevojë, njësoj siç nuk mund të shpjegohen pasionet tona, të cilat ndoshta nuk janë asgjë tjetër përpos uri që jeta ka për vetveten. Madje, kjo pyetje më ngjason sikur ta pyesësh të griposurin pse i dhemb koka dhe nëse ai do mundej që kokëdhembjen ta shndërronte në dhembje të barkut. Dhe ndoshta jo rastësisht tani m’u kujtua kokëdhembja, ngaqë ka vite që nevojën për të shkruar e ndiej si sëmundje, por nga e cila nuk dua të shërohem, për të cilën as kërkoj, as mund të gjej ilaç. Pastaj, edhe jam i lumtur që është e pashërueshme dhe që nuk ka barnatore ku do mund të blije ilaç për të. Shpeshherë jam munduar ta përshkruaj këtë sëmundje, por nuk ia kam dalë. Por e di se ajo vjen e shkon e paparalajmëruar dhe më kaplon vetëm kur jetoj në paqe me vetveten. Pra, nuk u takoj artistëve që brumin artistik e ngjeshin nga vuajtja, por përkundrazi, shkruaj vetëm kur çdo gjë në mua e kaplon një qetësi e mirësi dhe kur nuk ka dallgëzime të mëdha të detit jetësor. Dhe kam përshtypjen se atë e kam nga të lexuarit dhe nga nevoja të shkruaj librin që do doja ta lexoja.

Sidoqoftë, kjo sëmundje më kaplon rrallëherë dhe nuk më zgjat shumë. Dhe kur vuaj nga ajo, trupin e ndiej si një qerre që ka bredhur nëpër shumë shtigje jetësore, e nga e cila posa ka zbritur udhëtari i vetëm në të – shpirti. Qerre, të cilën e kanë braktisur kuajt e lodhur që e tërheqin – ndjesitë, e që vrapojnë nëpër livadhet e paskajshme, ku kullotin librat që kam lexuar. Mbi shpinën e tyre shihen edhe dizgjinët – imagjinata ime – e cila nuk i pengon të vrapojnë nga të duan. E ndërkohë, shpirti prehet mbi faqet e shkruara dhe mbase kujton gropat nga ka kaluar qerrja, e cila nga dita në ditë vjetrohet dhe e humb bukurinë e viteve fëmijërore dhe rinore. E kam bredhur nëpër botë mjaftueshëm që të kuptoj si të sillem në mjedise si këto nëpër “Shqipëritë” tona, ku askush nuk të mbron nga ujku i gjallë dhe ku të gjithë e godasin ujkun e ngordhur, ku mund të të hajë ujku dhe askush mos të të mbrojë. Apo që ta kuptoj se nuk ia vlen ta mbrosh të vërtetën në mjedise si këto tonat, ku të pambrojturit të gjithë i bëhen gjyqtarë e të pushtetshmit rojtarë! Në ato mjedise, njerëzit nuk jetojnë as në paqe me vetveten, as me të tjerët, por i vazhdojmë betejat kundër perandorive të vdekura, me çka merrem me ‘rindërtimin’ e së kaluarës së largët e jo të së sotmes dhe të së ardhmes së tyre.

*Letër drejtuar kritikes së librit, Alda Bardhylit

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.