Gara e Ramës me veten

0

Nga Eduard Zaloshnja

Sipas dekretit ende në fuqi të Presidentit të Republikës, zgjedhjet lokale duhet të zhvillohen në 30 qershor. Por një pjesë e mirë e partive politike (të cilat morën parvjet 51.5% të votave në zgjedhjet parlamentare) janë të vendosura që të mos e respektojnë dekretin presidencial. Në këto kushte, koalicioni i Ramës e ka garën me veten në 30 qershor…

Meqë do të kenë përballë vetëm kandidatët e BD-së dhe kandidatë të pavarur, kandidatët e koalicionit të Ramës mund të marrin 95% të votave në 30 qershor. Për këtë arsye, performanca e tyre duhet matur me numër votash dhe jo me përqindje. Thënë ndryshe, pikat e referencës janë votat që ka marrë koalicioni i Ramës, qysh kur ai mori drejtimin e PS-së.

Pas 2005-ës (kur Rama mori drejtimin e PS-së), LSI-ja ka qenë në aleate e PS-së në dy pale zgjedhje lokale (2007 dhe 2015), dhe kundërshtare e saj në një pale zgjedhje (2011). Gjithashtu, në zgjedhjet lokale votohet veçmas për kryebashkiakët e veçmas për këshilltarët bashkiakë. Për këtë arsye, performanca e koalicionit të drejtuar nga Rama nuk mund të matet përmes rezultateve mikse të tyre.

Ndryshe ndodh me zgjedhjet parlamentare, ku prej 2009-ës, ka patur vetëm një fletë votimi –ajo për partitë. Në këtë rast, votat mund të shërbejnë si një letër lakmusi për përkrahjen politike që kanë koalicionet/partitë e ndryshme.

Në 2009-ën (kur Berisha ishte kryeministër), koalicioni i PS-së mori 710 mijë vota, nga 1.52 milionë gjithsej, ose 46.5% të votave (të tjerat i mori koalicioni i PD-së, i LSI-së dhe Poli i Lirisë).

Në 2013-ën (kur Berisha ishte prapë kryeministër), koalicioni i PS-së mori 815 mijë vota (pa llogaritur ato të LSI-së), nga 1.72 milionë gjithsej, ose 47.5% të votave (të tjerat i mori koalicioni i PD-së, LSI-ja, FRDja etj.).

Në 2017-ën, PS+PSD+PDS+etj. (nuk formuan koalicion zyrtar) morën 780 mijë vota, nga 1.6 milionë gjithsej, ose 48.5% të votave (të tjerat i mori PD, LSI, PDIU, PR etj.).

Këto të dhëna, të përmbledhura në Grafikun 1, tregojnë se PS-ja dhe aleatet e saj të vogla, gjatë dekadës së fundit, kanë pluskuar në intervalin 710-815 mijë vota (si kur kanë qenë në koalicion me LSI-në, edhe kur e kanë patur kundërshtare atë). Dhe siç ilustrohet qartazi nga grafiku, luhatjet brenda këtij intervali kanë patur të bëjnë më tepër me numrin e pjesëmarrësve në zgjedhje se sa me aleatët apo me kundërshtarët që ka patur përballë PS-ja.

Nga ana e tij, numri i pjesëmarrësve është luhatur në proporcion me luhatjet në numrin e shqiptarëve të rritur që banojnë në Shqipëri. Ky numër ka ndryshuar nga zgjedhja në zgjedhje, sepse disa banorë vdesin e disa të tjerë mbushin moshën për votim, disa emigrojnë e disa të tjerë kthehen nga emigrimi.

Ndërkohë, përqindja e pjesëmarrjes së banorëve të rritur të Shqipërisë ka qenë pothuaj konstante në dekadën e fundit – ka pluskuar në intervalin 74%-77%. Ndërsa pjesëmarrja e pothuaj 1 milionë e gjysëm votuesve me banim jashtë ka qenë pothuaj e papërfillshme – vetëm 1% deri 2% e tyre kanë ardhur të votojnë.

Në kushtet kur opozita ka vendosur t’i bojkotojë zgjedhjet lokale dhe kur vëzhgimi e vëmendja ndërkombëtare pritet të rritet, kuptohet që Rama nuk do të mjaftohet vetëm me fitoren në të 61 bashkitë – ajo është e sigurtë pa filluar votimi. I vetmi test real për të në 30 qershor do të jetë numri i votave që do të marrin kandidatët e tij për kryebashkiakë.

Gjatë dekadës së fundit, për kandidatët për deputetë të PS-së dhe aleateve të saj të vogla, kanë votuar 36%-38% e banorëve të rritur, ndërsa për kandidatët e PD-së, LSI-së PDIU-së etj. kanë votuar 38%-40% e banorëve të rritur (23%-26% nuk kanë marrë pjesë fare në zgjedhje). Mesataret e këtyre përqindjeve gjatë dekadës kanë qenë 37%, 39% dhe 24% (shihni Grafikun 2). Në qoftë se ruhen këto raporte në 30 qershor, i bie që rreth 770 mijë zgjedhës duhet të votojnë për kandidatët e Ramës (nga 2.1 milionë shqiptarë të rritur, që sipas Pew Research Center, banojnë këtu).

Një rezultat ndjeshëm poshtë kësaj kuote do të demonstronte ose suksesin e taktikave bllokuese të opozitës, ose pamundësinë e PS-së dhe aleateve të saja të vogla për të marrë votat që kanë pas marrë gjatë dekadës së fundit, ose të dyja…

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.