Home Kultura “Gomari i Babatasit” vlerësohet dhe në skenën e Teatrit Kombëtar

“Gomari i Babatasit” vlerësohet dhe në skenën e Teatrit Kombëtar

0

Aktorët e teatrit “Migjeni” në skenën e Teatrit Kombëtar me veprën e At Gjergj Fishtës, “Gomari i Babatasit” me regji nga Altin Basha morën vlerësimin e publikut. Vepra e Fishtës edhe mbrëmjen e së dielës vijon në skenën e Teatrit Kombëtar.

“Gomari i Babatasit” nën kurimin dramaturgjik të Stefan Çapalikut dhe me regjinë e Altin Bashës sjell në role aktorë të njohur. Drejtoresha e teatrit Rita Gjeka shkruan se shfaqja është dhe një ftesë për të gjithë politikanët shqiptarë. “Unë do doja fort që politikanët tanë të ishin të shumtë në numër në këto ditë shfaqjesh të Gomarit, në mënyrë që ta merrnin mesazhin direkt nga kolegët e tyre të epokës Fishtiane. Pastaj se kush e gjen veten ne Babatasin, kjo le t’i mbetet si gozhdë në mendjet e secilit”, shkruan Gjeka në statusin e saj në Facebook.

Vepra u botua në një situatë që përkonte me beteja të ashpra politike rreth formës që do të merrte organizimi i ardhshëm shtetëror i Shqipërisë. Tehu i sarkazmës Fishtjane për politikanët, deputetët dhe zyrtarët është më i mprehtë se kurrë. Rolet në vepër regjisori Basha këtë herë ia ka besuar aktorëve Zyliha Miloti, Besnik Çinari, Rita Gjeka, Jozef Shiroka, Pjerin Vlashi, Merita Smaja, Simon Shkreli, Nikolin Ferketa, Rajmonda Marko, Astrit Fani, Fritz Selmani, Nancy Bakalli, Divni Gushta, Eder Boshnjaku. Skenografia dhe kostumografia vjen e realizuar nga Iliriana Loxha Basha.

Muzika nga Endri Sina dhe koreograf Gjergj Prevazi. Më herët në një reagim të tij regjisori Basha shprehej se edhe pse e shkruar në vitin 1920 nga Fishta ajo është aktuale me mesazhet që përcjell në kohët e sotme. ““Gomari i Babatasit” është një satirë politike therëse, që dhe sot e kësaj dite ndonëse u botua në 1920 e ruan forcën e mesazheve të saj. Ishte një propozim i drejtoreshës së teatrit “Migjeni” Rita Gjeka, e cila këmbëngulte për këtë vepër dhe rezultoi e drejtë, sepse shfaqja është pritur shumë mirë nga publiku i Shkodrës”, tregon regjisori për shfaqjen q ëmë parë ishte premierë në skenën e teatrit “Migjeni” në qytetin e Shkodrës. Është një fakt i njohur tashmë angazhimi i regjisorit të njohur Altin Basha me dramaturgjinë shqipe, edhe këtë herë ai sërish thekson se kjo do të vazhdojë në aktivitetin tij krijues.

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.