Home Aktualitet Hap zjarr ndaj policisë së Gjirokastrës, RENEA aksion për kapjen e 35-vjeçarit

Hap zjarr ndaj policisë së Gjirokastrës, RENEA aksion për kapjen e 35-vjeçarit

0

GJIROKASTËR – Një ngjarje e rëndë është regjistruar sot në fshatin Bularat të Gjirokastrës, ku një 35-vjeçar ka qëlluar me armë zjarri në ajër, duke shkaktuar më pas një incident edhe më të madh. Ngjarja në fjalë ka ndodhur rreth orës 10:00.

Menjëherë në drejtim të vendit nga vinin të shtënat kanë shkuar shërbimet e Policisë të cilat ishin të dislokuara në qendër të fshatit pasi do zhvillohej aktivitet me rastin e festës së Greqisë. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se shtetasi Kostandinos Kaçifa pasi ka parë shërbimet e policisë që po afroheshin në drejtim të tij ka hapur zjarr me breshëri ndaj punonjësve të policisë duke rrezikuar jetën e tyre.

Fatmirësisht nga të shtënat nuk ka punonjës policie të plagosur, por vetëm është thyer xhami i mjetit të policisë. Policia menjëherë ka rrethuar zonën ku përsëri i riu ka hapur zjarr në drejtim të punonjësve të policisë që po e ndiqnin.

Raportohet se Kaçifa është futur në thellësi të fshatit ku forcat “Shqiponja” dhe shërbimet e tjera të Drejtorisë Vendore të Policisë vijojnë krehjen e zonës për të bërë të mundur kapjen e tij.

Në ndihmë të shërbimeve të Policisë së DVP Gjirokastër kanë shkuar forcat speciale Renea. Burimet thanë se Kaçifa jeton në Greqi dhe ka rreth një javë që ka ardhur në Bularat. Sakaq, vijon puna për kapjen e tij.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.