Home Aktualitet Historia që përloti shqiptarët, dedikimi: Lamtumirë gjysh Faiku!

Historia që përloti shqiptarët, dedikimi: Lamtumirë gjysh Faiku!

0

Historia e çiftit të moshuar nga Gramshi përloti mbarë shqiptarët në emisionin social e humanitar në News24 “Shqiptarët për shqiptarët”.

Faik Abazi, 84 vjeç dhe gruaja e tij Majore jetonin në fshatin Snosem të Gramshit, ku skamja e mjerimi është kryefjalë. Prej vitesh gruaja 76-vjeçare mbante mbi shpinë burrin e saj të paralizuar. Por tanimë vuajtja e pafund mori fund, pasi gjysh Faiku nuk është më. Ai iu dorëzua amëshimit duke mbyllur sytë përgjithmonë.

Emisioni “Shqiptarët për shqiptarët” i erdhi në ndihmë çiftit të moshuar që jetonin në kushte të mjerueshme duke i rindërtuar shtëpinë por nuk qe e thënë që gjysh Faiku të gëzonte gjatë, pasi 6 muaj pasi u bënë me një banesën e re ai ndërroi jetë për shkak të sëmundjeve e problemeve të shumta.

Por bamirësia i mundësoi t’i kalonte ditët e fundit të jetës në një ambient normal, me drita e të ngrohtë.

Producenti Ilir Hoxholli e ka publikuar lajmin e humbjes së gjysh Faikut me një dedikim prekës.
“Lamtumirë gjysh Faiku!
Mes dhimbjesh mësova se gjysh Faiku nuk jeton më. E tillë është jeta, vjen çasti dhe të duhet të largohesh, ja ashtu sikur nuk ishe kurrë. Udhëtuam mes malesh për në fshatin Snosen, gjetëm dy të moshuar të braktisur, të lënë në mëshirë të fatit. E pyeta si je gjysh? Ehe tha ç’të jem, shih e shkruaj, skam asgjë, as dyer as dritare, as tavan, as drita… po kush jeni ju na pyeti? Ç’ti thoshim gjyshit, sytë po i fikeshin ngadalë… Elvisi reagoi i pari, megjithëse ishim koshientë që shumë pak ditë mund t’i kishin mbetur, ua mundësoi të gjitha. Sot gjyshe Majorja nuk e mban më në krahë, e di që e mban në shpirt, i shërbeu me gjithçka. Lotët nuk i mbajti kur mori vesh se në atë zonë të thellë, nuk ishte vetëm. Ah vetëm të ishit kur panë dhomën e rregulluar, nxitoi t’i bënte gjysh Faikut kafen, e pinë ashtu të përlotur nga gëzimi. Gjyshi na falënderoi pa e ditur se kush ishim, pa e ditur se qindra e mijëra zemrash shqiptarësh ishin me të, lamtumirë o gjysh fisnik, lamtumirë dhe të falënderojmë që pranove të ishim pranë teje, disa muaj, disa ditë, disa orë, kurrë nuk do ta harrojmë buzëqeshjen tënde, na dhe shumë, ajo buzëqeshje vlejti sa gjithë bota, të qoftë dheu i lehtë…”, shkruante Hoxholli.

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.