Home Kultura I gjithë publiku në këmbë për Ndrenikën në premierën e “Mendohu, Xhakomino”

I gjithë publiku në këmbë për Ndrenikën në premierën e “Mendohu, Xhakomino”

0

Na trishtoi Xhakominoja në Teatrin e Metropolit. Na trishtoi, jo sepse nuk arritëm të shihnim në skenë aktorin e preferuar, sepse ai ishte aty dhe interpretoi më bukur se bukur, por sepse imagjinuam dikur teatrin pa të.

Çfarë do të ishte teatri pa Robert Ndrenikën?! Në skenën e vogël të Teatrit të Metropolit po shfaqet komedia e nobelistit italian, Luigi Pirandello, “Mendohu, Xhakomino”. Një vepër e vënë në skenë nga regjisori Milto Kutali.

Pas shtyrjes njëjavore, për shkak të shëndetit të brishtë të aktorit kryesor, por edhe të gjithë trupës, pas një gjendjeje të përgjithshme gripale që përfshiu vendin tonë, shfaqja e shumëpritur u ngjit në skenë. Një komedi e shkurtër rreth 75 minuta, që kishte në qendër një profesor të moshuar dhe të pamartuar, profesor Totin, që del përkundër botës dhe priftit, për të ndihmuar dy të rinj të ndërtonin jetën e tyre.

publiku-ne-kembehttp://opinion.al/wp-content/uploads/2017/02/publiku-ne-kembe-300×169.jpg 300w, http://opinion.al/wp-content/uploads/2017/02/publiku-ne-kembe-768×432.jpg 768w, http://opinion.al/wp-content/uploads/2017/02/publiku-ne-kembe.jpg 960w” sizes=”(max-width: 550px) 100vw, 550px” style=”margin: 0px; padding: 0px; outline: 0px; vertical-align: middle; background: transparent; max-width: 100%; height: auto;”>

Regjia është e thjeshtë, pa shumë mundime, pa akrobacira dhe pa ndonjë gjetje të bujshme. I vetmi element i shtuar ishte një fëmijë (Ezra Vogli) që vështronte nga dritarja, hynte e dilte në skenë, si për të bërë lidhjet mes akteve dhe për të na kujtuar që e gjithë sakrifica e Totit e në fund loti i Xhakominos bëhej për një foshnjë, Ninin apo Ninoçin, siç i thoshte me përkëdheli gjysh Toti.

Skenografia nga Beqo Nanaj qëndron në të njëjtin nivel realizmi si dhe pjesa. Me të keq, ai është përpjekur t’i përshtatet hapësirës modeste të skenës, e cila me të vërtetë duket sikur nuk i nxë aktorë të përmasave si Robert Ndrenika. Ai ka përdorur perdet për të kaluar nga njëra skenë në tjetrën.

INTERPRETIMI

Personazhi i profesor Totit erdhi nën interpretimin e shkëlqyer të aktorit Robert Ndrenika. Në rolin e Totit, Ndrenika luan moshën e tij dhe nuk i duhet të sforcohet aspak për të hyrë në karakter (jo se vëmë në dyshim që do të ndodhte me ndonjë rol tjetër). Hapi disi i rënduar, zëri, përkujdesja prej babai dhe gjyshi, krijonte një atmosferë të paqtë familjare, madje mallëngjyese.

mariana-kondi-xhiakominohttp://opinion.al/wp-content/uploads/2017/02/mariana-kondi-xhiakomino-300×198.jpg 300w, http://opinion.al/wp-content/uploads/2017/02/mariana-kondi-xhiakomino-768×508.jpg 768w, http://opinion.al/wp-content/uploads/2017/02/mariana-kondi-xhiakomino.jpg 960w” sizes=”(max-width: 550px) 100vw, 550px” style=”margin: 0px; padding: 0px; outline: 0px; vertical-align: middle; background: transparent; max-width: 100%; height: auto;”>

Çdo batutë e thënë në vendin e vet, çdo reagim i natyrshëm, humori që buron pa asnjë ngërç… Ai ndërton një figurë të butë, babaxhane, altruiste, me një mënyrë të vetën për jetën dhe me një batutë naive, që të çarmatos. Do ishte e tepërt të komentoje mënyrën e interpretimit dhe shkollën që Robert Ndrenika sjell në skenën e Teatrit.

Për nga rëndësia, çdo personazh tjetër që hynte dhe dilte në skenë, ishte në funksion të personazhit të profesor Totit, por edhe nga ana interpretative, i linte në hije të gjithë aktorët e tjerë të shfaqjes. Në shfaqjen më të fundit, me gjithë spekulimet mbi shëndetin e tij, për gjoja shtrimet në spital e gjendjen e rënduar, ai na tregoi që jo vetëm gëzon një shëndet të mirë, por edhe se është më energjik dhe më i ri se gjithë të rinjtë, që interpretonin në atë shfaqje.

Edhe pse mbante gjithë barrën e veprës, nuk tregoi asnjë shenjë dobësie deri në fund. Dhe duartrokitjet në fund të pjesës, janë pak për të. Sigurisht nuk mund të mohosh freskinë që sollën në skenë aktorët Arben Derhemi, në rolin e kujdestarit të shkollës dhe babait të Lilianës, Çinkuemani, apo Mariana Kondi, në atë të së ëmës së Lilianës.

Ndryshe nga Meki Thika, roli që ka interpretuar për net me radhë në skenën e Teatrit Kombëtar, në komedinë “Opera për tri grosh”, te personazhi i Pirandello- s Derhemi është një burrë i dobët, që i trembet gruas dhe botës. Dhe Derhemi ka ditur ta ndërtojë këtë figurë duke e ngjyrosur me nota komiciteti.

Nuk mund të mos vësh buzën në gaz kur del në skenë Mariana Kondi, e aftë të improvizojë aty për aty, që nuk e kupton dot nëse ka ngatërruar batutë apo është pjesë e rolit, aq natyrshëm hyn dhe del në të.

Në pjesët komike ajo është në shtëpinë e saj dhe nuk i duhet të sforcohet shumë. Përballë interpretimit të tyre, e aq më tepër atij të Ndrenikës, loja e aktorëve më të rinj të trupës, Amri Hasanlliu e Paola Kodra, duket fare fëminore dhe kërkon një jetë të tërë përpara për t’u skalitur.

Por, përpos të gjithë të metave që mund të kishte pjesa, ajo ia vlen të shihet, qoftë edhe vetëm për Robert Ndrenikën, për të kuptuar respektin që një aktor i madh ka për skenën dhe publikun; përgjegjshmërinë e të ngjiturit në skenë dhe punën që një aktor duhet të bëjë me veten. E pa dyshim lojën e tij prej mjeshtri, që do të duhet të kalojnë shumë breza, që ndokush të mund ta arrijë.

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.