Home Kultura “Kërcënimi i së vërtetës”, 43 filma në Festivalin për të Drejtat e...

“Kërcënimi i së vërtetës”, 43 filma në Festivalin për të Drejtat e Njeriut

0

E vërtetë apo false? Gjithnjë e më tepër ia bëjmë veten këtë pyetje, ndërsa gjendemi në një kakofoni informacioni dhe jeta virtuale bëhet gjithnjë e më tepër agresive. Dhe kur e vërteta është çdo ditë edhe më e kërcënuar. Pikërisht kështu “Kërcënimi i së vërtetës” (“Threat of Truth”), titullohet dhe është tema qendrore e edicionit të radhës së Festivalit Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut. Prej ditës së sotshme deri më 22 shtator do të zhvillohet edicioni i trembëdhjetë i Festivalit, IHRFFA, i cili më shumë se një ngjarje kinematografike, gjatë së cilës shfaqen prodhime filmike nga e gjithë bota, është një tryezë e hapur debati. Tema të nxehta, shpeshherë dhe tabu janë diskutuar gjatë ditëve të festivalit. Kësaj here, bashkë me nëntema, siç është emigracioni, terrorizmi, korrupsioni, të trajtuara në edicionet e shkuara, kryetema e festivalit do të jetë e vërteta dhe kërcënimi i saj.

“Kur flasim për kërcënimin e së vërtetës, gjëja e parë që u vjen njerëzve në mend është “fake news”, lajmet e rreme. Por nuk është vetëm kjo, në festival janë përfshirë një gamë e gjerë prodhimesh mbi mënyrën se si fabrikohet sot një mendim për qëllime të caktuara, por gjithmonë duke u larguar nga e vërteta, duke humbur peshën dhe gravitetin që ka e vërteta për të emancipuar shoqëritë moderne. Jetojmë në një kohë kur inteligjenca artificiale, kur realiteti virtual dhe realiteti fizik vijnë përballë çdo individi dhe ky i fundit përpiqet për të gjetur balanca të reja për të kuptuar dhe për të ditur se në ç’formë t’i përshtatet këtij trekëndëshi”, u shpreh drejtori ekzekutiv i Festivalit, Kujtim Çashku gjatë prezantimit të Festivalit.

FESTIVALI

Në këtë edicion të 13-të, nga 3400 aplikime janë përzgjedhur 43 produksione. Hapja e Festivalit zhvillohet sot në orën 19.00 me ceremoninë hapëse dhe shfaqjen e filmit “Iuventa”, një prodhim gjerman i regjisorit italian Michele Cinque, i cili do të jetë i pranishëm. Filmat janë përzgjedhur në mënyrë të tillë që të ngjallin debate. Kështu, për disa syresh janë organizuar biseda me studentë dhe nxënës të gjimnazeve të Tiranës.

Të ftuar do të jenë aktori nga Greqia Atthanasios Chalkias për filmin “Lines”, regjisori i filmit “Exodus”, Hank Levine nga Gjermania, Orgesa Arifi me filmin “Kurrizi” nga Kosova. I ftuar special do të jetë gazetari dhe shkrimtari Andrew Feinstein për filmin Shadow World. Nuk do të mungojnë edhe mbrëmjet muzikore, duke filluar prej ditës së sotshme, në hapjen e festivalit me Bandën Muzikore “Orge(s) Trio”, për të vijuar të martën me Eda Cërriku & Elton Balla, të mërkurën me AJS TRIO, të premten me Albanian Brass Quintet dhe në mbyllje me Herin & Eclesio Ramos.

Përveç Akademisë së Filmit dhe Multimedias Marubi, si dhe Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, filmat do të shfaqen edhe në Europe House (te Pallati i Kongreseve), në Akademinë e Sigurisë, në Destil, instalacionin REJA pranë Galerisë Kombëtare të Arteve dhe COD, pranë Kryeministrisë. Festivali mbështetet nga Ambasada Gjermane, Delegacioni i Bashkimit Europian, Bashkia e Tiranës, Ministria e Kulturës, Ministria e Arsimit, Arkivi Qendror i Filmit, Ambasada Austriake, OSBE, etj..

KALENDARI I AKTIVITETEVE

– Ditën e hënë në orën 19:00, ceremonia hapëse dhe shfaqja e filmit “Iuventa”, një prodhim gjerman i regjisorit italian Michele Cinque

-Ditën e martë 18.09.2018, pas shfaqjes në orën 11:00 të dokumentarit “News 23/06/2016” zhvillohet Forumi në Europe House: “Portalet, porta hyrëse dhe/apo dalëse e të vërtetës?”

-Ditën e mërkurë, 19.09.2018, ora 11:00 do të zhvillohet një shfaqje speciale me studentë të Akademisë së Sigurisë dhe persona të dënuar me dënime penale, në Akademinë e Sigurisë, i filmit “PreCrime” me regji të Monika Hielscher, Matthias Heeder. Më pas do të mbahet forumi “Teknologjia dhe parandalimi i krimit”

-Ditën e mërkurë, 19.09.2018 ora 21:00, në Destil në bashkëpunim me Universitetin POLIS shfaqet dokumentari “Blue Heart”, i cili dokumenton betejën për Vjosën, në Shqipëri, lumi më i madh pa digë në Europë dhe situata të ngjashme në Ballkan. Më pas, vijohet me diskutimin me temë “Krimet mjedisore: Sa dimë për to?”

-Ditën e enjte 20.09.2018, ora 11:00, në sallën e Kinemasë “Marubi”, në bashkëpunim me gjimnazin “Sami Frashëri”, do të shfaqet filmi “Find Fix Finish”. Do të vijohet me një debat me nxënësit me temë: “Realiteti fizik dhe virtual”.

-Ditën e premte 21.09.2018, ora 11:00, në Europe House shfaqet filmi i shkurtër “Dysphoria” i Gjergj Bodanit dhe vijohet me debatin, moderuar nga shoqatën OMSA, Open Mind Spectrum Albania.

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.