Klajda Gjosha: Gara për Tiranën, opozita me kandidat me integritet

0

LSI është partia që pati më shumë ‘tradhtarë’ brenda opozitës pas djegies së mandateve të deputetëve. Por ish- ministrja e Integrimit Klajda Gjosha beson se LSI nuk ka asnjë përçarje, përkundrazi sipas saj ka një çlirim nga të gjithë ata që e kanë dashur atë vetëm për interesa. Ish-deputetja e LSI-së thotë për “Gazeta Shqiptare” se opozita nuk do të ndalet në betejën e saj për rrëzimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie transitore, e cila do t’i hapë rrugën zgjedhjeve të barabarta. Gjosha flet edhe për përgatitjet e opozitës për zgjedhjet lokale të 30 qershorit dhe nëse do të garojë apo jo përballë Erion Veliaj në Tiranë. Sipas Klajda Gjoshës zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme për shkak të krizës politike në vend ndërkohë që ndërkombëtarëve u kujton se nuk e njohin realitetin e hidhur shqiptar.

Znj.Gjosha, pse kaq e tensionuar situata në vend, si mund të tejkalohet kriza politike?
Situata është e rënduar për shkak të mungesës së demokracisë dhe mos funksionimit të institucioneve. Rrënimi i zgjedhjeve të 2017 nëpërmjet shitblerjes së votës dhe fenomenit të krimit në to, ka sjellë më pas arrogancën e qeverisë që tashmë ka të gjitha pushtetet në dorë. Situata ekonomike është alarmante, mungesa e aksesit për punësim, taksat e larta, pamundësia e fermerëve për të gjetur tregun e tyre, mungesa e subvencioneve, padrejtësitë e panumërta në tenderë janë tregues i një vendi që çdo ditë humbet shpresën dhe dëshirën për të jetuar në Shqipëri. Zgjidhja e vetme është që kjo qeveri t’i hapë rrugë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme si dhe normalitetit në vend!

Kreu i opozitës, Lulzim Basha është shprehur se ka filluar numërimi mbrapsht për rrëzimin e Edi Ramës…
16 marsi ishte një nga ato protestat madhështore të qytetarëve, të cilët janë në të drejtën e tyre për të vënë para përgjegjësisë qeverinë e tyre të papërgjegjshme.

Ku e gjen forcën kryeministri Rama të jetë kaq kokëfortë në qëndrimin e tij? Çfarë do të ndodhë nëse ai nuk dorëhiqet?
Patjetër që njeri me karrigen e kryeministrit ndjehet komod dhe me të gjitha pushtetet dhe institucionet nën drejtimin e tij. Nuk ka lider që të pranoj dështimin dhe largimin, por ai shumë shpejt do të jetë i detyruar përballë qytetarëve shqiptarë t’i hapë rrugë një Shqipërie me vizion të ri, një Shqipërie europiane!

Pse kaq kundërshtarë të huajt ndaj vendimit të opozitës për dorëzimin e mandateve? Cila është zgjidhja?
Është e natyrshme që ndërkombëtarët të mos e kuptojnë dot realitetin e hidhur në Shqipëri sepse në vendet e tyre çdo akuzë do të gjente zgjidhjen te drejtësia. Por në një vend ku drejtësia nuk ka funksionuar kurrë, ku pandëshkueshmëria quhet trimëri, ku nuk funksionon Gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese, është e vështirë t’i zgjidhësh mosmarrëveshjet nëpërmjet ligjit. Shpeshherë për të ndërtuar demokracinë ne jemi të detyruar të ndërmarrim edhe akte ekstreme. Ndërkombëtaret nuk duhet të harrojmë që do të jenë gjithmonë në krah të shumicës së qytetarëve dhe kjo shumicë tashmë është në krahun e opozitës!

Vetë LSI-ja a është e përçarë brenda saj? Pse kaq shumë deputetë “tradhtarë” që nuk iu bindën vendimit për lënien e mandateve të deputetëve?
LSI nuk ka asnjë përçarje, përkundrazi ka një çlirim nga të gjithë ata që e kanë dashur atë vetëm për interesa. Të gjithë deputetët kanë të drejtë të marrin vendimin për zgjedhjet e tyre personale. Ata do të duhet të mbajnë vetë edhe përgjegjësinë para opinionit publik dhe qytetarëve. Vendimi i partive politike për djegien e mandateve është një vendim politik dhe asnjë zgjedhje personale nuk e cenon dot atë.

Intervistën e plotë e lexoni në GSh.al

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.