Konflikti civil po hedh shtat në Shqipëri/ VATRA: Palët të ulen në tryezën e bisedimeve

0

Në kulmin e krizës politike në vend, me mazhorancën që këmbëngul të shkojë e vetme në zgjedhje, duke refuzuar edhe zbatimin e dekretit të presidentit të Republikës, vjen reagimi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Organizata shqiptaro-amerikane VATRA u bën thirrje palëve politike në Shqipëri që të ulen në bisedime t’i ofrojnë popullit një zgjidhje afatgjatë, që të mund të sigurojë jo vetëm standardet demokratike të vendit, por edhe një paqe dhe unifikim shoqëror.

Me anë të një deklarate, Federata Panshqiptare e Amerikës shpreh shqetësimin për situatën në Shqipëri të cilën e cilëson si të paprecedentë dhe thotë se është thellësisht e dhimbshme, që edhe pas afro tre dekadash pluralizëm, evidentohen probleme të thella lidhur me proceset zgjedhore, ndërhyrja në të cilët është tërësisht e dënueshme.

“Konflikti civil, i cili po hedh shtat dita-ditës nuk duhet lejuar dhe qeveria ka përgjegjësinë kryesore të gjejë rrugët për shuarjen e tij. Ashpërsimi i mosmarrëveshjeve politike shoqërohet fatkeqësisht me ndasi të mëdha shoqërore, gjë e cila dëmton objektivat evropiane të vendit”, thuhet në deklaratën e VATRA-s.

VATRA nxit palët të ulen në tryezën e bisedimeve, duke shpresuar që platforma e bisedimeve do të jetë serioze dhe jo thjesht kalimtare dhe njëkohësisht shpreh keqardhjen për humbjen e kohës, nga e cila sipas saj, humbet Shqipëria dhe populli.

Federata Panshqiptare Vatra është shoqata më e madhe dhe më e njohur e shqiptarëve në Amerikë, e krijuar në vitin 1912, e cila ka pasur si mision historik mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të shqiptarëve në SHBA, si edhe ka ndërmarrë përsipër lobimin në Kongresin e Shteteve të Bashkuara për të drejtat e shqiptarëve anembanë botës.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.