Home Kryesore Kryeministri i lutet LSI për votat e Magjistraturës

Kryeministri i lutet LSI për votat e Magjistraturës

0

Të hënën Parlamenti do të hedhë në votimin ndryshimet në ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, një nen i të cilit ndryshon dhe ligjin për studentët e “Shkollës së Magjistraturës”. Miratimi i këtij ligji kërkon 84 vota, të cilat Partia Socialiste nuk i ka, edhe sikur të kërkojë të blejë ndonjë deputet. Ligji i propozuar nga PS-ja synon të hapë rrugën për emërimet e reja në institucionet e drejtësisë, pas shkarkimeve të gjyqtarëve nga Vettingu. Kaosin e krijuar në sistemin e drejtësisë që ka mbetur pa Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë dhe ngritjen e institucioneve të reja, PS-ja ka menduar ta zgjidhë duke rekrutuar studentë të drejtësisë. Ideja e PS është servirur si një proces ligjor që do të emërojë gjyqtarët e rinj brenda rregullave, por në fakt nuk rezulton kështu. Emërimet e magjistratëve dhe pranimet në shkollën e magjistraturës, sipas ligjeve të reformës në drejtësi të miratuar dy vite më parë, duhet të bëheshin nga Këshilli i Lartë i Gjyqësorit (KLGJ) dhe Këshilli i Lartë të Prokurorisë (KLP). Por afatet kanë kaluar dhe të dyja këto institucione nuk janë ngritur për faj të PS. Për të shmangur ngërçin PS-ja kërkon që emërimet e magjistratëve që përfundojnë studimet në qershor dhe pranimet në Shkollën e Magjistratuës ti kryej Këshilli Lartë i Drejtësisë (KLD) dhe Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme. Pa paragjykuar cilësinë e studentëve të rinj, prokurorët dhe gjyqtarët do të emërohen nga kryeprokurorja që u zgjodh vetëm me votat e PS dhe nga KLD, të cilën vetë Kryeministri dhe selia rozë e kanë akuzuar për njëmijë gjëra. Ndërsa tani KLD bëhet e mirë, kur ia do puna PS-së!

Me këtë lëvizje PS kërkon jo vetëm të normalizojë bllokimin total të gjykatave, por indirekt edhe të bëjë emërime të reja politike  në drejtësi duke kontrolluar çdo kandidaturë. Pra te shkolla e magjistraturës kontrollin e ka PS-ja dhe çdo gjyqtar që do dalë nga kjo shkollë, do jetë e detyruar KLD ta emërojë. Një lojë me dinakëri e mazhorancës, ku kërkon një ligj provizor për ti emëruar KLD-ja krejt emrat që seleksionon PS-ja.

Për këtë qëllim këto ditë ka nisur një fushatë e ethshme në kërkim të votave nga ana e mazhorancës. Kryeministri Edi Rama ka zbutur tonet ndaj opozitës dhe ka një javë që nuk përmend asnjë akuzë ndaj kundërshtarëve politikë. Deputetë të PS, drejtues komisionesh dhe juristë kanë marrë rolin e sekserëve politikë duke nisur takimet me përfaqësues të opozitës. Në rrugë jo zyrtare mësohet qeveria ka ofruar favore politike dhe ekonomike për deputetë të veçantë që sipas saj mund të japin votën për ligjin. Veç ofertave të pista ekonomike, nuk kanë munguar dhe “joshje” të kundërshtarëve politikë. Një variant është ai i ndarjes së studentëve të magjistraturës me “tesera” partie, ku disa t’i zgjedhë PS, disa PD dhe disa LSI. I gjithë ky proces që në PS e quajnë negociata informale, në fakt është një pazar i pistë që tregon dhe një herë degradimin e reformës në drejtësi. Një reformë që nisi si një projekt për shpëtimin e vendit dhe drejtësisë nga korrupsioni dhe po kthehet në një eksperiment që po i dorëzon gjithë gjykatat dhe prokurorinë në duart e një partie të vetme.

Edhe mënyra sesi PS po e kërkon konsensusin nuk ka lidhje me politikën, por me pazaret dhe marrëveshjet jo transparente. Reforma në drejtësi është bllokuar dhe ky fakt është pranuar nga vet PS-ja, mënyra sesi mund të zgjidhjet nuk janë ligjet politike dhe ofertat për pazare votash. Reforma u godit që në momentin kur PD doli nga konsensusi i 21 korrikut të 2 viteve më parë dhe disa ligje u miratuan vetëm sipas dëshirës së PS. Por goditjen finale e mori në momentin që PS vendosi të zgjedhë vetëm me votat e saj kryeprokuroren e re dhe të mos njoh asnjë marrëveshje për reformën në drejtësi. Pasi ka shkatërruar gjithë bazën e reformës, rikthimi te konsensusi nuk bëhet me arnime ligjesh politike.

PS ka 74 vota. Shto këtu edhe votën e PSD-së së Tom Doshit si dhe tre votat e PDIU. Edhe një deputet i pavarur që ka braktisur opozitën, dhe kap 79 deputetë. I duhen edhe pesë deputetë nga radhët e opozitës, çka nuk ka asnjë shans ti bëjë, pavarësisht se mund të arrijë duke blerë një prej tyre, por përsëri nuk e bën numrin 84 vota.

Dje deputetja e PS dhe një nga ekspertet e reformës në drejtësi i bëri apel opozitës që të tregohet e përgjegjshme dhe të votojë ndryshimet në ligj. Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi dy ditë më parë bëri një deklaratë që hodhi poshtë të gjitha skemat e PS për votimin e këtij ligji. Në mënyrë të qartë ajo deklaroi se LSI nuk bëhet pjesë e asnjë pazari dhe nuk mund të votojë ligje që i shërbejnë kapjes së sistemit të drejtësisë nga qeveria “Rama”. “Në princip ne nuk bashkëpunojmë me këtë mazhorancë moniste, aq më tepër jashtë tryezës politike pozitë-opozitë. E kanë kot që lodhen nëpër kafene, edhe më të kotë që fabrikojnë lajme për takime jo-institucionale me opozitën. Dialogu politik është institucion, jo pazar!”, ka deklaruar Monika Kryemadhi.

Ndërkohë dje edhe PD e ka shprehur qëndrimin e saj duke deklaruar se me këtë kaos dhe kapje të sistemit nuk mund të ketë më konsensus. Lulzim Basha dhe deputeti Oerd Bylykbashi shprehën qëndrimin se të votosh ligjet e Edi Ramës do të thotë se ndihmohesh në kapjen e drejtësisë. Të hënën, siç është njoftuar nga Kuvendi, është dhe seanca e fundit e këtij sesioni parlamentar. PS do të bëjë çdo lëvizje për të siguruar votat që i duhen për ligjin. Por teksa kërkon konsensus, institucionet e Vettingut kanë nisur fushatën duke rrëzuar gjithë gjykatat kryesore në vend dhe duke zbatuar standarde të dyfishta, ku çuditërisht juristët që po shpëtojnë janë ata që kanë pasur marrëdhënie më të mira me PS. Reforma në drejtësi ka dy vite që është miratuar dhe sot drejtësia ndodhet në kaos, por një kaos i kontrolluar nga PS.

Edhe Reformën në Drejtësi e kthyen në pazar dhe kapje të sistemit.

 

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here