Home Sport Kryetifozi shkodran rrëfen dramën: “U tradhtuam, po na bëjnë të qajmë si...

Kryetifozi shkodran rrëfen dramën: “U tradhtuam, po na bëjnë të qajmë si fëmijë!”

0

Astrit Rrahmani ose ndryshe “Tuti” është kryetifozi i Vllaznisë, i cili për vite me radhë mbajti ndezur tifozërinë shkodrane. Për shumë vite ai ka kontribuar duke organizuar tifozërinë e Shkodrës në stadiume në mbështetje të Vllaznisë. Pikërisht asaj Vllaznia që vite më parë rivalizonte dhe tifozët merrnin kënaqësi. Në një bisedë për “Panorama Sport”, ai thotë se futbolli shkodran ndodhet në një gropë të zezë. “Tuti” pranon të tregojë me dhimbje atë që ndien për ekipin.

RRËFIMI

“Unë nuk jam as i pasur, as kriminel, as s’kam ndonjë gjë. E vetmja gjë që kam është Vllaznia. Ajo është pasuria ime. Nuk di çfarë të them për ata që u ka interesuar që Vllaznia të shkojë në këtë gjendje. Unë nuk di të bëj as biseda tokash, as asgjë tjetër, por i vetmi diskutim që kam është Vllaznia. Sot, Shkodra është në ditë zie dhe nuk ka asnjë koment. Ne na kanë marrë jetën dhe shpirtin. Unë kam shpenzuar miliona para për Vllazninë nëpër stadiume, bashkë me shokët e mi dhe ia kam bërë hallall Vllaznisë, por sot jemi të zhgënjyer më shumë se asnjë herë.

Ata futbollistë, ata çfarë lojtarësh, ta dinë se kanë një publik të mrekullueshëm, se po të ishte në ndonjë vend tjetër nuk dihet se çfarë do ndodhte. Ne nuk u kemi kërkuar që të dalin kampion, por as që të na hedhin nga kategoria. Ky është kulmi. Kemi lënë fëmijët, duke vuajtur për të ndjekur Vllazninë deri në Gjirokastër. Më është dukur Gjirokastra si lagje e Shkodrës. Kjo është një gropë e zezë. Në vend që të merremi me ekonominë e familjes dhe jetesën tonë, ne merremi vetëm me Vllazninë dhe shiko se çfarë na bëjnë këta që s’kanë turp”, tregon “Tuti”, i njohur në gjithë Shkodrën.

Ai thotë se nuk ka qarë për nënën e tij kur i ka vdekur, ndërsa për Vllazninë derdh lotët që i burojnë nga shpirti. “Këto lot nuk i kam derdhur për nënën time kur ka vdekur dhe sot po na bëjnë të qajmë si fëmijë. Mua më vjen turp të dal në Shkodër. Këta s’kanë dinjitet dhe dalin në mes të qytetit. Unë s’jam marrë me familjen sa jam marrë me Vllazninë. Më kanë marrë në telefon veteranët e tifozllëkut nga të gjitha rrethinat e qytetet dhe flisnin duke qarë në telefon. Po të isha unë si ata lojtarë do kisha ndërruar qytet. Ata kanë ndërruar 50 ekipe vetëm për para dhe s’po ndërrojnë Vllazninë. Janë të turpshëm. Jemi të tradhtuar. Kanë rënë malet dhe janë çuar halet. Të mos i afrohen Vllaznisë më dhe të largohen që të gjithë. Ka për t’i dalë fytyra e zezë. Do ta shoh edhe në Kategori të Parë Vllazninë, por jo me ato fytyra”, përfundon kryetifozi.

Senad Nikshiqi

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here