Ku shkuan premtimet e Arta Markut?

0

Arta Marku, për herë të parë kur doli përpara Komisionit të Ligjeve premtoi transparencë, por edhe ruajtjen e sekretit hetimor. Përparësi theksoi zonja Marku do të jetë promovimi i prokurorëve brenda kritereve, nxjerrjen nga kaosi ku ndodhej (në atë kohë) sipas saj organi i akuzës dhe zbatimi i reformës në drejtësi.

Por situata është krejt ndryshe: Në të paktën dy raste flagrante sekreti hetimor ka rrjedhur. I pari ishte rasti mbi “dëshmitarin X” (Babalja) dhe rasti i dytë dosja e famshme 339, në lidhje me shitblerjen e votës nga grupet kriminale.

Në këtë rast prokurorët shkuan dhe më tej. Akuzave politike të Partisë Demokratike se edhe drejtuesja e komanduar e Prokurorisë së Krimeve të Rënda ishte pjesë e përgjimeve, dy prokurorët e çështjes Vladimir Mara dhe Dritan Prençi reaguan duke hedhur poshtë një gjë të tillë.

Por si mundet që dy prokurë që hetojnë një çështje të dalin në mbrojtje të shefes së tyre, kur referuar investigimit të BIRN, për dosjen 339 janë dhe dhjetëra CD të përgjimeve për tu zbardhur?

Kësaj pyetjeje mund t’i përgjigjet vetëm zonja Marku. E sa për kaosin në organin e akuzës mund të përmendim rastin e prokurorëve të çështjes Shullazi.

Në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, shumica iu dha të drejtë dy prokurorëve Olsian Çela dhe Besim Hajdarmataj.

Si Çela, ashtu dhe Hajdarmataj fituan në gjykatë, pas përplasjeve që ata patën bashkë me kolegët e Krimeve të Rënda, kur dhe refuzuan të merrnin pjesë në një mbledhje, nga e cila duhej të vendosej me detyrim se kush do ta shpallte pretencën për Emiliano Shullazin.

E gjitha kjo solli një situatë të paprecedentë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, me dy prokurorë të transferuar në rrethe, si formë ndëshkimi, dhe 8 të tjerë me masa disiplinore. Sikur të mos mjaftonte kjo, Arta Marku e shpjegoi luftën në Prokurori përmes një letre publike, në të cilën tregoi se përse i largoi prokurorët nga Tirana, edhe pse ligji nuk e lejon të ndërhyjë pa pëlqimin e prokurorëve.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.