Home Politike Manjani: Korrupsionin nuk e heton Kryeministria dhe as FBI

Manjani: Korrupsionin nuk e heton Kryeministria dhe as FBI

0

Ish-ministri, Ylli Manjani ditën e sotme ka deklaruar se korrupsioni dhe krimet duhet të dënohen nga institucionet e reja të drejtësisë dhe jo nga institucionet qeveritare apo dhe FBI-ja.

Në një reagim në rrjetet sociale, Manjani shprehet se çdo shpikje e përkohshme për dënimin e korrupsionit vetëm sa do të amnistojë të keqen dhe e bëjnë atë më të fortë.

“Sipas Kushtetutës, korrupsionin do ta ndëshkojë Gjykata dhe Prokuroria Speciale Anti Korrupsion. Asnjë institucion tjetër as krye-ministria e brendshme e as FBI-ja! Nëse e kanë seriozisht, duhet të krijojnë SPAK. Shpikjet e përkohshme e amnistojnë të keqen. E bëjnë më të fortë…”,- shkruan Ylli Manjani.

Reagimi i ish-ministrit vjen pak pas deklaratës së Ambasadorit të SHBA, Donald Lu i cili ofroj ekspertizën e SHBA dhe prokuror të FBI për hetimin e çështjes “Tahiri” dhe çështjeve të tjera.

Edhe pse është e paqartë deklarata e ambasadorit, nëse bëhet fjalë për prokurorë apo ekspertizë, qëndrimi i diplomatit të SHBA vjen në momentin kur pritet ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë, misioni i  të cilave është hetimi  i korrupsionit në nivelet e lara.

I pyetur për hetimin e ish-ministrit, Saimir Tahiri, Donald Lu tha se “ashtu si vetë Z. Tahiri dhe shumë udhëheqës të tjerë shqiptarë e kanë thënë, kjo çështje duhet zgjidhur në gjykatë, duke shqyrtuar të gjitha faktet. Bota, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara, po e ndjek nga shumë afër këtë çështje dhe çështje të tjera sensitive, si ato të Emiljano Shullazit, Lul Berishës dhe tre gjykatësve të apelit në Durrës.

Ne kemi ofruar mbështetjen e prokurorëve federalë amerikanë dhe agjenci të zbatimit të ligjit të Shteteve të Bashkuara për t’i ofruar ndihmë teknike Prokurorisë në kryerjen e një hetimi të plotë, i cili ka për qëllim zbulimin e të vërtetës. Ne do donim të shihnim një hetim më aktiv nga prokurorët dhe policia gjyqësore, dhe e kemi përcjellë këtë mesazh. Në një demokraci të vërtetë, askush nuk është mbi ligjin”.

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here