Home Editorial Manuali i “hileve” politike të Eurovizionit

Manuali i “hileve” politike të Eurovizionit

0

Ne jetojmë në epokën e fuqisë së butë. Mbjellja e një peme me një lopatë të artë, organizimi i një turneu, ku 22 burra godasin një top rreth e rrotull, veshja e një kapele me pupla në një pritje mbretërore – këto ngjarje janë të dekonstruktuara, analizuara dhe të mbushura me domethënie.

Evropa feston këtë javë më spektakolaren nga të gjitha aktivitetet e fuqisë së butë: Festivali i Këngës në Eurovizion. Finalja do të zhvillohet në 12 maj në Lisbonë, pas dy gjysmëfinaleve, më 8 dhe 10 maj. Pas performancave të mbushura me ngarkesë politike të vitit të kaluar në Ukrainë, fokusi pritet të jetë më shumë tek muzikë.

Por ka ende shumë material për debatet e Brukselit – që nga këngët, të cilat prekin tema të mëdha si kriza e refugjatëve, lëvizjen #MeToo dhe terrorizmin, deri tek një debat mbi një “veshje elektronike” estoniane dhe tërheqjen spektakolare të gjuhës angleze.

Shumica e edicioneve janë më pak politikë se sa ai i vjetshmi, kur Rusia u tërhoq sepse këngëtarja e tyre, Julia Samoylova kishte vizituar më herët Krimenë e pushtuar. Ajo do të konkurojë këtë vit. Ukraina organizonte festivalin, pasi kishte fituar me këngën “1944”, një këngë që fliste për dëbimin me forcë të Tatarëve nga Stalini, drejt Azisë djerrë.

Këtë herë, gara është zhvendosur në Lisbonë, falë këngës së Salvador Sobral “Amar Pelos Dios”, një vals melankolik jazz, për kalimin e një zemërthyerjeje, që do të thotë se lavjerrësi po rikthehet drejt një gare e përqëndruar e gjitha në muzikën.

“Këngët portugeze kanë qenë më politiket në historinë e Eurovizionit, që nga disa këngë të cilat kritikonin diktaturën e viteve 60 dhe 70, deri tek kënga që ishte sinjal për Revolucionin e Karafilëve”, shpjegon Dean Vuletiç i Universitetit të Vienës, autor i “Evropa e pasluftës dhe Festivali i Eurovizionit”. “Por gjithmonë kanë qenë dominuese çështjet e brendshme portugeze – më duket ironike që edicioni portugez i Eurovizionit, të jetë kaq jopolitik”.

Gjithsesi, nuk është se gara ekziston në vakuum: shumë këngë kanë temë politike. Kënga e Izraelit, “Toy”, e kënduar nga Netta Barzilai, është aktualisht një prej favoriteve. Ajo përfshin fjalë si: “Grua e mrekullive, mos e harro kurrë / Ti je hyjnore, dhe ai do të pendohet” dhe “Unë nuk jam kukulla jote / ti djalë budalla”, me zërin që ngrihet në maksimum, në diçka që ngjan shumë me një kakarisje pule.

“Eshtë një këngë që shpreh forcën e gruas, dhe jam shumë krenare që e këndoj, sepse e di që shumë gra ndiejnë trysninë për të qenë, ajo që u kërkon shoqërua”, tha Barzilai për Tagesspiel.

Sipas blogut të Eurovision, autori i tekstit të këngës Doron Medalie ka thënë në një intervistë të kohëve të fundit, për një radio izraelite, se kënga ka një lidhje të fortë me lëvizjen #MeToo. Më konkrete është zgjedhja e transmetuesit portugez për të patur prezantuese të gjitha femra këtë vit.

Kënga e Francës, “Mercy” nga dueti elektro, Madame Monsieur, merret me krizën e refugjatëve. Ajo rrëfen historinë e Mercy, një bebe e lindur në mars 2017 në bordin e Aquarius, një anije humanitare e shoqatës SOS Méditerranée. Në video shfaqen njerëz me xhaketa shpëtimi në ujë dhe batanije emergjencash. Malta merret me diçka të ngjashme dhe shumë shtete të tjera kanë mesazhe për të përcjellë.

“Kënga italiane flet për terrorizmin, por këto tema mund t’i shohësh edhe në këngën daneze, atë islandeze, zvicerane, që kanë të gjitha qëndrim antiluftë”, thotë Vuletiç. “Kënga daneze flet edhe për zgjidhjen paqësore të konflikteve, ajo është frymëzuar nga një legjendë vikinge, ajo e Magnus Erlendsson”. Nuk mund të mësosh për Mbretin e shekullit të 12 të Orkneyt, duke parë “X Factor”.

Pakëz debat ka edhe në Irlandë. Dhe nuk është – si mund të ketë qenë 30 vjet më parë – për çiftin homoseksual që kërcen në video. Ka të bëjë me përdorimin e një fabrike shkrimi këngësh për të krijuar “Together”, që këndohet nga Ryan O’Shaughnessy. Ishulli i Smeraldtë ka një rekord fitoresh të Eurosong, por këtë vit shanset i kanë 200 me 1.

Janë 43 shtete që konkurrojnë, duke kapur kështu rekordet e 2008 dhe 2011. Nga këta, në finale kalojnë 26. Ata që merren me parashikimet shohin si favoritë Izraelin, Bullgarinë dhe Republikën Çeke.

Edhe Belgjika ka shanse: në një stil tipik belg, vendi ndërron përvit mes transmetuesve në gjuhën frënge dhe flaminge, duke dërguar nga një çdo vit. Këtë vit, VRT, televizioni në gjuhën flaminge dërgon Sennek me “A matter of time”.

Ka edhe të tjerë argumenta, që ndoshta do të donit t’i ngrinit, nëse rastësisht do të ndodheni në një festë të mbushur me diplomatë: Pikërisht teksa Kryeministri hungarez, Viktor Orban, u ngre qimet përpjetë zyrtarëve në Bruksel me politikat e tij, Hungaria shkon kundër rymës këtë vit, duke dërguar të vetmen këngë Metal. AWS, që e përshkruajnë veten si “grup modern metali me sjelljen e duhur”, do të këndojnë “Viszlát nyár,”, frymëzuar nga vdekja e babait të këngëtarit, me fjalë që përshkruajnë luftën dhe mendimet e një burri që po vdes.

Edhe një tjetër gjë me interes: Teksa vazhdon debati për rolin e anglishtes si gjuhë në institucione evropiane pas daljes së Britanisë, këtë vit ka shumë këngë që këndohen jo në lingua franca-n globale, (mes tyre dhe ajo e Shqipërisë). Fituesja e vitit që kaloi u këndua në gjuhën portugeze, duke treguar se mund të bëhet. Këtë vit janë 13 këngë jo në anglisht, krahasuar me vetëm 4 vitin që kaloi. A mund të jetë shenjë e një kontinenti të dominuar nga gjuha frënge, siç dëshiron ta shohë ndokush?

Marrë me shkurtime nga politico.eu – Në shqip nga Bota.al

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here