Home Opinion Mitet për të zbukuruar veten dhe ato për të shëmtuar tjetrin

Mitet për të zbukuruar veten dhe ato për të shëmtuar tjetrin

0

Ballkani është i mbushur me mite. Sepse popujve të këtyre hapësirave u është dashur të merren me diçka përtej së vërtetës që i rrethon, për të mundur ta përballojnë më lehtë atë që e jetojnë.

Pra, atyre u është dashur që edhe bëmave, si dhe heronjve që kanë marrë pjesë në to, t’ua shtojnë përmasat, t’ua zhveshin petkun e të vërtetave dhe t’i veshin atë të dëshiruarin, t’i stolisin edhe me tipare imagjinare vetëm që nëpërmjet tyre ta zbukurojnë dhe madhërojnë vetveten. Pra, popujt e Ballkanit, mbase si edhe gjithë të tjerët, kanë ngritur mite jo për të mitizuar ngjarje dhe heronjtë e vet, por për ta ngritur sa më lart mitin për vetveten.

Ballkani ka qenë dhe ka mbetur djep i përshtatshëm ku mëkohen e rriten mitet, sepse popujt e këtyre hapësirave gjithmonë kanë vuajtur për të qenë ato që do ua kishte zili e tërë bota, apo që të kenë ato tipare për çka do t’ua kishin lakmi gjithë të tjerët. Pra, popujt e këtyre hapësirave, sikurse edhe gjithë popujt e kësaj bote, kurrë nuk ia kanë dalë të jenë të kënaqur me atë që janë e atë që kanë si një parakusht për të arritur atë që ëndërrojnë, andaj gjithmonë kanë vuajtur për të munguarën dhe kanë bërë çmos të tregohen të atillë siç do të donin të ishin, të atillë siç do t’i kishin zili të huajt. Kështu që, punëtoria ballkanike për prodhimin e miteve ka “nxjerrë” shumë trima e personalitete me tipare përrallore njerëzore, por këto janë veçori që sot nuk mund t’i gjesh thuajse askund mes përfaqësuesve të popujve sypatrembur, të besës e të moralit të lartë. Këta popuj aq shumë e kanë mitizuar, për shembull, mikpritjen dhe zemërgjerësinë, sa duket se e kanë bërë vetëm sa për ta mbuluar urrejtjen që ndiejnë ndaj njëri-tjetrit, apo vetëm për t’i fshehur fytyrat vrastare që kanë mbushur varreza masive, ku nuk kanë munguar edhe kufomat e fëmijëve dhe të nënave shtatzëna, të masakruara e të vrara.

Për dallim nga popuj të tjerë, mes të cilëve nuk mungojnë as ata pa mite dhe pa data të lavdishme, pra, për dallim nga popujt që madje u duhet të hedhin vështrimin përtej hapësirave ku jetojnë për të gjetur ndonjë nga mitet që do të pëlqenin të kishin, popujt e Ballkanit thuajse as që mund të jetojnë në paqe me vetveten, pa arritur paqen me mitet që kanë ngritur. Por dhe me atë se si mitet për ta glorifikuar vetveten, po ashtu edhe ato që kanë për qëllim për ta poshtëruar dhe nxirë tjetrin, e që i kanë aty në oborrin e shtëpisë.

Po pra, të gjithë popujt sa janë në këtë Ballkan kanë mitet për ta madhëruar vetveten, me të cilat stolisen kur duan të prezantohen përpara të tjerëve dhe mitet që edhe nuk shfaqen aq hapur, që janë “për përdorim shtëpiak”, mitet që shërbejnë si ninulla për t’i trembur dhe vënë në gjumë fëmijët lazdranë apo për të treguar se me çka dallojmë “ne” nga “ata”, mitet që të tjerët duhet t’i portretizojnë ashtu siç i paragjykojmë, apo siç do të donim të ishin.

Andaj edhe mund të thuhet se ka mite që janë si stoli vezulluese dhe të shtrenjta, jo gjithmonë të bëra prej metali të çmuar, por çdoherë të lara në ujë prej ari! Pra, brendia e të vërtetave për ta është e mbështjellë me gënjeshtra joshëse, që e kanë mirëmbajtur boshtin kurrizor, si dhe dinjitetin dhe krenarinë e pjesëtarëve të një etnie apo të një feje. Dhe ndaj këtyre miteve popujt sillen si pronari i stolisë së shtrenjtë të praruar: duke e pastruar kujdesshëm atë që të mos e gërvishtin, ngaqë mund edhe të ndryshket. Dhe atë jo gjithaq pse do e dëmtojnë stolinë (lexo: mitin), por pse kështu do mund ta dëshpërojnë pronarin që e ka ruajtur atë si diçka më të shtrenjtë që ka pasur dhe me të cilën është stolisur në ditë kremteje. Por ka edhe mite që janë e kundërta e të lartpërmendurve, që ne i ndërtojmë për të tjerët apo për nevoja politike e që gjithashtu mund të jenë shumë të frytshme për ta çuar një popull përpara, por edhe shkatërrimtarë nëse bëhen mure të kalasë së urrejtjes ndaj të tjerëve. Edhe kur jemi te këto mite, duhet thënë se popujt e Ballkanit i kanë me shumicë dhe ato shpesh janë përdorur sa në betejat e ndërsjella politike, po aq edhe në luftërat e përgjakura, përfshirë edhe ato të fundshekullit të nëntëmbëdhjetë, kur populli që e kishte shpallur vetveten si të shenjtë – ai serb – filloi betejat e përgjakshme kundër atyre që gjatë dekadave i kishte mitizuar si trashëgimtarë të osmanlinjve dhe ndaj të cilëve duhej t’i vazhdojë betejat e humbura nga e kaluara, përfshi edhe atë të Kosovës. Pra, nisi betejat e përgjakshme kundër të gjithë popujve me përkatësi fetare joortodokse e kryesisht kundër atyre me përkatësi fetare myslimane.

Dhe mbase mitet janë e vetmja lëmi ku ballkanasit mund edhe të ndihen superiorë dhe më të pasur e më të zhvilluar sesa popujt e tjerë të Europës. Sa u përket miteve, as “populli i filozofisë” – ai gjerman – vështirë se mund të bëjë gara me cilindo popull të Ballkanit. Madje, atij nuk i bën punë as miti për Barbarosën, që fle në shpellë dhe çdo 100 vjet zgjohet dhe e dërgon xhuxhin e vet jashtë që të shohë nëse korbat vazhdojnë të vërtiten mbi mal e me çka do ta kuptonte se a ka ardhur koha ta braktisë shpellën dhe si sundimtar i ditur të kujdeset për rendin. Sikur ai të jetonte në ndonjë shpellë ballkanike, kurrë nuk mund të bënte gjumë të qetë si në viset gjermane, ku të gjithë punojnë dhe ruajnë rendin e qetësinë, për dallim nga këto hapësira, ku komunikimi rrugor nga bredhin mitet është aq i ngarkuar, sa askush më nuk e kupton se kur dhe pse ndeshen e vërteta me gënjeshtrën.

Ndërkohë, duhet pranuar se nga gjithë popujt e Ballkanit, serbët janë të patejkalueshëm sa i përket “prodhimtarisë” së miteve. Si mitet për ta madhëruar të vërtetën, po ashtu edhe ato për ta përbuzur apo edhe për të treguar sa më të shëmtuar tjetrin. Duke qenë të tillë, ata, për shembull, ende janë duke vazhduar Betejën e Kosovës, duke i shpallur ushtarë të mbetur të Perandorisë Osmane të gjithë myslimanët e këtyre hapësirave. Po pra, punëtoritë serbe për prodhim të miteve janë të afta që nga cilado betejë e tyre e humbur, si dhe nga më i madhi dështim i tyre, me lotët dhe pikëllimin e disfatës që kanë pësuar, të gatuajnë brumë të mjaftueshëm për mitin, i cili jo vetëm që do t’i ngushëllojë përjetë, por edhe do t’u mundësojë që humbjen ta ndiejnë më madhërishëm se cilëndo fitore. Kjo i bën “baballarët”e këtij populli të mos e fshehin fare se gënjeshtra është një nga shtyllat kryesore mbi të cilat qëndron e “vërteta” për të shkuarën e këtij populli, siç nuk e fshehin as mjeshtërinë si t’i përdorin mitet në betejat politike dhe se si edhe gënjeshtra më e pabesuar, por e përsëritur qindra herë me radhë, një ditë do të tingëllojë si e vërtetë, duke e shlyer kufirin e asaj që e ndan nga mashtrimi. Kështu pra, serbët kanë mundur që edhe në shtëpi publike të gjejnë një prostitutë të virgjër, të cilën pastaj aq e kanë mitizuar, sa e kanë ngritur në rrafshin e “murgeshës”, e cila pastaj ka shërbyer si shembull për moralin dhe vlerat familjare.

Dhe sa i përket Maqedonisë se sotme, që nesër do të quhet Maqedonia Veriore dhe popullit të sotëm maqedonas që jeton në të, e që nesër mbase do të quhet sllavo-maqedonas verior, ajo është si një Ballkan i vogël ku jetojnë, të vëllazëruara e madje edhe të birësuara, të gjitha mitet e popujve të këtij gadishulli. Të krijohet kështu përshtypja se sllavo-maqedonasit janë treguar shumë më të gjindshëm se gjithë popujt e tjerë: duke e parë begatinë e këtyre hapësirave sa u përket miteve, ata kanë ndjekur rrugën më të lehtë për t’u pasuruar me to: të mos lodhen me krijimin e miteve të reja, por të birësojnë e të huazojnë nga popujt sivëllezër sllavë, të cilët pastaj i kanë mëkuar e rritur në djepin e vet etnik.

Dhe nëse është plotësisht e kuptueshme që popullin që ka trilluar Vilhelm Telin (i cili qëllon me shigjetë mollën mbi kokën e njeriut) ta dallojë saktësia, pra prodhimtaria e orëve dhe drejtimi i bankave, një populli të vogël si ai sllavo-maqedonas, që ende është duke gjurmuar të shkuarën e vet, do të ngrinte apo do të huazonte mite që do t’ia shpërfaqnin dëshirën për të qenë më ndryshe dhe më të madhërishëm se ata që e akuzonin dhe e akuzojnë se ua ka vjedhur jo vetëm mitet, por edhe të vërtetën historike.

Sllavo-maqedonasit kanë mitin për “Dojçinin e sëmurë”, për të cilin kujdeset motra e tij – e që e kanë, por me emër tjetër, thuajse të gjithë popujt e Ballkanit, siç e kanë edhe mitin për Kralin Marko që i ka mposhtur të gjithë ata që ia kanë prerë udhën, edhe mitin për ndërtimin e kalasë që shembet gjatë natës… Pra, sllavo-maqedonasit kanë aq shumë mite sa i është dashur pyllit të fantazisë për ta mbuluar kodrën e përtejme të dëshirave dhe ëndrrave. Por, mbi të gjitha, ata kanë edhe mite të ngritura gjatë dekadave të fundit e që kryesisht i kanë ndihmuar në betejat politike dhe në orvatjet që ky popull ta përcaktojë identitetin e vet etnik. Dhe këto mite kryesisht kanë të bëjnë me shqiptarët dhe thuajse kanë pasur vetëm një qëllim: që te maqedonasit ta nxisin përkushtimin dhe inatin për t’u bërë popull. Me çka edhe të krijohet përshtypja se ata edhe u bënë popull për inat të shqiptarëve.

Pra, edhe sllavo-maqedonasit, krahas miteve me të cilat e rrisin famën për vetveten, apo me të cilat duan të theksojnë atë që u mungon, pra krahas miteve që janë banorë të njohur të Ballkanit, ata kanë edhe mitologjinë që u shërben në betejat politike e që shpeshherë edhe të pashpërfaqur publikisht përpara të tjerëve, por që me përkushtim i ruajnë dhe i kultivojnë. Pra, edhe ata si edhe shumë popuj tjerë, kanë trilluar mite për ta stolisur vetveten e që t’ua tregojnë lirshëm të tjerëve, por edhe mite për “nevoja shtëpiake” e që kryesisht kanë të bëjnë me rritjen e paragjykimeve, e madje edhe urrejtjes ndaj të tjerëve, kryesisht ndaj shqiptarëve dhe popujve me përkatësi fetare joortodokse.

Shkolla sllavo-maqedonase për përdorimin e miteve është degë e asaj të Beogradit. Andaj edhe mitet për tjetrin si “të keq” dhe “armik të përjetshëm”, i cili duhet luftuar deri në shfarosje, janë ato mite që e bartin kullën e vetëmashtrimit se për shëmtinë tënde, fajtorë janë ata me të cilët bashkëjeton. Kjo mitologji, ngaqë nuk ka të bëjë me vetveten, por me të tjerët, duhet edhe t’i shfaqë të tjerët ashtu siç i paragjykojmë ne, apo siç do të donim të ishin. Dhe kështu kanë lindur mitet për “magjupen” që vjedh foshnjat, të cilave pastaj ua pi gjakun, si dhe miti për shqiptarin e tmerrshëm, i cili për një fjalë goje të ther, rrëfime me të cilat i vëmë në gjumë fëmijët e padëgjueshëm.

Sa i përket mitit të rritur në djepin antishqiptar serb, të cilin pastaj sllavo-maqedonasit e kanë birësuar dhe e kanë “stilizuar” për nevoja të veta e që ka të bëjë me “shqiptarin e rrezikshëm dhe të pabesë”, i cili është i mirë vetëm i vdekur, ai është ndër më të përdorurit dhe atij madje i janë kënduar edhe këngë, siç është për shembull kënga për “shqiptarët katilë që e kanë rrethuar Manastirin e Leshokut”. Në këtë grup mitesh bën pjesë edhe ai për “turqit e mallkuar”, mit që i ngjan atij tonit për “osmanlinjtë”, që na bën dembelë dhe që na lanë të prapambetur, me çka të tjerët i fajësojmë për veset tona të këqija dhe vetëgënjehemi se do të ishim më të bukur e më të shkathët po të kishim bashkëjetuar me të tjerë dhe sipas një kalendari krejt ndryshe nga ai që i takon të kaluarës së popullit tonë.

Duke qenë një popull që është duke ndërtuar rishtazi të kaluarën e vet, pra duke e arnuar të shkuarën herë me sllavët e jugut, -por vetëm kur duan të tregohen si nipër të Shën Kirilit e Naumit, – apo duke e veshur me petkun antik maqedonas – kur duan të vetëshpallen nipër të Aleksandrit të Madh, sllavo-maqedonasit nuk i kanë të përjetshme as mitet. Dhe siç është cekur më lart, ky popull më të përfaqësuar i ka mitet e dekadave pas rënies së Perandorisë Osmane, ato nëpërmjet të cilave është munduar ta tregojë vetveten si popull biblik dhe si epiqendër nga rrezaton njerëzorja. Dhe për ta sforcuar këtë mit për vetveten si popull biblik, ata kanë ngritur edhe mitin për zilinë që ua kanë të tjerët, si dhe mitin se për shkak të kësaj zilie të gjithë popujt e Ballkanit, e madje edhe të Europës, e duan shfarosjen e këtij populli.

Mitkrijuesve të popullit maqedonas nuk u ka munguar material krijues as për mitet lidhur me padrejtësitë që këtij populli i janë bërë dhe që vazhdojnë t’i bëhen nga fuqitë e mëdha të botës. Kur bëhet fjalë për këtë viktimizim të tyre, sërish shqiptarët janë shkaku për të cilët bota tregohet e padrejtë ndaj sllavo-maqedonasve. Ndërkohë, bie në sy një fenomen i palogjikshëm sa i përket mitit politik për shqiptarët, si rrezik i natyrshëm për sllavo-maqedonasit: edhe kur ata vajtojnë nga vuajtjet e shkaktuara nga serbët, grekët e bullgarët, përsëri shajnë shqiptarët. Mbase pse nëndija u thotë se nuk guxojnë t’i shajnë e ofendojnë popujt nga historia dhe mitologjia e të cilëve është arnuar edhe ajo maqedonasja.

Sidoqoftë, duhet ripërsëritur se popujt e Ballkanit kanë një tipar të përbashkët: nëse do t’i lavdërosh e t’i bësh të ndihen mirë, nuk duhet t’u thuash sa të mirë janë ata me të cilët bisedon, por sa trima dhe sa bujarë kanë qenë gjyshërit e tyre të dikurshëm. Si dhe t’ua respektosh mitet me të cilat stolisen. Pra, popujt e Ballkanit më shumë jetojnë në të shkuarën sesa në të sotmen e vet, andaj edhe natyrshëm ata më mirë komunikojnë me mitet, sesa me realitetin. Andaj edhe ata nuk ofendohen gjithaq nëse u thua se gjeneratat e sotme nuk vlejnë gjë, se janë një turmë pa portret të qartë kolektiv, se përpos së kaluarës dhe miteve të lavdishme, nuk kanë asnjë vlerë me të cilën mund ta identifikosh të sotmen e tyre. Por ata lëndohen lehtësisht nëse ua zhvlerëson të kaluarën, nëse ua shan rrënjët nga është rritur filizi i tyre, që sot është bërë degë etnike. Disa popuj të Ballkanit, duke jetuar në të sotmen e mjegullt dhe duke ecur drejt së ardhmes së paqartë, më mirë ndihen të mbyllur në zgafellën e së kaluarës dhe në kalanë e miteve, ku ritregojnë rrëfimet për gjyshërit e tyre, për lavdinë edhe të heronjve të paqenë, duke harruar se çdo veprim i tyre i sotëm është farë nga do të mbijë bima e ardhmërisë, që do përcaktojë fatin e nipave të tyre. Dhe kështu, këta popuj kanë mbetur në gropën e rrethuar nga brigjet e të sotmes së paqartë dhe të kaluarës së mjegullt, e kaluar e cila thuajse gjithmonë është ndërthurje e të vërtetave dhe miteve. Edhe sot, pra, kur lexon librat historikë të tyre, ke përshtypjen se je duke shfletuar ndonjë përmbledhje me përralla popullore, në të cilat gërshetohet edhe ndonjë ngjarje e vërtetë.

Kështu pra, thuajse të gjithë popujt e Ballkanit më mirë ndihen nën flladin e lavdisë së gjyshërve të tyre dhe të heronjve mitikë sesa në rrugën e së sotmes dhe asaj që duhet t’i çojë drejt së ardhmes. Dhe si të tillë, ata më shumë i përkushtohen stolisjes dhe mirëmbajtjes të së shkuarës, sesa jetësimit të ëndrrave të tyre për të ardhmen. Por, edhe kështu, thuajse asnjë popull i Ballkanit nuk ka shkuar aq larg sa të bëjë atë që sot bëjnë ata që veten e quajnë maqedonas etnikë: të ndryshojnë kalendarin e së kaluarës së vet sikur ai të jetë pemë “sezonale”, të cilën mund ta shkulësh e ta mbjellësh në cilën arë të duash, thuajse është pemë, degët e së cilës mund t’i shartosh në cilindo trung që të pëlqen.

Edhe pse shumë popuj të këtij Ballkani kanë stolisur të kaluarën e vet me çka kanë mundur, askush nuk ka bërë atë që bëjnë sot ata që veten e quajnë maqedonas etnik: kohë pas kohe të ndërrojnë edhe certifikatën e lindjes, të korrigjojnë emrat e gjyshërve të tyre, edhe këtë në varësi të rrethanave politike të ditës dhe sa herë që u mbushet mendja se të atillë siç janë, meritojnë paraardhës më të famshëm se ata të që me të vërtetë i kanë, se janë nipër, të cilëve nuk u ka hije cilido gjysh. Gjë të cilën e dëshmojnë dhe librat ku shkruhet për historinë e sllavomaqedonasve.

Pra, ata që veten sot e quajnë maqedonas, mbase së shpejti sërish do duhet ta rishkruajnë historinë, ndoshta edhe duke i adaptuar ato të deritashmet, e ku mbase kaptinë më interesante do jetë ajo që do shpjegojë se çka ndodh me mitet dhe historinë kur ato bëhen shërbëtorë të politikës së ditës. Në këtë libër, çdo gjë do të jetë më ndryshe nga gjithë ajo që do të mbetet edhe më tej në librat e mëparshëm të historisë së këtij populli, me të cilat mësonin gjeneratat e deritanishme maqedonase e në të cilat thuhej se ata janë pasardhës të sllavëve të jugut. Në librin e fundit të “Historisë së popullit maqedonas”, trungu etnik përshkruhej krejt ndryshe nga ai mbi të cilin deri dje rriteshin degët e këtij populli. Pra, në historinë më të re dhe të korrigjuar thuhet se maqedonasit e sotëm janë fëmijë të adoptuar në familjen e sllavëve të jugut, familje e cila, me xhelozi të paparë, e ka fshehur të vërtetën se cilët kanë qenë të parët e tyre të natyrshëm. Andaj, sipas autorit të këtij libri, ka ardhur çasti kur atyre u duhet thënë se jo rastësisht janë atë që janë popull, të cilit ia kanë zili të gjithë, popull që të gjithë duan ta përvetësojnë vetëm pse janë nipërit e Aleksandërit të Madh.

Nuk ka dyshim se ata, që veten sot e quajnë maqedonas etnikë, mund ta ndërrojnë historinë e tyre edhe dy herë në vit dhe mund të pasurohen me mite aq sa ua mundëson imagjinata. E kjo të mos u hyjë në punë shqiptarëve të këtushëm. Por, gjithashtu, nuk ka dyshim se duke gjurmuar të kaluarën e vet, duke e arnuar historinë e vet me mbeturinat e mbledhura nga e kaluara e popujve të Ballkanit, ata që sot veten e quajnë maqedonas etnikë, shtetin e fusin gjithnjë e më thellë në mosmarrëveshje me fqinjët, e me çka e mbajnë peng të ardhmen e vendit ku jetojnë popuj, të cilët duan që ardhmërinë ta kenë po aq të qartë sa e kanë të qartë edhe të kaluarën e tyre. Pra, duke pasur të paqartë të kaluarën e vet, sllavomaqedonasit thuajse e mbajnë peng edhe të ardhmen e shqiptarëve të këtushëm, të cilët jo se nuk kanë çka të korrigjojnë në librat e tyre historikë që ua shkruan ideologët komunistë, por gjithsesi nuk kanë mëdyshje si u degëzohet trungu gjenetik dhe cilët janë gjyshërit e tyre.

ngritur një popull, paraqesin edhe historikun e andrallave të kota të atij populli. Ato janë pasqyrë e thyer ku populli nuk sheh më as fytyrën e vërtetë të gjyshërve të vet, as portretin e gjeneratave të sotme, por ku shihet qartë e vërteta se popujt që nuk kanë vullnet dhe aftësi të ndryshojnë të mundshmen- të sotmen dhe të ardhmen e vet, se popujt që harxhojnë kohë, duke u marrë me të pamundurën – me korrigjimin e të kaluarës së vet, janë popuj të pakënaqur me atë që janë dhe atë që kanë.

Gjithashtu, mbetet edhe e vërteta se popujt e vegjël kanë histori të ngatërruar, sepse o atë e kanë përplot me mitizime dhe glorifikime të pamatura, madje, të arnuar nga historitë e popujve tjerë, o e kanë të diskutueshme për shkak se zaptuesit e mëdhenj, pa i pyetur, kanë përvetësuar edhe pjesë nga e kaluara e tyre. Kjo veçanërisht vlen për popujt e Ballkanit, ku historitë shkruhen sipas parimit: “të gjithë heronjtë e vlefshëm janë me përkatësinë tonë etnike, e personalitetet negative nuk kanë gjakun e popullit tonë”. Andaj edhe ballkanasit nuk janë në grindje vetëm për shkak të së sotmes, por edhe për arsye se të kaluarën e kanë po aq të ngatërruar sa edhe ëndrrën për ardhmërinë. E që shpeshherë i bën të duken si kopshtarë të cilët nga kopshti ku kanë mbjellë ferra, presin të vjelin qershi.

Si shoqëri me tipare më të dukshme ballkanase dhe e ndodhur në vetë kërthizën e këtij gadishulli, Maqedonia ishte dhe mbeti e ngatërruar në historinë e popullit shumicë që jeton në këtë shtet – në atë të etnitetit sllavo-maqedonas. Ajo pra mbeti pa fizionomi të qartë, për shkak se edhe vetë populli shumicë në këtë shtet ka portret me tipare të papërcaktuara dhe ka histori, ndaj të cilës shumëkush sillet si ndaj xhepit të vjedhësit, ku mund të gjesh shumëçka të vlefshme, por të vjedhur nga thesari historik i popujve fqinjë. Andaj edhe ky shtet tani paguan çmimin e popullit që të lë përshtypjen e fëmijës, që e di lagjen ku ka lindur, por nuk e di se cilët i ka prind. Me çka edhe shteti mbeti peng i ambicieve të etnitetit sllavo-maqedonas, e për të cilin thuhet sa ka huazuar emrin që u takon grekëve, ka përvetësuar gjuhën bullgare, duke e bastarduar atë me serbizma, ka arnuar historinë me mbeturina të mbledhura nga popujt fqinjë, kështu që tani ndodhet aty ku është sot – jeton me ëndrrat e ngatërruara për të ardhmen dhe me ndjenjën se të gjithë nuk e duan për shkak të së kaluarës së famshme. Dhe i pruri qytetarët jomaqedonas të këtij shteti të ndihen peng i historisë së tyre.

Mbase të gjithë ballkanasit, përfshi këtu edhe ata që veten e quajnë maqedonas etnikë, kanë të drejtë të ëndërrojnë dhe t’i mbeten besnikë ëndrrës së tyre etnike. Por, vetëm nëse ambiciet e tyre nuk bëhen pengesë për realizimin e ëndrrave të popujve tjerë që bashkëjetojnë me ta në të njëjtin shtet. Apo, nëse ëndrra dhe miti nuk i largon nga realiteti aq sa të mos e shohin se shteti i quajtur Maqedoni nuk është fole ku do të çelë vetëm e ardhmja e një populli, por e të gjithë atyre që jetojnë në të. Se ky shtet ndoshta ekziston më shumë për shkak të shqiptarëve, sesa i etnitetit maqedonas. Dhe si i tillë, ka për obligim të kujdeset edhe për ruajtjen e vlerave etnike të jomaqedonasve, se emri, si edhe çdo gjë që ka të bëjë me këtë shtet shumetnik, shumëreligjioz e shumëkulturor nuk mund të jetë pronë e vetëm një etniteti, por e të gjithë atyre që jetojnë në të.

Tani, kur Maqedonia përfundimisht duhet të bëjë ndryshimin e emrit të vet kushtetues, shihet më qartë se kush, si e ndien këtë shtet. Shihet pra se maqedonasit etnikë e mendojnë si fole ku o do të mëkohet, o do të zhbëhet identiteti i tyre kombëtar, e të tjerët e ndjejnë si kreaturë të përkohshme, e cila mbase ende nuk i ka bë të gjitha ndryshimet e duhura dhe një ditë, do të pësojë edhe shfytyrime të tjera më të thella se emri. Ky përfundim edhe mund të jetë i gabuar, por gjithsesi është i vetmi që ka logjikë, nëse vlerësohet sjellja e etniteteve që jetojnë në këtë shtet. E posaçërisht sjellja e shqiptarëve të këtushëm, të cilët mbetën indiferentë edhe në vitet kur Maqedonia ndryshoi Kushtetutën dhe flamurin për shkak të kërkesave greke, edhe sot kur vendoset për emrin e shtetit ku ata bashkëjetojnë me të tjerët. Sjellje e cila mund të ketë vetëm dy domethënie: ose askush nuk i pyet për asgjë, ose asgjë nuk u intereson sa i përket të ardhmes së këtij shteti, dhe mendojnë se “rinovimi” i plotë i shtëpisë do të bëhet pasi të kalojë shtrëngata që ka kapluar Ballkanin. Pasi elitat politike të etnitetit maqedonas ta kuptojnë se qëndrueshmëria e shtetit nuk varet nga mitet që ata kanë ngritur për vetveten dhe të tjerët, por nga të kuptuarit se nuk ka fat populli i cili beson se mund ta rindërtosh të shkuarën dhe se mitet ndërrojnë adresën e lindjes posa shpërngulen në lagje të re.

Marrë nga “Medius”

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.