Home Editorial Mos prisni që Ballkani Perëndimor të shpërthejë sërish, por veproni

Mos prisni që Ballkani Perëndimor të shpërthejë sërish, por veproni

0

Nga Wesley K. Clark

Kanë kaluar mbi dy dekada që kur së bashku me Richard Holbrooke dhe ekipin tonë negociuam për t’i dhënë fund luftës në Bosnjë. NATO më pas ndërhyri e veproi për të ndaluar spastrimin etnik serb në Kosovë.

Sot, tre vende të Ballkanit Perëndimor (Kroacia, Shqipëria e Sllovenia) janë bërë anëtare të NATO-s. Kroacia e Slovenia kanë hyrë në Bashkimin Evropian. Kosova është tani vend i pavarur. Shumica e amerikanëve dhe evropianëve mendërisht e kanë arkivuar atë konflikt brutal si një problem i zgjidhur.

Fatkeqësisht, kjo është shumë larg nga e vërteta. Konfliktet politike që qëndrojnë pezull mbi karakerin etno-fetar të këtyre vendeve kërcënon seriozisht të përhapet në kriza kombëtare dhe rajonale, duke e bërë rajonin objektiv parësor për fuqitë e huaja që ndërhyjnë. Një përzierje eksplozive e qeverisjes së keqe, stanjacionit ekonomik dhe institucioneve të dobët demokratikë ka lënë një pakicë të vogël po domethënëse të brishtë përballë rekrutimit nga xhihadistët e dhunshëm. E gjitha kjo e lë rajonin gati për shfrytëzim nga organizatat terroriste dhe për ndërhyrje nga vendet e tjera, përfshirë Rusinë, Kinën e Turqinë.

Si për t’i përkeqësuar gjërat, rajoni vuan nga neglizhenca e demokracive që ishin instrumentale në përfundimin e luftës në ish-Jugosllavi. Duke besuar se e ardhmja demokratike e Ballkanit shtrihet në anëtarësinë në BE, Shtetet e Bashkuara ia dorëzoi Brukselit përgjegjësinë për zhvillimin politik, ekonomik dhe institucional të rajonit. Megjithatë, intertësia poltike brenda BE i ka mbajtur Bosnjën, Serbinë, Malin e Zi, Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë në pritje. E teksa SHBA dhe Evropa flenë, fuqi të tjera përfitojnë.

Kremlini po e rrit qëndrueshëm influencën. Rusët po punojnë për fermentimin e ndjenjave anti-BE dhe anti-NATO. Ata përkrahin grupe ekstremiste (një prej të cilëve është nën hetim në Bosnjë i dyshuar për veprimtari paramilitare) dhe japin ndimha ushtarake. Kremlini i ka fryrë edhe zjarrit të përçarjes etnike përmes fushatave keqinformuese që vënë popullatat ortodokse kundër muslimanëve, duke rritur qëllimisht tensionet që nxitën luftërat në ish-Jugosllavi në vitet ’90.

Ndërkaq, Turqia dhe vendet e Gjirit Persik po investojnë fuqishëm në Ballkanin Perëndimor. Turqia është investuesi i tretë më i madh në Bosnjë dhe lideri i partisë kryesore muslimane boshnjake udhëton rregullist drejt Stambollit për të përfituar nga rasti për foto me presidentin autoritar në rritje Recep Tayyip Erdogan.

Arabia Saudite dhe fqinjët e saj në Gjirin Persik i kanë përqendruar kontributet në përkrahjen e organizatave fetare, duke ndërtuar xhami të reja dhe ofruar instruksione fetare për hoxhallarët vendas. Interpretimi strikt Wahhabi i Islamit që shpesh është baza e një trajnimi të tillë pak lidhje ka me traditën e moderuar që është praktikuar në Ballkan prej shekujsh dhe ka pasur lidhje rritjen e fondamentalizmit në rajon.

Vlerësohet se 1000 luftëtarë të huaj (kryesisht nga Kosova e Bosnja) kanë luftuar me Shtetin Islamik në Siri dhe Irak. Ndonëse numri i luftëtarëve të huaj nga Ballkani shkon në zbritje, mjedisi ku këta individë u radikalizuan dhe brishtësia përballë rekrutimit në segmente të popullatës vazhdojnë të jenë shqetësuese. Problemi i rintegrimit të luftëtarëve të kthyer është një sfidë edhe më e madhe.

Së fundi, edhe Kina po kërkon të rritë influencën në rajon. Nën iniciativën “Një brez, një rrugë”, Pekini është i gatshëm të ofrojë investime kapitali të mëdha për të financuar projektet aq të nevojshëm të infrastrukturës në Ballkan. Por, siç e kemi parë në Afrikë, të tilla investime e kanë gjithmonë nga një bisht prapa.

Pa disikutim, SHBA dhe Evropa duhet të vazhdojnë t’i përkushtohen Ballkanit Perëndimor, duke vënë theksin në fuqizimin e institucioneve demokratike në mënyrë që qeveritë të merren me nevojat e qytetarëve të tyre.

Një zonë e lirë tregtare në Ballkanin Perëndimor, e propozuar së fundmi nga një prej liderëve të rajonit, mund të ishte një hap në drejtimin e duhur. Por një iniciativë e tillë nuk duhet parë si zëvendësues për garancitë potenciale të dhëna nga NATO dhe BE. Një udhëzues serioz për hyrjen në BE do t’u jepte vendeve të rajonit shtysat për të bërë reformat e nevojshme ekonomike dhe poltike, për të rritur bashkëpunimin dhe për të punuar për tensionet ndëretnike në rritje.

Sigurisht, përpjekje të tilla kanë nevojë për përkrahje popullore për të ecur përpara, një sfidë në një rajon ku popullatat mbeten qartësisht të ndara në qëndrimet kundër institucioneve si NATO.

Megjithatë, sipas një sondazhi të fundit, ndonëse boshnjakët me background serb, kroat dhe musliman janë të ndarë në shumë çështje, ata janë të bashkuar në kundërshtimin e Shtetit Islamik dhe në dëshirën për zgjidhjen e problemeve ekonomike. Anëtarësia në NATO do të ishte më e lehtë t’u shitej serbëve etnikë të rajonit (që kanë tendencën të jenë pro-rusë e anti-NATO) nëse anëtarësia do të ndihmonte në stabilizimin e rajonit.

Mund të sigurojmë që miliarda dollarë të taksapaguesve të investuar në këtë rajon nuk janë harxhuar kot duke mbështetur punën e implementuesve të zhvillimit të demokracisë, të tillë si Instituti Demokratik Kombëtar dhe Instituti Ndërkombëtar Republikan. E kemi parë rëndësinë e vazhdueshme të kësaj pune me iniciativa të tilla si Task Force për Kundër-Ekstemizmin, e cila ndihmon ligjbërësit në Bosnjë t’i përshtaten sfidës së madhe të ekstremizmit të dhunshëm.

Kemi shumë instrumente në dispozicion për të shmangur destabilizimin e Ballkanit Perëndimor. Le të sigurohemi që nuk do t’i çojmë dëm investimet kolosale që kemi bërë në këtë rajon të trazuar dhe le të rinovojmë përkushtimin për të ndihmuar këto demokraci të brishta të arrijnë potencialin e tyre të plotë.

Marrë nga Washington Post-/Syri.net/

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here