Ndue Kola: E vërteta mbi koncensionin Milot-Balldre

Intervistë me zotin Ndue Kola, drejtor i përgjithshëm i kompanisë “ANK”, kompani e cila ka fituar tenderin për koncensionin e rrugës Milot-Balldre. Për hir të transparencës në raport me akuzat e PD dhe LSI për këtë koncension, po botojmë edhe variantin sipas inxhinierit Ndue Kola, që është edhe drejtor i përgjithshëm i ANK-së. 

 

Pyetje 1:  Sa është e vërtetë akuza e djeshme e Presidencës për 52 milionë euro korrupsion i hapur nga Qeveria për koncensionin e autostradës Milot-Balldre?

 Përgjigje: Në lidhje me këtë pyetje, ju lutem, mund të pyesni Qeverinë, pasi unë nuk e di si u ka dalë kjo shifër atyre dhe pse pikërisht 52 milionë e jo 60 milionë euro ose 50 milion korrupsion?!  Por më e logjikshme mbetet që unë duhet të shpjegohem pse paraqita interes për këtë objekt me koncension dhe shumë detaje të tjera në lidhje me këtë kontratë.

Pyetje 2: Duhet të më shpjegosh mua për publikun, apo kryeministrit Rama se pse shprehe interes për këtë objekt rrugor?

Përgjigje: Përgjigjen po e jap për publikun dhe për gazetën tuaj që ka akuzuar për këtë objekt, si shumë media të tjera, të cilat sipas meje nuk kanë asnjë bazë dhe realitet. Qeverisë i kam bërë kërkesë me shkrim dhe ia kam shpjeguar pse paraqes interes për ndërtimin e rrugës Milot-Balldre. Ju saktësoj se me datë 16 shkurt 2017, me numër shkrese 565 drejtuar Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, për dijeni Drejtorisë së Koncensionëve pranë Ministrisë së Financave, kam dorëzuar dokumentacionin “mbi shprehje interesi dhe propozim për “projektimin-ndërtimin- financimin- operimin dhe mirëmbajtën e rrugës Milot-Balldre”.  Ky interesim i imi lindi pas deklarimit në mënyrë publike që bëri kryeministri në hotelin “Sheraton” me biznesin dhe bankat e ku shpalli fondin 1 miliard euro për ndërtimin e rrugëve dhe shkollave me formën partneritet publik dhe privat (PPP).

Pyetje 3: Pse pikërisht për këtë aks rrugor e jo diku tjetër? 

Përgjigje:  Ka disa arsye: 

E para, e njoh këtë territor, sepse kam bërë ndërtime objektesh të tjera.

E dyta dhe më kryesorja për ne si privat është se në këtë zonë kemi në pronësi të kompanisë tonë një nyje inertesh dhe pronë tokë të blerë që në vitin 2007, kur ideja për PPP-të nuk ekzistonte për mua. Pra, kam një kantier shumë të rëndësishëm që i shërben totalisht ndërtimit të këtij objekti, pasi sigurojnë prodhimin e të gjitha inertëve dhe materialëve mbushëse që i shërbejnë dhe i nevojiten këtij objekti (prodhojnë rërën, granilin, zhavorrin, çakëllin, stabilizantin, filerin,etj). Kryesorja e këtij aseti në pronësi, përveç të tjerave, më siguron rendiment dhe ritëm në punë pa ndërprerje, sepse nuk jam varësi të tjerëve, që ka apo nuk ka inerte të prodhuara (dhe kjo nyje e bazë inertesh ndodhet në distancë 1.5 km nga aksi i rrugës që do të ndërtohet).

E treta, duke pasur parasysh eksperiencën tonë si kompani mëse të mjaftueshme në ndërtimin e rrugëve, si dhe makineritë e nevojshme dhe nyjet e prodhimit si fabrikë për prodhimin e asfaltit, fabrikë për prodhimin e betonit, nyje për prodhimin e intertëve fikse (nyja e Milotit) dhe mobile në pronësi të kompanisë. Njëkohësisht, disponojmë numrin e punonjësve dhe stafin e nevojshëm në fushën e ndërtimit të rrugëve.

E katërta, për ne ishte se Qeveria do ta kishte më lehtë pranimin e një aksi të tillë, pasi ky aks rrugor është krejtësisht në aksin Adriatiko-Jonian, që fillon në Trieste (Itali)-Kroaci-Mal të Zi-Muriqan dhe vazhdon deri në Kakavijë të Gjirokastrës. Po kështu, kisha parasysh edhe ndërtimi i një bypassi për qytetin e Lezhës, por që i shërben përveç Lezhës edhe krejt Veri-Perëndimit të vendit. Pra, ky bypass lehtëson përfundimisht lëvizjen për në plazhin e Velipojës, qytetin e Shkodrës, Malësinë e Madhe, Pukës dhe pikat kufitare të Muriqanit edhe Hani i Hotit.

Pyetja 4: Të gjitha këto që sapo me rreshtuat, duan një profesionalizëm krejtësisht perendimor në fushën e autostradave. A mund të thoni ju se ku keni ndërtuar tjetër, pasi flisni me kaq kompetencë? 

Përgjigje:  Siç thashë edhe më sipër kam eksperiencë të plotë në fushën e infratrukturës rrugore. Dua të theksoj se kompania jonë është krijuar që në vitin 1998 dhe vazhdon aktivitetin edhe sot në këtë fushë, me një rritje graduale nga viti në vit. Konkretisht, një rrugë të tillë, kategoria A (autostradë) kam ndërtuar në rrrugën e Kombit (loti 5) në vitin 2006 në kohën e pushtetit të PD-së si kontraktor me qeverinë shqiptare, ku gjatësia totale ka qenë 5.8 km me një fond prej 12 milion euro. Njëkohësisht, kam ndërtuar edhe rrugë të tjera si rruga Ura e Dajlanit-Plepa, loti parë, viti 2004; rruga Qeparo-Sarandë (viti 2007), ndërtimi i rrugës Gjiri Lalzit me shumë vepra arti me gjatësi 22,2 km (viti 2006), sistem-asfaltim rruga Korçë-Ersekë (loti parë) me gjatësi prej 17,5 km, ndërtimi segmentit Lukovë-ShënVasil, ndërtim rruge Zemblaku deri në Prepë me gjatësi 20 km, unaza e qytetit të Pogradecit, dhe rrugë të tjera në qytete të ndryshme, etj. Pra, kam një eksperiencë mëse të mjaftueshme për aksin Milot-Balldre, pavarësisht se ka një tunel 850 metra për të cilin disponoj të gjitha makineritë e nevojshme për ndërtimin, si dhe personelin inxhiniero-teknik që kanë eksperiencë në ndërtim tunelesh.

Pyetje 5: Dakort për CV e kompanisë në lidhje me akset rrugore, por e dispononi numrin e punonjësve dhe stafin e nevojshëm teknik e makineritë për këtë objekt?

Përgjigje: Në lidhje me numrin e punonjësve ju deklaroj se numri mesatar i punonjësve të mi në vitin 2009, mesatarja 213 punonjës, viti 2010 janë 169, viti 2011 janë 156, 2012 shkon në 112, në vitin 2013 janë 133, viti 2014, janë 145, në vitin 2015 janë 158, viti 2016 janë 162, viti 2017 janë 197, viti 2018 janë 215 dhe aktualisht janë 172 punonjës. Nga këta, personeli inxhinierë janë: viti 2014 janë 11, 2015 janë 12, viti 2016 janë 18, viti 2017 janë 17, 2018 janë 19 dhe viti 2019 janë 17 inxhinierë. Ky është personeli inxhiniero-teknikë i kompanisë. Në lidhje me makineritë, mund të them se disponoj të gjitha makineritë e pajisjet e nevojshme për të ndërtuar këtë objekt. Një listë e gjatë e cila verifikohet në çdo moment. Po kështu , mund t’ju sqaroj se kam derdhur kontribute, sigurime shoqërore, tatim-fitimi, taksa mjetesh dhe makinerish, e dogana afro 406 milionë lekë të reja nga 2009-2019.

Pra, nuk jam kompani e krijuar “dje”, siç akuzohet. Kurse bilancet e mia janë pozitive, të cilat verifikohen në tatime.

Pyetje 6: Me sa thoni ju paskeni me shumë kontrata të firmosura me pushtetin e PD-së, atëherë pse tani selia blu po ju sulmon egër? 

Përgjigje: Nuk e kuptoj realisht arsyen e këtij sulmi ndaj kompanisë, pasi ndaj kryeministrit e kuptoj. Është lakuar emrin e kompanisë dhe emrat tanë, por e vërteta se nga viti 2005-2013 (pushteti i PD-së) kam firmosur kontrata afro 70 milionë euro ndërtim rrugësh, disa prej të cilave i përmenda më sipër, por ju nuk po pranoni t’i citoni të gjitha rrugët që kam ndërtuar ndër vite. Për habi, nga viti 2013-2019, që kur erdhi PS-ja në pushtet, pasi unë po akuzohem si oligark, ose pjesë e pushtetit, kontratat e mia nuk kalojnë as 20 milionë euro investime për këtë periudhë që po më sulmojnë. Megjithëse në vitin 2009-2013 isha deputet i PS-së, por nuk kam pasur asnjë privilegj, sepse nuk kam lëvizur nga puna disa vjeçare në fushën e infrastrukturës (nuk kam marrë asnjë koncension tjetër si hidrocentrale, fshatra turistike dhe as leje ndërtimi pallatesh që mund të quhem i “privilegjuar”).

Pyetja 7: A është e vërtetë se keni kontribuar në ndërtimin e shtëpisë së kryeministrit në Surrel? 

Përgjigje: Kryeministrin e njoh se kam qenë deputet i forcës politike që ai drejton. Por deklaroj publikisht se nuk kam asnjë kontribut në këtë që thoni që ju. Nëse ju e vërtetoni të kundërtën e kësaj që unë po them, jam gati të përgjigjem para kujtdo, madje edhe drejtësisë.

Pyetje 8: A është e vërtetë se pas jush në koncension fshihet një njeri nga radhët e medias? 

Përgjigje: Njerëzit e mediave i njoh dhe flas me ta, por mbështetje nuk kam nga asnjë dhe nuk po kuptoj ku e keni fjalën, pasi unë akuzohem si pjesë e familjes së kryeministrit, atëherë pse do më duhet mbështetje nga media?! Vetëm nëse jeni ju, meqënëse jeni edhe lezhjan!

Pyetje 9: Atëherë, meqënëse “qenkam unë” (!) pas teje a mund të pyes si do i gjeni eurot për ndërtimin e kësaj rruge? 

Përgjigje:  Më duhet t’ju sqaroj se gara për zhvillimin e këtij objekti është bërë nëpërmjet botimit në organet e medias që me datën 23 korrik 2018. Dhe afati dorëzimit të ofertave ka qenë 14 shtator 2018. Shpallja është bërë dhe në gazetën “The Economist”. Pra, gara ishte e hapur dhe ndërkombëtare. Theksoj se paraqitja e ofertave ishte në mënyrë elektronike, çka do të thotë se në këtë garë mund të hynte çdo kush nga zyra e tij. Pra, asnjë pengesë për çdokush dhe jo siç thuhet se është bërë me vendim qeverie. Në këtë garë vlera është 161.5 milionë euro pa TVSH, kohëzgjatja e kontratës 13 vjet. Pra, siç shikohet, është model tjetër nga garat e tjera. Specifika është ndërtimi dhe mirëmbajtja e segmentit rrugor Milot-Balldre në modelin PPP, ku së bashku me vlerën e projektimit-ndërtimit dhe mirëmbajtjes, shoqëritë duhet të paraqisnin modelin financiar se si gjenin burimet financiare për këtë objekt, si dhe mënyrën e likujdimit nga shteti. Sipas tabelës që kam paraqitur në garë kostoja e ndërtimit është 140 milionë euro, konsulencë zero lekë, studimi dhe rishikimi projektit 1.5 milionë euro dhe mirëmbajtje për 7 vite e gjashtë muaj 20 milionë euro, pra në total 165 milion euro. Kompanisë i duhen të sigurojë burime financimi 141.5 milionë euro për projektim dhe ndërtim, pasi 20 milionëshi nuk kërkohet, sepse investimi për mirëmbajtje fillon 4 vjet e gjashtë muaj më vonë, e ndërkohë fillon financimi nga shteti sipas modelit financiar të miratuar.

Pyetje 10: Më lini t’ju ndërpres, si do i siguroni 141.5 milionë euro? 

Përgjigje: Për këtë është paraqitur propozimi financiar nga ana jonë. Struktura e financimit: Hua nga bankat 70 milionë euro. Kapitali shoqërisë: 52 milionë euro. Financim nga furnitorë privatë: 19.5 milionë euro. Periudha e ripagimit është 11 vite dhe interesi 5 %.

Pyetje 11: Cila bankë ka garanci që t’ju jap ka para?! 

Përgjigje: Që kur kam hyrë në garë kam paraqitur një dokument bankar nga BKT që konfirmon që “nëse është e nevojshme jemi të hapur të negociojmë me kompaninë ANK shpk për kredi në shumën maksimale në shumën 70 milionë euro, e cila do të përdoret nga kompania si mbështetje financiare për projekte të mëtejshme”. Ndaj nuk e kuptoj se pse flasin lart e poshtë se nuk ka asnjë bankë që mbështet këtë projekt, sepse po kjo bankë, BKT, ka dhënë edhe një kredi tjetër bankare në këto shuma për PPP në akse rrugore.

Pyetje 12: Meqënëse e paskae vertetimin banker, dhe e more kredinë, po këto kompani private që të jepkan kredi prej 19.5 milionë euro çfarë përfaqësojnë?

 Përgjigje: Atëhere siç thashë edhe më lart ne jemi një kompani që punojmë në fushën e infrastruktës mbi 20 vite eksperiencë dhe bashkëpunime me kompani të ndryshme shqiptare që operojnë në tregun shqiptar dhe që kanë kapitale të mëdha e të garantuara. Konkretisht, kam aktmarrvëshje me tre kompani shqiptare, të cilat janë paraqitur në dokumentat e garës; me shoqërinë “Shijaku shpk” (krijuar 1998), e cila më mbulon me furnizim me hekur dhe çimento, me kompaninë IZVOR sha (ka bitumen) dhe kompania GENKLAUDIS sha (me karburant).

Pra, këto kompani do më mbulojnë në material në vlerën deri në 19.5 milionë euro.

Pyetje 13: Ja po e pranojmë edhe këto, sepse janë me akt-marrëveshje mes juve dhe kompanivce përkatëse. Po 52 milionë euro ku do ti marrësh?! 

Përgjigje: Këtu më duhet të sqaroj mirë, pasi është abuzuar me këtë shumë. Theksoj se unë nuk kam deklaruar se i kam gjëndje në bankë gjendje 52 milionë euro, pasi kurrsesi nuk do të riskoja, por kam thënë se janë kapitale. Në garë është kërkuar një gjendje bankare në një vlerë prej 8 milionë euro cash, e ku kam paraqitur vërtetimin bankar se disponohen në llogaritë e kompanisë mbi 8 milionë euro.

Unë siç theksova më sipër në pronësinë e kompanisë tonë disponojmë të gjitha llojet e makinerive që do të jenë në dispozicion të objektit, të cilat kanë një vlerë 12.346.199 euro. Njëkohësisht, në nyjen e inërteve në Milot disponojmë thuajse të gjitha inertet e nevojshme për t’u vendosur në dispozicion të rrugës, pra edhe këto janë para. Por, më duhet theksoj se të gjitha inertet e tjera i siguroj nga materiali shkembor që del nga gërmimi i tunelit, gërmimi i portalit të hyrjes dhe daljes që janë diku te 500 mijë metra kub. Këto që thashë më sipër të vlerësuara në euro, si dhe gjendja bankare që është cash, janë mbi 52 milionë euro.

Pyetje 14: Për dreq koinçidon shifra prej 52 milionë euro korrupsion, siç të akuzojnë me shifrën 52 milionë që sapo cituat? Është rastësi, apo këtu mbetet sekreti? 

Përgjigje: Nuk besoj të jetë kjo, por mund të jetë gjë tjetër, sepse e shpjegova më sipër.

Pyetje 15: Jo, jo, nuk ka lidhje me këtë, por akuzoheni se keni rritur vlerën jashtë garës së tenderit me pazare të fshehta dhe se 52 milionë euro janë për llogari të kryeministrit… 

Përgjigje: Përgjigja ime është pyetje për Ju! Ma shpjegoni si mund t’ja jap 52 milionë euro dikujt apo kryeministrit? Më tregoni udhën se si mund t’i tërheqë?

Pyetje 16: Për “udhën” ka plot fakte në këto vite se si luhet korrupsioni, ashtu sikurse në “Unazën e re” ku dolën dokumenta fallso. Pra, rrugë ka plot!

Përgjigje: “Unaza e re” doli, siç thuhet, me dokumenta fallso, por jo vjedhje.

Pyetje 17: Të lutem mos e hap dosjen e Unazës së re në këtë intervistë, pasi do presim prokurorinë, por më lejoni t’ju pyes: Pse kaq ndryshim shifrash nga 161.5 vlera e ofertës, kurse kontrata u firmos me 213.6 milionë euro?! 

Përgjigje: Siç fola më sipër, kjo procedurë tenderimi, përveç dokumentacionit ligjor dhe teknik, duhej të paraqitej edhe modeli financiar. Pra, gara ishte për vlerën e projektimit, ndërtimit dhe mirëmbajtjes, e shpallur me vlerën 161.5 milion euro pa TVSH. Por, siç thashë më sipër se si do ti gjeja paratë për investimin, mund t’ju rikujtoj se periudha e ripagimit për këto 11 vite ishte me interesin 5 %, çka do të thotë se po të bëjmë llogaritë del fiks 213.6 milionë euro pa TVSH. Pa e zgjatur duhet të dini se dy vitet e para nuk marrë asnjë euro nga buxheti i shtetit. Më pas, sipas modelit financiar që është në dokumentat e tenderit fillon me 1.5 milion euro, vitin e katërt rreth 5.8 milion euro dhe me radhë, sipas viteve deri në vitin e 13-të nga fillimi punës. Pra, kjo rritje ka ardhur si pasojë e interesave bankare dhe klientëve që ju detyrohem, pasi është me kredi (pra, janë interesat bankare).

Pyetje 18: Pra, a mund të pyes se sa euro fitoni si kompani nga ky investim? 

Përgjigje: Po, fitoj patjetër se çdo punë ka fitimin e saj. Por fitoj kryesisht eksperiencën, mbajtjen në punë të punonjësve dhe stafit që janë ndër vite.

Pyetje 19: A keni deklaruar se do të bëni një tunel falas?

Përgjigje: Jo, nuk kam deklaruar. Sqaroj se për ndërtimin e tunelit të dytë, gjë e cila më duket e padrejtë, por do ta bëj, sepse nga negociimet kapitalet e mia llogaritur me 5 % interes për 11 vite më janë zbritur dhe më janë bërë zero përqind interes për këto kapitale. Prandaj më këtë vlerë ndërtohet edhe tubi i dytë i tunelit.

Pyetje 20: Çfarë hileje keni përdorur që e keni bërë kontratën në euro, e jo në lekë? 

Përgjigje: Të them të drejtën nuk e kuptoj këtë “hile” dhe nuk është faji jonë, pasi shpallja e garës është bërë në euro. Duke parë këtë kurs të euros, nuk e di ku është ai fitim që nënkuptoni.

Pyetje 21: Zoti Ndue, mund të përsëris pyetjen nga fillimi: Pse opozita të sulmon kaq fort, kur ju thoni se jeni korrekt? 

Përgjigje: Edhe nga diskutimet që bëj me njerëz specialistë të PD-së, më thonë se “lëre se kjo është politike”! Por, edhe nëse është politike po më dëmtojnë publikisht dhe moralisht. A mund të bëj një pyetje edhe unë publike: Pse kur merrja tenderime në kohën e PD-së nuk më thonin PD-ja dhe as PS-ja se ke shkelur ligjin?!

Pyetje 22: Mos m’u sill rrotull duke përmendur PD dhe PS, por a mund të thoni pse kaq shtrenjtë 1 km autostradë nga kompania juaj? 

Përgjigje: Kam dëgjuar vlera për kilometrat që thonë nga 15-17 milionë euro një kilometër, gjë e cila nuk është e vërtetë. Realisht për këtë objekt është hartuar projekti dhe preventive detajuar për çdo pjesë të rrugës. Kjo rrugë është e ndarë në 13 segmente rrugore me detaje dhe gjatësi të ndryshme, sipas terrenit dhe shtrirjes së rrugës, duke bërë një rrugë të kategorisë A me parametra dhe standarde europiane, të një shpejtësie nga 120 deri në 140 km në orë. Pra, respektohen rrezet e kthesave, hyrjet e daljet në nyje në rrugën dytësore, sipas kësaj kategorie rruge, përveç 16.5 km rrugë kryesore që është secila anë me nga dy korsi 2×3.75 metra plus 3 metra korsi emergjence, plus njugjerset në mesin e rrugës, e cila do jetë një vazo e mbjellur me pemë dekorative, plus 1.25 metra bankinë e asfaltuar, plus 1.25 metra bankinë stabilizanti ka edhe rrugë dytësore në të dy krahët 9.5 km të tipit F2, kemi 6 nyje, nga këto katër janë mbikalime dhe dy nënkalime, të cilat në vetvete kanë afro 8.5 km rrugë. Kështu që nga gjatësia e rrugëve në total shkon 34.15 km rrugë. Të gjitha nyjet janë me ndriçim, ndërsa aksi i rrugës kryesore është i rrethuar sipas standardeve evropiane të kategorisë së kësaj rruge. Më duhet të theksoj se në këta aks rrugor janë edhe dy urat kryesore mbi lumin Mat, me hapësirë-dritë 624 metra dhe ura mbi lumin Drin me 324 metra. Sinjalistika në këtë rrugë kushton mbi 10 milionë euro, për arsye se ka shumë hyrje dhe dalje në këtë rrugë.

Pra, si përfundim kostoja e rrugës, si rrugë plus veprat e vogla të artit, nuk kalon me shumë se 4.89 milionë euro për km. Këtu kemi zbritur vlerat e dy urave, tunelet, sinjalistikën dhe gjashtë nyjet, sepse janë specifikë për këtë objekt që kalon dhe në zonë bregdetare.

Duke parë studimin e Bankës Botërore për aksin Adriatiko-Jonian, Muriqan, Kakavijë, po citoj pjesën Balldre-Milot, ku thotë: 16.19 km rrugë, kategoria A, shpejtësia 120 km/orë, me tunelin, me tre nyje të parashikuara nga ky studim i Bankës Botërore, nga gjashtë që do të ndërtojmë ne, kostoja sipas BB-së shkon 147.79 milionë euro ose 8.75 milionë euro një kilometër. Pra, nuk është e vërtetë se kostoja është rritur, jo 1, por as 7 herë që thuhet. Pasi, në BE ka raste rrugës me çmime shumë më të mëdha.

Pyetje 23: Pse kostoja të del me shumë se Rruga e Kombit? 

Përgjigje: Kjo nuk është e vertetë se çmimet tona janë më të larta se Rruga e Kombit, dhe konkretisht, po flasim për tunelin. Po ju jap disa zëra punimesh që janë të njëjtë. Psh, skarifikim territori për hektarë, Milot-Balldre është 140 mijë lekë, ndërsa rruga e Kombit 609.422 lekë ose 4.35 herë më e lartë. Shtresa e rërës Milot-Balldre është 1495 lekë për metër kub, kurse rruga e Kombit 3682 lekë metër kub ose 2.5 herë më e madhe. Tombino 100 cm në Milot-Balldre kushton 13195 lekë, kurse rruga e Kombit 38745 lekë ose 2.93 herë më i lartë. Torkretim (sprucim) me beton, Milot-Balldre 17500 lekë/metër kub, kurse Rruga e Kombit 55092 lekë ose 3.14 herë më e lartë. E fundit, gërmim shkëmbi, kategoria e 4-të. Milot-Balldre 4418 lekë, kurse Rruga e Kombit 8919 lekë ose 2 herë më e lartë, dhe shumë çmime të tjera të cilat nuk po i trajtojmë këtu, por që janë mbi 2-fishin e çmimit të Milot-Balldrenit. Pra, me pak fjalë mund të themi se krahasimi është si nata me ditën, mos harrojmë se ishte viti 2011 për Rrugën e Kombit, por që duhet theksuar se edhe kjo kontratë e nënshkruar nga qeveria e mëparshme ka qenë e nënshkruar me euro, dhe jo me monedhën shqiptare.

Pyetje 24: Pse nuk ke pranuar t’i ballafaqosh akuzat në televizion? 

Përgjigje: Nuk është vërtetë. Unë kam kërkuar ballafaqim me një drejtues të një emisioni që e trajtoi këtë çështje, dhe jam në pritje të organizimit të këtij ballafaqimi televiziv, pasi më është premtuar.

Pyetje 25: Pra, ti pretendon se nuk keni bërë asnjë abuzim me vlerat dhe projektin e këtij objekti?

Përgjigje: Them me përgjegjsi të plotë ligjore se nga ana jonë nuk ka asnjë lloj abuzimi në lidhje me vlerën e këtij objekti, pasi për hartimin e projektit, pas gjurmës, është bërë studimi gjeologjik shqiptar, të cilët në bazë të këtij studimi është llogaritur e gjithë paketa e shtresës rrugore. Për këtë studim mban përgjegjësi të plotë ligjore ky institucion. Objekti mbetet i kontrollueshëm, edhe pas përfundimit të tij. Të gjitha volumet janë sipas seksionëve tërthore çdo 25 metër përgjatë gjithë gjatësisë së rrugës. Çmimet janë marrë nga manuali shtetror i miratuar me VKM, viti 2015.

Pyetje 26: Nëse prokuroria nis hetimet për këtë koncension, siç kemi informacione, cili është qëndrimi juaj?

Përgjigje: Do të vendosim të gjithë dokumentacionin e nevojshëm në dispozicion të tyre, sipas kërkesës së tyre.

Pyetje 27: Mos ka krijuar Qeveria favore për ty në këtë garë?

Përgjigje: Unë them jo! Dhe pse them “jo”, pasi presupozohet se kriteret janë vëndosur të ulëta, atëherë si ka mundësi që nuk kanë hyrë në garë kompani më të mëdha, shqiptare dhe të huaja, sepse gara ishte ndërkombëtare?!

 

Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.