Home Opinion Një pyetje zotit Kryeministër

Një pyetje zotit Kryeministër

0

Para disa ditësh, në Lush një, gjatë fushatës për anëtarësimet në Partinë Socialiste, zoti Kryeministër tha ndër të tjera se njeri i mirë është ai që nuk i bën dëm tjetrit, përkufizim ky sa i thjeshtë e i drejtpërdrejtë, aq edhe i vërtetë.

Veçse, duke bërë këtë përkufizim të krijesës “njeri” para lushnjareve dhe lushnjarëve, por – falë mediave elektronike – edhe para mbarë popullit të Republikës tmerrësisht e tërmetësisht demokratike të Shqipërisë, zoti Kryeministër harroi se ka ende njerëz të racës intelektuale që nuk e përdorin kokën thjesht për ta vënë natën në jastëk dhe aq më pak për të mbërthyer ndonjë gozhdë kur u ka humbur çekiçi; këta njerëz kokën e përdorin kryesisht për të menduar dhe, si rrjedhojë, kanë të drejtë t’i bëjnë atij, brenda caqeve të edukatës qytetare, një pyetje po aq të thjeshtë e të drejtpërdrejtë, pra, të sinqertë, sa përkufizimi i lartpërmendur, një pyetje që po marr guximin t’ia bëj publikisht: “Po ju, zoti Kryeministër, a e quani vërtet veten njeri të mirë, pra, a jeni i sigurt që nuk i keni bërë asnjëherë dëm dikujt tjetër?”

Sigurisht, jam i bindur që ithtarët e zotit Kryeministër të të gjitha ngjyrave, tingujve, parfumeve e shijeve, do të nxitojnë të më hidhen në fyt e, para se të më kryqëzojnë apo linçojnë figurativisht, të më qortojnë, kritikojnë e tronditin duke më folur ashpër e vrazhdë:

“Si guxoni të imagjinoni që zoti Kryeministër mund t’i ketë bërë ndonjëherë dëm dikujt tjetër?” Ah, ja që mjerisht, guxova. Guxova sepse jam nga ata që kanë besuar, besojnë e do të besojnë se nuk ka pasur, nuk ka e nuk do të ketë kurrë njerëz krejt të pagabueshëm, d.m.th. që, ndër të tjera, nuk bëjnë dëme, sidomos në sferën e politikës. Këtë e dëshmon vetë historia e njerëzimit qoftë edhe përmes një proverbi të vetëm si ai i latinëve para dy mijë e ca vjetësh, proverb që zoti Kryeministër, me shumë gjasë, e di fort mirë: “Errare humanum est” (“Të gabosh është njerëzore” ose “S’ka njeri që të mos gabojë”).

Nga ana tjetër, ekziston edhe një proverb shqiptar, të cilin zoti Kryeministër, me shumë gjasë, e di gjithashtu fort mirë: “Kush punon, edhe gabon”. Kështu që, rrjedhimisht e pashmangësisht, meqë ai ka vite të tëra që po punon natë e ditë për ta nxjerrë këtë popull në dritë, me të drejtë e me meritë, zoti Kryeministër nuk është i pagabueshëm dhe, dashur pa dashur, mund të gabojë duke u detyruar, nga rrethanat ose nga disa faktorë objektivë a subjektivë, t’i bëjë sadopak e pa të drejtë dëm dikujt, aq më tepër që e mira dhe e keqja bashkëjetojnë detyrimisht në thellësitë e eksplorueshme, por edhe të paeksplorueshme të qenies njerëzore (duke u shprehur kësisoj, i referohem jo vetëm filozofëve të të gjitha kohëve, por edhe psikologëve, psikiatërve e psikanalistëve të shekullit XX, si Frojdi në veçanti).

Sidoqoftë, duke iu drejtuar drejtpërdrejt zotit Kryeministër, dua t’i them këto fjalë, gjithmonë brenda caqeve të edukatës qytetare: Po qe se i pranojmë si të vërtetë dy proverbat e lartpërmendur, i bie që edhe ju personalisht, zoti Kryeministër, sadopak, sado pa dashje, t’i keni bërë ndonjëherë dëm dikujt, për pasojë, i bie që të keni qenë, sado përkohësisht, njeri jo i mirë, për të mos thënë i keq, apo jo zoti Kryeministër? Nuk besoj që këtë arsyetim ju ta quani të palogjikshëm, madje nuk besoj ta cilësoni si shpifje, veç në paçi një koncept të arsyetimit logjik krejt të kundërt me këtë timin apo jo, zoti Kryeministër?

Oh, e di, e di fort mirë, ju keni të drejtën e pamohueshme të mos më përgjigjeni, por, gjithsesi, dijeni se ka gjithnjë e më tepër njerëz të zakonshëm, të thjeshtë, anonimë, si vetë ju dikur, si vetë unë dikur, sot e me siguri nesër, që janë të pakënaqur prej jush, të cilëve mënyra juaj e të qeverisurit u ka shkaktuar e po vazhdon t’u shkaktojë dëme jo vetëm në rrafshin material, por edhe në atë shpirtëror. Atëherë, për t’i rënë shkurt, zoti Kryeministër, a do të keni mirësinë dhe kurajën t’i përgjigjeni pyetjes që ju kam bërë në krye të këtij shkrimi? Dhe, si shtojcë pyetjes në fjalë, lejomëni t’ju bëj një pyetje të fundit fare: A ju ka ndodhur ndonjëherë, zoti Kryeministër, t’i bëni sadopak dëm vetvetes? Ju mund të habiteni me këtë pyetje, por fakti është se dikush që i bën dëm vetvetes, nuk e ka për gjë t’i bëjë dëm një tjetri, apo jo? Prandaj, lejomëni sërish, për të mirën tuaj, t’jua përmend edhe një herë këtë batutë të njohur të Voltaireit: “O Zot, mbromëni nga miqtë, se nga armiqtë mbrohem vetë!”, të cilën e kam ndryshuar si vijon enkas për ju që ta mbani vath në vesh në të mirë të popullit tonë përherë e më të pikëlluar: “O Zot, mbromëni nga vetvetja, se nga armiqtë e miqtë mbrohem vetë!” /PANORAMA/

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.