Home Kultura Ornela Vorpsi, një ekspozitë me foto erotike në Kryeministri. Rama dhe Linda...

Ornela Vorpsi, një ekspozitë me foto erotike në Kryeministri. Rama dhe Linda mes vizitorëve

0

Me një providencë, Ornela Vorpsi u rikthye në Tiranë. Pas një kohe të gjatë, ajo i prezantohet publikut shqiptar me krijimtarinë e saj në artet pamore.

vorpsi

Një hulumtim mbi sensualitetin femëror përmes fotografish nudo, por edhe në gjendjen e saj shpirtërore. Vitet e fundit u duk se Ornela iu përkushtua përfundimisht letërsisë, por me sa duket, paralelisht me romanet, që nuk kanë kaluar pa u vënë re në vendin fqinj, Italinë apo në Francë, ajo ka punuar edhe në telajo e mediume të tjera.

Dhe vjen në Tiranë, pikërisht për të sjellë këtë anë të krijimtarisë së saj, për të cilën edhe është shkolluar në Akademinë e Arteve. Ekspozita, e titulluar “Providence”, u hap mbrëmë në COD, pranë Kryeministrisë, ku Vorpsi nuk fshehu kënaqësinë e rikthimit në Tiranë, të ftesës së bërë nga COD dhe kujdesit dhe nivelit të treguar nga kjo e fundit, që artistja e krahasoi me galeritë më të mira, që nga Pompidou, etj.

vorpsi1

“Ftesa e COD për mua ishte një dhuratë e jashtëzakonshme, dua t’ju them që kjo ekspozitë është e ndërtuar dhe konstruktuar në nivelet më të larta që mund të gjejmë në botë. S’besoj që mund të ishte bërë më bukur në ‘Centre de Pompidou’ ose në vende të tjera. Vendi im më ofron një mrekulli sonte”, tha Vorpsi, pa fshehur emocionin.

Të pranishëm në ceremoninë e hapjes së ekspozitës ishin që nga Kryeministri Edi Rama, njerëz të politikës, artit, mediave. Pas prezantimeve të rastit, ra në sy një përqafim tepër miqësor mes bashkëshortes së Kryeministrit, Linda Ramës dhe artistes, e më pas një takim me ishpedagogun e saj të dikurshëm dhe Kryeministrin e sotshëm, Edi Rama, pas të cilit, siç do të rrëfehej vetë ajo te “Letërsia dhe qyteti”, ishte e dashuruar në mënyrë platonike.

vorpsi2

EKSPOZITA

Në këtë ekspozitë, hapur në sallën “Tako Artistin” dhe “Forum”, Vorpsi prezanton 38 punime, ku ndërthuren piktura, vizatimi, fotografia dhe videoja. Veprat, kryesisht ato në pikturë, krijojnë një gjendje pezullie. Elementi njerëzor (personazhi) reflekton vetmi edhe kur nuk është vetëm. Të punuara me ngjyra të ftohta, ato përçojnë ftohtësinë në raportet mes njerëzve, jo thjesht ato në çift. Pjesë e ekspozitës janë edhe një seri fotografish, ku paraqiten trupa femërorë, të zhveshur, që i qëndrojnë ndjesisë së të tërës, një lloj vetmie dhe frike përzier.

vorps

Pa u ndarë nga “gjysma” tjetër e saj, letërsia, pjesë e ekspozitës është edhe një instalacion i veçantë i ndërtuar me librat e saj, botuar në gjuhë të ndryshme. Dhe si një kombinim i të dyjave ishte edhe një kuartet ilustrimesh librash për fëmijë. Ekspozita është kuruar nga Genti Gjikola, i cili bashkë me prezantimin e ekspozitës personale të Vorpsit, bëri me dije edhe largimin nga Galeria Kombëtare e Arteve, drejt COD. “Ekspozitën në vetvete mund ta quajmë një mid-career retrospective, një retrospektivë e mesit të karrierës artistike dhe do e cilësoja si një ‘gesamtkunstwerk’, (vepër totale arti) sepse përmbledh shprehje të saj në teknika të ndryshme që nga vizatimi, piktura, instalacioni, fotografia dhe video”, u shpreh ai.

vorps1

Sipas tij, “vepra pamore e artistes Ornela Vorpsi ka si themel botën sensuale, emocionale dhe në kontrast me shumicën e artit konceptual e bashkëkohor, shprehet përmes një strukture të qartë e ritmi të balancuar”. Në punën e vorpsit bashkohen dy parime të kundërta në dukje, poezia e pikturës dhe forma klasike e kompozimit të tablosë.

vorps2

ARTISTJA

Ornela Vorpsi lindi në Tiranë më 1968. Aktualisht jeton dhe punon në Paris. Vorpsi përfundoi studimet në Institutin e Lartë të Arteve (1987 – 1991), në Akademinë e Arteve të Bukura të Breras në Milano (1992 – 1996) dhe më pas në Universitetin Paris VIII, (1997). Ka marrë pjesë në shumë ekspozita në grup, të kuruara nga kuratorë të mirënjohur si Harald Szeemann, Paul Ardenne dhe Walter Keller. Punët e saj gjenden në koleksione të rëndësishme, përfshirë dhe koleksionin FNAC (Fondacioni Kombëtar i Artit Bashkëkohor në Francë), si dhe në shumë koleksione private. Pasi u vendos në Paris në 1997, Vorpsi iu kushtua edhe letërsisë. Në vitin 2010, Aleksandar Hemon dhe Zadie Smith e cilësuan atë si një nga 35 shkrimtaret më të mira të Europës në “Best European Fiction”. Librat e Vorpsit janë përkthyer në 18 gjuhë.

vorps3

SHKRIMTARJA

Romanet e Ornela Vorpsit, në të cilat ajo rrëfen kryesisht jetën e saj dhe të shqiptarëve nën diktaturë, janë konsideruar jo pak provokativë. Kjo është edhe arsyeja pse ajo shkruan në gjuhë të huaj dhe jo në shqip. “Besoj se po të shkruaja ato që kam shkruar në gjuhën shqipe, e gjitha do ishte shumë më e dhimbshme dhe thuajse e pamundur. Sepse gjuha shqipe për mua është gjuha që mbart fëmijërinë. Unë u rrita në atë vend dhe në njëfarë mënyre jam e konstruktuar në atë vend, jam thellësisht e tërësisht shqiptare”, u shpreh Vorpsi gjatë takimit “Letërsia dhe qyteti” të Alda Bardhylit e Beti Njumës.

Ajo nuk e kërkoi letërsinë. Ishte kjo e fundit që shkoi tek ajo, diku, në një bar kafe në Paris. “U ula, aty më erdhën mendimet. Isha 29 vjeç. Aty bëra paragrafin e parë të romanit tim të parë. Kur kam qenë e vogël kam shkruar dhe në shqip, por nuk i kam dhënë rëndësi të shkruarit. Kam shkruar te Revista “Pioneri” kur babai im ishte në burg”, u shpreh Vorpsi. Po gjatë këtij takimi, ajo shprehu edhe keqardhjen që e kanë ftuar kaq pak në vendin e saj.

“Më kanë ftuar gjithandej në botë për të folur dhe kam qenë e hapur. Në Shqipëri jam ftuar vetëm njëherë nga Jonila Godole dhe kam ardhur. Sot është hera e dytë me ftesën për këtë ekspozitë në COD dhe sërish kam ardhur. Unë e ndiej veten 100 për qind shqiptare”, tregon Ornela Vorpsi.

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here