‘Oxhaku i shokut’ ose drama e pasurisë ilegale

0

Alfred Lela

Eksponentët e së majtës në Shqipëri kanë futur në fjalorin e pronësisë një terminologji të çuditshme. Të prejardhur ideologjikisht, dhe në shumë raste edhe gjenealogjikisht nga familje me shtresëzime të forta puniste, ku puna ishte e askujt, prona e përbashkët dhe privatja kulake apo borgjeze, atyre u duhej të transportoheshin në një realitet ku këto koncepte ishin të përmbysura.

E majta e re, e futur nën siglën e Partisë Socialiste, ardhur prej asaj të Punës, dhe një grupi partizash të tjera ekstremiste, e ruajti formën e komunikimit komunist dhe ende përdor në fjalorin e saj ‘shoku’ në vend të ‘zoti’. Bartës i kësaj është ‘shoku’ Gramoz Ruçi, kryetar i Kuvendit të Shqipërisë.

Një lloj turpi ndaj privates, ndërthurur me hipokrizi dhe mashtrim, e majta e ka ruajtur ende dhe këtë mund ta vësh re në kompleksimin që kanë ndaj pasurisë, pronës së patundshme, e të tjera treguesve të shëndetit ekonomik.

Sigurisht, nuk është vetëm kjo dhe, madje as nuk është kryesorja. Pas kompleksimit gjendet, në fakt, nevoja për të fshehur afera korruptive të hamendësuara. Por kompleksimi e shton hamendësimin për këtë korrupsion.

Raste ilustruese të këtij kompleksimi, të kësaj krize të dyfishtë në identitet dhe komunikim, janë Edi Rama dhe Erion Veliaj, dy eksponentët më të lartë të Partisë Socialiste. Njëri kryeministër i Shqipërisë dhe tjetri i Tiranës.

Rama, pas një ‘inkuizicioni’ në rrjetet sociale pasi ai u shfaq në një mjedis ku ndodhej një oxhak me forma të çuditshme, i cili me gjasë kushtonte shtrenjtë, u hodh e tha ‘është oxhaku i shokut’. Ishte rasti i dytë që kryeministri i vendit kërkonte një xhep tjetër për pasurinë e vet. Kohë më parë ai futi dorën në xhepin e së shoqes për të lënë aty shpenzimet e një shtëpie gjithaq të kushtueshme.

Edhe Erion Veliaj, që ka një platformë komunikative po aq të detajuar sa të Ramës, me ndryshimin thelbësor se, ndryshe nga shefi i tij, ai kërkon të krijojë profilin e ‘të përvuajturit’, bie në rolin e dikujt që jeton jetën e një ‘kollovari politik’ apo ‘djalit të mamasë’. Kur u pyet për shpenzimet e një ‘dasme me dy kokë’, një në kalanë e Gjirokastrës dhe një në, place d’arms të së majtës, në Pezë, ai u përgjigj: me kursimet e mamasë.

Politikani postmodern perëndimor e vizaton veten si shërbëtor të publikut dhe si pjesë e kësaj mundohet të veshë shpesh lëkurën e popullit të vet. Kështu, Joe Biden senator veteran Demokrat dhe më pas zv/President i Amerikës e bënte me tren rrugën nga Maryland deri në Washington. Kryeminstri danez shkon në punë me biçikletë. David Cameron merrte gjithashtu trenin për në 10 Downing Street. E kështu me radhë plot shembuj politikanësh të lartë.

Këtu vlen të theksohen disa ndryshime. Në Perëndim një aspirant hyn në politikë si profesionist i një fushe dhe, si çdo ekspert i lartë, edhe me pasuri të mjaftueshme materiale. Në Shqipëri është e kundërta; politikanët, zakonisht, futen me duar në xhepa, pa ndonjë kurrikul të pasur profesionale dhe, rrjedhimisht, pa para, përjashto këtu biznesmenët.

Kur ndeshen me pasurinë, të cilën nuk e përligjin dot me rrogat e tyre, kompleksohen nga ilegaliteti, por edhe prejardhja ideologjike në rastin e të majtëve, dhe ia delegojnë të afërmve, si në rastin e Ramës dhe të Veliajt.

Çfarë ndjesie duhet të kenë ata njerëz që nuk i dalin dot për zot asaj që është ‘e tyrja’?

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.