‘Parlamenti është kthyer në një haur’/ Ceka-Ramës: Flet me fjalorin e Spiropalit

0

Nga Aristir Lumezi

Politikani i njohur Neritan Ceka iu përgjigj deklaratave të bëra dje nga Kryeministri Rama, duke thënë se flet me gjuhën e Elisa Spiropalit, ndërsa e sfidon në një garë sa i takon moshës prej 70- vjeçari, që Rama i përmendte.

Në një intervistë për gazetën ‘Panorama’, Ceka tha se qytetarët nuk duhet të dalin në votime në 30 qershor, duke treguar qytetari dhe të mos bëhen pjesë e një teatri të pështirë.

Gjatë një takimi elektoral në Kolonjë, Kryeministri Rama tha se ‘e kishte zënë tartakuti Neritan Cekën që mallkonte sikur kishte gërmuar gjithë natën te filxhani i Monikës, 70 e kusur vjeç, profesor me libra, dukej sikur kishte dalë xhindi nga filxhani’.

Kryeministri Rama ka komentuar deklaratën tuaj, bërë pak ditë më parë në media, kur tha sot se: ‘Neritan Ceka mallkonte sikur kishte gërmuar gjithë natën te filxhani i Monikës, 70 e kusur vjeç dukej sikur kishte dalë xhindi nga filxhani’. Keni një koment për këtë?

Kjo është një deklaratë që më ngre edhe më shumë aksesin në rrjete sociale dhe në median shqiptare, një shkencëtari të harruar kohët e fundit, por që u kujtua Presidenti i Kosovës para dy ditëve dhe e dekoroi me urdhrin më të lartë të Kosovës. Ndërkohë, dëgjoj cilësime që natyrisht janë marrë nga fjalori i Spiropalit. Për sa i takon asaj që thotë plaku 70- vjeçar, e ftoj zotin Rama në një sfidë modeste, ku të dojë ai, në një garë 50m, 100m, në ngjitje shkallësh deri te kati i parë nëse ngjitet dot para meje. Ndërsa për sa i përket shkallës së kulturës gjuhësore, besoj se nuk kam asnjë lloj gare që t’i ofroj.

Ju keni përvojë të gjatë në politikë dhe në zgjedhje. Si e vlerësoni dekretin e Presidentit Meta për të anuluar datën e zgjedhjeve? E shihni si një tentativë për t’i dhënë mundësi shfryrjes së tensionit dhe gjetjes së rrugës së dialogut?

Unë nuk mendoj se është vetëm shfryrje tensioni. Ftesa e Metës është shumë e gjerë, nuk ka të bërë vetëm me uljen e tensioneve, sepse tensionet nuk kanë për t’u ulur edhe sikur zgjedhjet të shtyhen për 2 apo tri vjet. Ftesa e Metës kërkon një shqyrtim të sistemit politik në vend, që ka çuar në një degjenerim total të Parlamentit shqiptar, i cili është kthyer në një haur, sepse nuk gjej fjalë më civile, por dhe të mënyrës së votimit që ka falë nga çdo standardi europian dhe të raportit që kanë institucionet, të cilat janë kthyer në zyra të PS-së. Kjo është ajo që presin qytetarët nga shtyrja e datës së zgjedhjeve, jo një ulje tensionesh, por një ulje në tryezë të partive politike, por dhe klasës intelektuale shqiptare për të ndërtuar një Shqipëri me të vërtetë moderne dhe europiane.

/Botuar në Panorama

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.