Presidenti Macron: NATO po vdes, SHBA po i kthen shpinën aleatëve

Presidenti francez, Emmanuel Macron, paralajmëroi se NATO kërcënohet prej “vdekjes së trurit”, dhe se vendet evropiane nuk mund të mbështeten më tek mbrojtja e SHBA-së për aleatët e saj.

“Ajo që ne po përjetojmë tani është një vdekje e trurit të Nato-s”, tha shefi i Elizesë në një intervistë për “The Economist”.

“Ju nuk keni koordinim të vendimmarrjes strategjike mes Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj të NATO-s. Ajo që keni është një veprim agresiv i pakoordinuar nga një aleat tjetër i NATO-s, Turqia, në një zonë ku preken dhe interesat tona”, është shprehur ai.

I pyetur nëse ende besonte në përcaktimet e “mbrojtjes kolektive” të nenit pesë të traktatit themelues të NATOs, sipas të cilës një sulm kundër një aleati konsiderohet si një sulm kundër të gjithë, Macron u përgjigj: “Nuk e di”.

“Natoja funksionon vetëm nëse garantuesi i mjetit të fundit funksionon si i tillë. Unë do të argumentoja se ne duhet të rivlerësojmë realitetin e asaj çfarë është aleanca veriatlantike në raport me angazhimin e Shteteve të Bashkuara, ” ka qenë komenti i presidentit francez.

Vënia në pikëpyetje që Macron i bëri efikasitetit të NATO-s dhe sugjerimi i tij se vendet europiane të aleancës 29 anëtarësh duhet ta rishikojnë situatën e tyre, vjen përpara samitit të liderëve të saj muajin e ardhshëm në Britani, ku do të marrë pjesë edhe Donald Trump.

Macron tha se Washingtoni po jep shenja se “po na kthen kurrizin“ siç e dëshmoi qartë sipas tij me vendimin që mori për të tërhequr trupat amerikane nga verilindja e Sirisë, pa u konsultuar më parë me aleatët.

Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.