Presidentja e KE takon Xhaçkën: Shqipëria një aleat i denjë

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, ka marrë pjesë në ceremoninë e largimit të Ursula von der Leyen, tanimë presidente e KE. Në këtë organizim Xhaçka është takuar me kancelaren Gjermane, Angela Merkel. Zyra e shtypit e ministrisë së Mbrojtjes, bën të ditur se Ursula von der Leyen ka vlerëuar rolin e Xhaçkës në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe NATO, duke e cilësuar vendin tonë si një aleat të denjë.

“Gjithmonë kam admiruar rrugëtimin tënd pasi u bëre pjesë e tryezës së NATO. Jam e lumtur që sot Shqipëria është një anëtar i denjë i Aleancës”, iu drejtua Presidentja e KE, ministres Xhaçka.

Në krah të kancelares gjermane Angela Merkel, zëvendëssekretares së Përgjithshme të NATO, Rose Gottemoeller, ministres së re të mbrojtjes së Gjermanisë, Annegret Kramp-Karrenbauer dhe dhjetëra personaliteteve gjermane e europiane, ministrja Xhaçka mori pjesë në një prej ceremonive më të veçanta ushtarake, me traditë 200-vjeçare, që u rezervohet personaliteteve më të spikatura të politikës, ku ishin të ftuar bashkëpunëtorët më të afërt të ish – ministres Ursula von der Leyen.

Kancelarja Merkel përshëndeti përzemërsisht ministren Xhacka, me të cilën, bashkë me 200 të ftuar të tjerë ndoqën ceremoninë zyrtare të largimit nga detyra të Von der Leyen dhe vijimin, në postin e ministrit të mbrojtjes së Gjermanisë të Annegret Kramp-Karrenbauer. Ursula von der Leyen është e para grua që zgjidhet presidente e Komisionit Evropian dhe pritet ta marrë zyrtarisht detyrën më datë 1 nëntor 2019.

Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.