Pse Merkel iu përgjigj Ramës me të njëjtën ‘monedhë’

Nga Enton Palushi –

Përpara se kryeministri Edi Rama të futej në takim me homologen gjermane, Angela Merkel, një nga gazetat më të njohura në botën gjermanishtfolëse, Der Standard, shkruante sesa e rrezikuar është liria e medias në Shqipëri. Gazetarja Adelheid Woelfl i referohet Edi Ramës në tri raste: kur thotë fillimisht se ai kërkon të ‘disiplinojë’ mediat online, më pas kur thekson se në Shqipëri janë mbyllur dy emisione kritike ndaj Ramës dhe në fund fare ajo thotë se Rama e etiketon median si kazan plehrash.

Woelfl shkruan nga Podgorica, nga një konferencë e organizuar prej Komisionit Europian me qëllim gjetjen e strategjive për të luftuar propagandën në Ballkan. Ndaj nuk është rastësi që një shkrim i përhapur në dhjetëra gazeta gjermane për kushtet që do i vendosen Shqipërisë nga Berlini për hapjen e negociatave me BE, duket sikur i drejtohet me kujdes shqiptarëve, këtyre viktimave të propagandës, kryeministri i të cilëve nuk e ka problem të hapë shampanjën e fitores edhe kur BE i thotë ‘JO’.

Shkrimi i Rrjetit të Redaksive Gjermane thekson disa gjëra të rëndësishme:

E para, Shqipërisë do i vendosen kushte të forta nga grupet parlamentare qeveritare për nisjen e negociatave. Aq të larta do jenë pengesat, sa Shqipëria mund të mos nisë negociatat për vite të tëra.

E dyta, shanset që kushtet të përmbushen shpejt janë të pakta për shkak se gjuha e përdorur është e përgjithshme, çka ngjan si një tjetër mesazh i fortë.

E dyta, gazetari thekson jo pa qëllim se samiti i BE do të deklarojë që do të mbështesë hapjen e negociatave me kusht për Shqipërinë. Por ato nuk do nisin deri në momentin kur do të mblidhet e ashtuquajtura Konferenca e Pranimit, që në zhargonin e BE njihet edhe si çelja e vërtetë e negociatave. Ndaj nëse e shihni kryeministrin teksa feston sërish, dijeni se po maskon dështimin më të madh në historinë jo dhe aq të shkurtër të integrimit shqiptar në BE.

E gjitha kjo vjen në kohën kur një tjetër gazetë e rëndësishme në botën gjermanishtfolëse, zvicerania NZZ ngre pikëpyetje për suksesin e bojkotit opozitar, duke theksuar se ‘nuk e bëri autokratin Rama të ndryshojë qëndrim’. Që kryeministri Rama nuk ndryshon qëndrim, ky nuk është lajm i mirë as për vendin dhe as për demokracinë. Por fakt është se po të mos ishin lëvizjet e forta të opozitës, protestat, denoncimet, ndoshta nuk do ishim kurrë në këtë pikë kur e gjithë bota e qytetëruar flet për skandalet antidemokratike të qeverisë shqiptare.

Siç e kam thënë në një shkrim tjetër, krizat nuk nxjerrin në pah anën e zezë të opozitës, por të qeverisjes. Merrni për shembull paralajmërimet se protestat e opozitës po dëmtojnë turizmin, të cilat shkojnë krejt në kundërshtim me lëvdatat qeveritare për sezonin e verës. Ose shihni një raportim shterues të Zërit të Amerikës se përse vendi ndodhet në krizë të thellë ekonomike dhe nuk do gjeni ndonjë kritikë se fajin e ka opozita.

Nga ana tjetër, kriza vetëm sa ka ekspozuar përpara botës pjesën më të keqe të qeverisjes, duke nisur që nga vjedhja e zgjedhjeve edhe pa opozitën në garë, kapja e shtetit, bashkëjetesa me krimin në nivelet më të larta e deri te babëzia për koncesionet me korrupsion të tipit ‘pas nesh qameti’.

E gjitha kjo ka bërë që të kemi një kryeministër që shkon jashtë vendit më shumë për art e gallatë. Aq shumë është bërë i famshëm për batutat, veshjen e vizatimet, sa edhe kancelarja Angela Merkel në postimin e saj online iu përgjigj me të njëjtën monedhë kur u kujdes që të mos thoshte asgjë të rëndësishme politike, përveç faktit se Edi Rama njihet si … artist.
Gazeta “Mapo”

Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.