Pse nuk e dorëzoi mandatin Rudina Hajdari?!!

0

Nga Ilir Demalia

Mosdorëzimi i mandatit nga deputetja e Partisë Demokratike, Rudina Hajdari, dhe shumë të tjerëve që e kanë shfrytëzuar dhe e shfrytëzojnë kalin e lodhur të skalionit politik PD për karrieradhe përfitime personale nga pozicioni i “karrierave” që marrin në markatën politike shqiptare të allishverisheve, kjo tashmë nuk është gjë e re në PD dhe në përgjithësi, në partitë politike shqiptare.

Ekzemplare në PD është Majlinda Bregu. Ky fakt vërtetohet edhe nga markatat e deputetëve që lëvizin nga një parti në tjetrën sipas pagesës apo postit që i afrohet dhe përfitimeve që mbledh personi me abuzimin dhe allishverishet me postin.

Lëvizin individë e parti të tëra, nga të “djathta” hyjnë në koalicion me të “majtën”, apo nga e “majta” hyjnë në koalicion me të “djathtën”, qoftë edhe për drejtorë drejtorie ku zhvatet leku me rrugët abuzive-korruptive të pushtetit në shërbim të së keqes, si shpërdorim i pushtetit politik dhe ekonomik që duhet të përdoret si shërbim publik.

Rasti Hajdari, për mënyrën si e futën në politikë ishte një fiasko që të sillte si akt reminishencat e regjimit diktatorial, ku familjet apo fëmijët e “dëshmorëve” trajtoheshin me një “trajtim të veçantë”, si motrat e Qemal Stafës, djali i Adem Rekës apo Pal Vata.

Jo vetëm PD- ja, por të gjitha partitë politike dhe shoqëria shqiptare nuk janë larguar nga mendësia dhe kultura politike nga regjimi komunist dhe jo vetëm politike… pavarësisht retorikës dhe demagogjisë “antikomuniste” tashmë dale boje dhe bërë bajat.

Në një kohë kur vetë figura e Azem Hajdarit dhe vrasja e tij është ende shumë e mjegullt… i akuzuar nga vetë PD-ja dhe lideri i saj Sali Berisha në vitin 1995, si ish- bashkëpunëtor i Sigurimit!

I përjashtuar dy herë nga kjo parti, i rikthyer dhe përdorur keqas, kthehet pas vrasjes së pazbardhur ende në një mit nga kjo parti dhe po ata njerëz që e anatemuan aq keq dhe aq poshtërsisht, pa asnjë refleksion, pa asnjë ndjesë, pa asnjë moral dhe raport me të vërtetën, por vetëm duke e përdorur për politikën e ditës, duke i përdorur emrin ashtu siç i përdorën arkivolin më 1998 për të çarë dyert e Kryeministrisë dhe më pas e lanë në mes të rrugës.

Kështu u veprua dhe me Rudinën, e morën, e bënë deputete listash si vajza Azemit, pasi vetë ajo nuk kishte ndonjë kontribut apo meritë para shumë njerëzve që kishin qenë aktivë me PD-në dhe shumë më me eksperiencë, kontribute dhe dije politike se Rudina.

Gjatë protestave të studentëve në dhjetor të 2018-ës, Rudina, duke ndjekur vijën e studentëve që nuk pranonin forcat politike të zhgënjyera prej klasës politike, deklaroi: “Unë po mendoj të dorëzoj mandatin, pasi nuk më duhet ky mandat kur kjo klasë politike ka dështuar”.

Do të kishte qenë shumë më dinjitoze po ta kishte dorëzuar në dhjetor dhe shumë e moralshme dhe më e besueshme. Atë mandat që donte ta dorëzonte në dhjetor, përse nuk e dorëzoi tani në bllok me partinë, e cila i dha mandatin e deputetes me lista?! (si lista ushqimesh).

Jo vetëm Rudina, por të gjithë deputetët e Parlamentit nuk janë zgjedhur aty si individë, pra nuk ka pasur një përballje individësh, por një portofol partie. Në këtë rast, moralisht duhet të dorëzonin mandatin dhe të mos e merrnin ata që vinin pas tyre në listë.

Megalomania dhe mitomania e Rudinës, se është konsultuar me ndërkombëtarët, është një manipulim bajat dhe i dalë boje. Rudina nuk është ndonjë peshë e rëndë në politikën shqiptare! Ajo për aftësitë, mundësitë dhe eksperiencën, me gjithë mbiemrin Hajdari, nuk ka peshë për të qenë një fuqi ndryshimi apo force për ndryshim, as nuk mund të dalë si deputete me një përballje maxhoritare. Rudina jashtë partisë është e vdekur tashmë politikisht.

Njëkohësisht, Rudina tregoi se nuk ka instinkt politik ose; një hall i madh e detyroi të veprojë kështu, që të pranojë të vazhdojë në një Parlament të arnuar ku ka vdekur parlamentarizmi, por si një rrobë e vjetër do të mbahet me arna si Rudina dhe disa muaj e ndoshta një vit.

Sipas disa burimeve nga Partia Socialiste, flitet se në fushatën e vetingut për gjyqtarët sigurisht i është nënshtruar edhe Fatmira Hajdari, e veja Azemit dhe mamaja Rudinës. Tashmë të gjithë e dimë dhe e kemi të qartë se me çfarë batërdie korrupsioni dhe abuzimi kanë kaluar shqiptarët me sistemin e drejtësisë, ku pjesë e saj është dhe Fatmira Hajdari prej 20 vjetësh.

A do të mundet dot familja Hajdari të justifikojë pasuritë me të ardhurat që ka nga rroga e gjyqtares dhe të ardhurat e tjera familjare?!

Në qoftë se Rudina e ka bërë mosdorëzimin e mandatit për të ëmën e saj Fatmira, si justifikim i pasurisë nga drejtësia e kapur nga Rama, ia kuptoj! Por mos të na e shesë për patriotizëm, për Shqipërinë, për integrimin! Aq më pak si rekomandim i konsultimeve me ndërkombëtarët. “Hold your horses”! (mbaji kuajt), thonë në Amerikë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.