Pse pakti i Qeverisë për Universitetin nuk i jep asnjë zgjidhje problemeve të studentëve

0

Nga Luan Rama

Do të duhej të protestonin studentët, që më së pari Qeveria dhe Kryeministri i saj, e më tej edhe opinioni qytetar, të mësonin se e vërteta në universitetet tona është pothuaj e mjeruar dhe skadaloze. E kur duhej reflektim dhe angazhim i përgjegjshëm për ndreqjen e gjendjes, duke nisur me plotësimin e kërkesave të studentëve, e mandej me Paktin për Universitetin, që në fakt do të duhej të ishte Pakti Kombëtar për Arsimin, në të cilin të përcaktoheshin detyra e përgjegjësi për të gjithë aktorët; politikë, shkencorë, universitarë e qytetarë, duke e vlerësuar dhe konsideruar arsimin si prioritet kombëtar.

Mirëpo, i denoncuar prej kontrastit alarmant mes standardeve të përgjegjshmërisë së studentëve e papërgjegjshmërisë së Qeverisë, Kryeministri nisi një turi hipokrit në mjediset universitare, duke nxjerrë në pah arrogancën e vet dhe mungesën e durimit e të përqendrimit për t’u përballur me studentët dhe problemet e tyre, shumica e të cilave kanë për shkaktar atë vetë, pra Kryeministrin dhe paaftësinë e tij.

Për ta argumentuar këtë që sapo thashë, po veçoj në morinë e problemeve vetëm njërin dhe që nuk ka të bëjë vetëm me universitetet publike, por me të gjithë universitetet dhe shkollat e larta në vend ku ka fakultete të drejtësisë.

Paradoksi i një diplome dhe gënjeshtra e qeverisë!

Diplomohen në fakultetin e drejtësisë, por nuk janë juristë! Sepse, edhe pse kryejnë 5 vjet ( 3+2 )në fakultetin e drejtësisë, ata nuk diplomohen si juristë, nuk e fitojnë të drejtën e ushtrimit të këtij profesioni! Dhe kjo nuk ndodh vetëm me studentët që diplomohen në fakultetin e drejtësisë të Universitetit të Tiranës, por me të gjithë studenten e drejtësisë në të gjithë universitetet apo shkollat e larta në vend!

Arsyeja? Sepse, që prej vitit 2015 Ministria e Arsimit dhe ajo e Drejtësisë, nuk kanë përmbushur detyrimin që përcakton “Ligji për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë”, në nenit 82, në pikën 2 të të cilit shprehimisht thuhet se: “Personat që kanë kryer studimet e integruara në drejtësi, ose në një program të ciklit të dytë të studimeve, të barazvlefshëm me to, mund të konkurrojnë për t’u përgatitur si gjyqtarë, prokurorë, avokatë, noterë, avokatë të shtetit, përmbarues privatë ose shtetërorë, si dhe juristë në administratën shtetërore, qendrore apo vendore, pasi të kenë kryer provimin e shtetit në drejtësi”. Sakaq, po i njejti nen në pikën 3 të tij përcakton se: “Provimi i shtetit organizohet nga ministria përgjegjëse për arsimin dhe Ministria e Drejtësisë, sipas rregullave dhe procedurave të parashikuara në legjislacionin në fuqi”.

Pra, studentë janë diplomuar në fakultetet e drejtësisë, por ata nuk janë juristë! E nëse i pyet se çfarë profesioni kanë, referuar diplomës që kanë marrë, ata nuk të thonë dot se janë juristë, sepse nuk janë ende të tillë, pa kryer edhe provimin e shtetit në drejtësi!

Në pikë 7 të nenit 124 të

Ligjir Nr. 80/2015“Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë”, është vendosur se: “Të gjitha institucionet e arsimit të lartë, që ofrojnë̈ programe studimi të ciklit të dytë në fushën e drejtësisë̈, fillojnë̈ zbatimin e programeve të integruara në vitin akademik 2017-2018. Mirëpo, as në atë vit dhe as në këtë tjetrin 2018-2919, nuk ka filluar zbatimi i programeve të integruar!Pra, sfudentët e diplomuar në fakultetet e drejtësisë në të gjitha universitetet në vend, kanë kryer studimet e larta, por nuk kanë profesion, sepse nuk marrin dot titullin jurist, nuk e fitojnë dot të drejtën për të qenë juristë!

Çfarë problemesh krijon moszbatimi i ligjit prej Qeverisë?

Fakti që studentët që diplomohen në fakultetin e drejtësisë nuk e fitojnë të drejtën për të qenë juristë, është vetëm njëra anë e problemit. Ana tjetër, po aq, në mos më e rëndësishme ka të bëjë me pamundësinë e tyre për t’u punësuar apo për të qenë konkurrues në tregun e punës, sidomos referuar reformës në drejtësi pikë së pari.

Sepse, në kriteret për të qenë konkurrues për të gjitha nivelet e institucioneve të qeverisjes së organeve të drejtësisë, kushti i parë është që duhet të jesh jurist! Pra, mundësia që organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë dhe administrata e tyre të “ushqehen” me juristë të rinj është zero!

Me moszbatimin e detyrimit ligjor për organizimin e provimit të shtetit në drejtësi, qeveria u ka bllokuar të gjitha mundësitë studentëve që kryejnë fakultetin e drejtësisë, për të fituar profesionin e juristit, e për pasojë, u ka bllokuar atyre mundësinë për të qenë konkurrentë për të gjitha nivelet e mundshme në kuadër të reformës në drejtësi.

Por Qeveria, besoj prej paaftësisë, pra prej injorancës e jo për keqdashje, u ka bllokuar diplomantëve në fakultetet e drejtësisë edhe mundësinë për të konkurruar në shkollën e magjistraturës, sepse edhe për të konkurruar për magjistratë, duhet më parë të jesh jurist!

Pra, qeveria i ka gënjyer dhe vazhdon t’i gënjejë studentet e drejtësisë, i ka mashtruar dhe vazhdon t’i mashtrojë, i ka bllokuar dhe vazhdon t’i bllokojë ata, duke iu dhënë në dorë një diplomë të pavlerë, me të cilën nuk mund të shkojnë gjëkund.

Edhe premtimi për punësim pa konkurs i studentëve të ekselencës, eshtë vetëm demagogji dhe mashtrim, sepse në të gjitha ato vende hipotetike të punës ku një nga kriteret është për të qenë jurist, nuk mund të punësohet askush pa kryer më parë provimin e shtetit në drejtësi. Kjo do të thotë se edhe ata të diplomuar, të paktën prej vitit 2012 e tëhu që nuk e kanë në diplomë profesionin juristë, që janë punësuar juristë në vende pune në administratën publike ku njëri nga kriteret ka qenë ai i tê qenit jurist, janë emëruar në kundërshtim me ligjin!

Sot pra, pa kryer provimin e shtetit në drejtësi, nuk mund konkurrosh as për t’u bërë gjyqtar, as për t’u bërë prokuror, as për t’u bërë avokat, as për t’u bërë noter, as për t’u bërë përmbarues dhe as për të punuar jurist në çdo nivel të administratës shtetërore!

Kjo është e vërteta, dhe për paradoks të të gjithë talljes së qeverisë me studentët, edhe në Paktin e Qeverisë për Universitetin nuk gjen asnjë fjalë për zgjidhjen e këtij problemi! Ja pra se si Qeveria jo vetëm i gënjen, por edhe i pengon studentët, duke mos zbatuar ligjin!

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.