Home Sociale Qeveria përcakton modelin e financimit të Universiteteve

Qeveria përcakton modelin e financimit të Universiteteve

0

Qeveria miratoi në mbledhjen e sotme modelin e financimit të institucioneve publike të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor. Vendimi përcakton sasinë e fondeve që do të përdoren për politikat e zhvillimit, mësimdhënien, si dhe punën kërkimore shkencore.

Sipas vendimit, granti i mësimdhënies përfshin: fondin për institucionet publike të arsimit të lartë, në masën jo më pak se 90%, si dhe fondin e mbështetjes studentore, në masën deri në 10% në vit. Vendimi miratohet në kulmin e debatit mes pedagogëve dhe qeverisë lidhur me zbatimin e ligjit për Arsimin e Lartë, por edhe vonesave të krijuara në pagat e tyre.

Vendimi i plotë

MIRATIMIN E MODELIT TË FINANCIMIT TË INSTITUCIONEVE PUBLIKE TË ARSIMIT TË LARTË DHE KËRKIMIT SHKENCOR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 110, pika 2, 111, 112 e 113, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave.

V E N D O S I:

Financimi nga buxheti i shtetit i institucioneve publike të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor shpërndahet në formë granti, i përbërë nga:

a) granti i politikave të zhvillimit për institucionet publike të arsimit të lartë, i cili të jetë deri në 10% të totalit të grantit vjetor;

b) granti i mësimdhënies, i cili të jetë jo më pak se 85% të totalit të grantit vjetor;

c) granti i punës kërkimore-shkencore dhe i veprimtarive krijuese, i cili të jetë 5% deri në 10% të totalit të grantit vjetor.

Përdorimi i fondeve publike nga buxheti i shtetit për institucionet e arsimit të lartë bëhet në përputhje me kushtet dhe qëllimet e grantit të miratuar.

Fondet e përfituara në formë granti nga institucionet publike të arsimit të lartë dhe të papërdorura në fund të vitit financiar, në përputhje me rregullat dhe standardet e menaxhimit financiar publik, trashëgohen në vitin pasardhës.

Institucionet publike të arsimit të lartë, të cilat planifikojnë fonde për punën kërkimore-shkencore dhe veprimtaritë krijuese nga të ardhurat e tyre, në raport me parashikimin e bashkëfinancimit, kanë prioritet në përfitimin e fondeve grant nga buxheti i shtetit.

GRANTI i POLITIKAVE TË ZHVILLIMIT PËR INSTITUCIONET PUBLIKE TË ARSIMIT TË LARTË

Granti i politikave të zhvillimit për institucionet publike të arsimit të lartë përfshin, si më poshtë:

a) Fondin për mbështetjen e institucionit dhe të infrastrukturës akademike;

b) Fondin e projekteve konkurruese për zhvillimin e institucioneve publike të arsimit të lartë.

Fondi për mbështetjen e institucionit dhe infrastrukturës akademike shpërndahet mbi bazën e renditjes së institucioneve publike të arsimit të lartë, të kryer nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI).

Fondi i projekteve konkurruese për zhvillimin e institucioneve publike të arsimit të lartë shpërndahet mbi bazën e projekteve që paraqesin këta institucione, sipas kritereve të përcaktuara në strategjitë sektoriale dhe në ligjin vjetor të buxhetit.

Ministria përgjegjëse për arsimin miraton me udhëzim prioritetet, termat e shpërndarjes dhe formën e aplikimit për grantin.

Ministria përgjegjëse për arsimin miraton grantin e politikave të zhvillimit të institucioneve publike të arsimit të lartë, mbi bazën e aplikimit apo të prioriteteve strategjike të zhvillimit të vendit.

III. GRANTI i MËSIMDHËNIES

Granti i mësimdhënies përfshin:

a) fondin për institucionet publike të arsimit të lartë, në masën jo më pak se 90%;

b) fondin e mbështetjes studentore, në masën deri në 10% në vit.

Fondi institucional u shpërndahet institucioneve publike të arsimit të lartë, sipas një formule, në bazë të elementeve të mëposhtme:

a) Numrit të studentëve që ndjekin ciklin e parë të studimeve, një program të integruar të studimeve ose në një program të studimeve profesionale, në një vit akademik, të cilët konvertohen në njësi financimi. Financimi i IAL-ve do të kryhet me bazë studentin;

b) Koeficientëve të financimit, sipas programit të studimit të ndjekur, bazuar në koston mesatare për student, sipas shtojcës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;

c) Koeficientit të prioriteteve ose financimit shtesë, në masën 5% për studentët që ndjekin programe prioritare, të përcaktuara në dokumentin e prioriteteve që ministri përgjegjës për arsimin miraton dhe shpall çdo vit sipas drejtimeve kryesore dhe në masën 10% për studentët që ndjekin programe studimi me karakter profesional;

ç) Shumës të të ardhurave nga tarifat e studimit të përllogaritura për çdo IAL, bazuar në numrin e studentëve të regjistruar dhe nivelin e tarifës tavan të shkollimit, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave për çdo program studimi për studentët që ndjekin ciklin e parë të studimeve, programet e integruara të studimeve, si dhe një program të studimeve profesionale;

d) Për një periudhë kalimtare dy deri tre vjet, në përllogaritjen e formulës/masës së financimit për institucionet publike të arsimit të lartë do të konsiderohet rivlerësimi/ekualizimi, bazuar në nevojat specifike të tyre.

Fondin e mbështetjes studentore deri në 10% të fondit vjetor të marrë në formë granti. Përdorimi i këtij fondi përfshin tri kategori financimi:

a) Bursat e studimit për studentët e shkëlqyer;

b) Bursat e studimit për studentët në programet e studimit që përbëjnë prioritet kombëtar;

c) Bursat e studimit për studentët që u përkasin shtresave sociale në nevojë.

Bursat e studimit për studentët e shkëlqyer u jepen studentëve me notë mesatare maksimale në hyrje, në rang vendi, pavarësisht nga programi i studimit dhe institucioni në të cilin ata kanë zgjedhur të ndjekin studimet. Studenti vazhdon të përfitojë nga ky grant nëse rezultatet e tij, gjatë të gjitha viteve të studimit, vazhdojnë të jenë të shkëlqyera.

Bursat e studimit për studentët që kanë zgjedhur të ndjekin programet e studimit në institucione publike të arsimit të lartë, që përbëjnë prioritet kombëtar, iu shpërndahen studentëve që studiojnë në fushat e përcaktuara si të tilla me vendim të Këshillit të Ministrave.

Bursat e studimit për studentët që u përkasin shtresave sociale në nevojë iu shpërndahen studentëve që janë shpallur fitues në institucionet publike të arsimit të lartë dhe plotësojnë kriteret për t’u konsideruar si studentë në nevojë, të përcaktuar si të tillë me vendim të Këshillit të Ministrave.

GRANTI i PUNËS KËRKIMORE-SHKENCORE DHE VEPRIMTARIVE KRIJUESE

Granti i punës kërkimore-shkencore dhe veprimtarive krijuese përfshin fondet për kërkimin shkencor. Ky grant është i hapur për konkurrimin/aplikimin për të gjitha institucionet e arsimit të lartë të akredituara që zhvillojnë kërkim shkencor.

Institucionet e arsimit të lartë të llojit universitet dhe akademi aplikojnë për të përfituar nga ky grant dhe për financimin e studimeve të doktoratës.

Nga ky fond përjashtohet financimi i ngarkesës së pedagogëve për udhëheqjen e doktoratës.

Shpërndarja e fondeve të kësaj kategorie, të miratuara në formën e një granti të punës kërkimore-shkencore, realizohet nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI), mbi bazën e projekteve që institucionet paraqesin dhe duke mbajtur në konsideratë treguesit kryesorë për projektet kërkimore-shkencore dhe veprimtarinë krijuese të IAL-ve, të renditur, si më poshtë vijon:

a) Numrin e fakulteteve dhe departamenteve të IAL-ve;

b) Numrin e stafit akademik me titujt “Profesor”, “Profesor i asociuar”, me gradën shkencore “Doktor” dhe “Master”;

c) Numrin e programeve të studimit në ciklin e parë dhe numrin e programeve të studimit të akredituara në ciklin e dytë;

ç) Numrin total të studentëve në ciklin e parë “Bachelor”, ciklin e dytë “Master shkencor”, “Master profesional”, programet e interguara të studimit dhe ato të ciklit të tretë;

d) Numrin total të laboratorëve didaktikë të IAL-ve, të laboratorëve kërkimorë–shkencorë ekzistues të IAL-ve dhe numrin e laboratorëve kërkimorë–shkencorë ekzistues të akredituar të IAL-ve;

dh) Numrin e stafit ndihmës akademik që punon në laboratorët kërkimorë–shkencorë të IAL-ve dhe atyre që përdorin laboratorët kërkimorë–shkencorë;

e) Numrin total të studentëve të tri cikleve të studimit që përdorin laboratorët kërkimorë – shkencorë;

ë) Numrin e artikujve shkencorë të botuar në vitin akademik jashtë vendit nga stafi akademik i IAL-ve në revista me Impact Factor , të listës Tomson Reuters;

f) Numrin e artikujve shkencorë të botuar në vitin akademik brenda vendit në revista shkencore nga stafi akademik i IAL-ve, si autor/bashkëautor;

g) Numrin e monografive shkencore të botuara në vit brenda vendit nga stafi akademik i IAL-ve, autor/bashkëautor;

gj) Numrin e monografive shkencore të botuara në vit jashtë vendit nga stafi akademik i IAL-ve, autor/bashkëautor;

h) Numrin e konferencave dhe aktiviteteve shkencore të organizuara nga IAL-të në vitin akademik;

i) Numrin e stafit akademik të IAL-ve që ka marrë pjesë me referim e kumtesa shkencore në konferenca/seminare/kongrese shkencore, brenda dhe jashtë vendit, autor/bashkëautor;

j) Numrin e patentave të regjistruara nga stafi akademik i IAL-ve, në Drejtorinë e Përgjithshme të Patentave e Markave, në Shqipëri e jashtë, autor/bashkëautor;

k) Numrin e projekteve/kontratave kombëtare kërkimore–shkencore, të fituara e të zbatuara nga stafi akademik i IAL-ve;

l) Numrin e projekteve/kontratave ndërkombëtare kërkimore–shkencore të programeve të BE-së për kërkimin shkencor e inovacionin, ku stafi akademik i IAL-ve ka qenë pjesëmarrës, në rolin e drejtuesit të projektit dhe/ose të partnerit;

ll) Numrin e projekteve/kontratave ndërkombëtare kërkimore–shkencore në vit akademik, të karakterit të bashkëpunimit dypalësh IAL + universitet homolog jashtë vendit, ku stafi akademik i IAL-ve ka marrë pjesë;

m) Numrin e projekteve/kontratave ndërkombëtare kërkimore–shkencore IPA, ERASMUS në vit akademik, ku stafi akademik i IAL-ve ka qenë pjesëmarrës, në rolin e drejtuesit të projektit dhe/ose partnerit;

n) Numrin e projekteve/kontratave ndërkombëtare ERASMUS, IPA, si dhe projekteve të tjera ndërkombëtare, ku stafi akademik i IAL-ve ka qenë pjesëmarrës, në rolin e partnerit apo të drejtuesit të projektit;

nj) Numrin e çmimeve ndërkombëtare dhe kombëtare për veprimtari kërkimore–shkencore të marra nga stafi akademik i IAL-ve;

o) Numrin e bursave individuale që ka përfituar në vit akademik stafi akademik i IAL-ve për specializime afatgjata e afatshkurtra jashtë vendit;

p) Numrin e individëve, studentë e pedagogë të huaj, që kanë kryer mobilitet akademik në vitin akademik pranë IAL-ve dhe numrin e stafit akademik të IAL-ve që ka kryer mobilitet akademik në vitin akademik në universitete jashtë vendit;

q) Numrin e projekteve/kontratave të përbashkëta kërkimore me sektorin e biznesit nga stafi akademik i IAL-ve.

Vlerësimi i cilësisë së kërkimit shkencor përbën kriterin bazë të renditjes së institucioneve të kërkimit shkencor nga AKKSHI-ja dhe të përcaktimit të masës së financimit të përfituar nga Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë, për IAL-të publike. Institucionet e kërkimit shkencor marrin masa për vlerësimin dhe sigurimin e brendshëm të cilësisë, nëpërmjet njësisë përkatëse, përbërja dhe funksionimi i së cilës përcaktohen në statutin ose rregulloren e institucionit përkatës.

DISPOZITA TË FUNDIT

Zbatimi i skemës së financimit, sipas këtij vendimi, për institucionet publike të arsimit të lartë kryhet sipas udhëzimit të përbashkët të ministrit përgjegjës për financat dhe ministrit përgjegjës për arsimin.

Fondet e buxhetit të shtetit, të miratuara në formë transferte për “Shoqëritë e trajtimit të studentëve”, sh.a., në Tiranë dhe në rrethe, paguhen në llogarinë bankare të përfituesit nga struktura përgjegjëse për thesarin, me urdhër të njësisë së qeverisjes së përgjithshme dhënëse dhe me paraqitjen nga kjo e fundit të dokumenteve justifikuese të shpenzimit (situacion, fatura, listëpagesa etj).

Kompetencat dhe funksionet e AKFAL-it do të ushtrohen nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, deri në momentin e ushtrimit të plotë të funksioneve dhe të kompetencave nga AKFAL-i.

Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe institucionet publike të arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here