Home Editorial Rama po bën krim me inceneratorët dhe ligjin e mbetjeve

Rama po bën krim me inceneratorët dhe ligjin e mbetjeve

0

Kryeministri i vendit, Edi Rama vetëm pak kohë më parë, deklaroi se nuk ka ndërmend që të tërhiqet nga ligji për importin e plehrave, por përpara se ta kalojë atë në parlament me dhunën e shumicës së votave që disponon në këtë legjislaturë, do të zhvillohen konsulta publike.

Në daljen e fundit kur edhe foli për këtë çështje në emisionin “5 pyetje nga Babaramo”, Rama deklaroi:

“Projekti që ne tërhoqëm nuk është import plehrash, por mundësi importi për industrinë e riciklimit për dru, kartonë, qelq dhe alumin. E kemi tërhequr për një arsye të thjeshtë, për të mos lejuar intoksikimin deri në verbëri të një pjese të opinionit nga të gjithë matrapazët e plehrave që bëjnë politikë me plehrat dhe pleh me politikën. Nuk do e aktivizojmë [ligjin] derisa të detoksikojmë atë pikë të opinionit që ka arsye të besojë dhe dyshojë, për atë ç’ka ka parë në këtë çerek shekull në këtë vend, që të ketë besim për një çështje kaq sensitive”.

Disa nga këta “matrapazë të plehrave” kanë mbërritur, nga Gjermania në Tiranë. Dhe janë specialist të shquar ndërkombëtarë, të kësaj fushe.

Aleanca Kundër Importit të Plehrave (AKIP), njofton se dy eskpertë gjermanë të mbetjeve, do të zhvillojnë sot një diskutim të hapur për ligjin e importit të plehrave dhe ndërtimin e inceneratorëve në Shqipëri. Dy studiuesit Lulzim Baumann dhe Stefan Schatz do të bisedojnë me aktivistë e përfaqësues të shoqërisë civile në orën 19:00, tek Komiteti-Kafe Museum.

Sipas AKIP, biseda do për përqëndrohet në vendimet e fundit të Qeverisë Rama për ndërtimin e tre inceneratorëve në Elbasan, Fier, dhe Tiranë për djegien e mbetjve dhe për ligjin e imporit të plehrave.

Njoftohet se disa nga çështjet kryeosore që do të trajtohen nga Zoti Baumann dhe Zoti Schatz janë:

Sa transparente dhe të konsultuara me komunitetin janë vendimet e qeverisë për ndërtimin e inceneratorëve?

Sa të përputhshme janë këto vendime me strategjinë reale që vetë qeveria ka miratuar për menaxhimin e mbetjeve?

Sa shanse reale ka që me djegien e plehrave Shqipëria të gjejë zgjidhjen e kërkuar për menaxhimin e mbetjeve?

Sa e qëndrueshme është kjo zgjidhje në afatgjatë për Shqipërinë?

Cilët janë parametrat teknike që këto inceneratorë kanë përshtatur krahasuar me standardet e BE?

 Sa është niveli i ndotjes që këto inceneratorë prodhojnë?

Lulzim Baumann dhe një grup specialistësh nga Gjermania kanë botuar edhe më herët një studim ku shpjegohej, se përse miratimi i ligjit të importit të plehrave në Shqipëri do të ishte i dëmshëm për vendin tonë ndaj nuk rekomandohet të miratohet.

Studimi, i inicuar nga Lulzim Baumann, inxhinier mjedisor dhe Fondacioni gjerman Marion Dönhoff, bazohet në analizimin e projektligjit aktual që pritet të miratohet nga shumica socialiste, në intervista me ekspertë shqiptarë dhe ndërkombëtarë dhe në analizimin e një sërë faktorësh që do të kenë ndikim të drejtëpërdrejtë në zbatimin e ligjit.

Studimi thekson, ndër të tjera se  nuk është e rekomandueshme që ky projektligj të miratohet, pasi  ekziston rreziku i lartë që leja për importimin e llojeve të caktuara të mbetjeve jo të rrezikshme, siç parashikohet në ligjin nr. 92/2016, do të rrisë në të njëjtën kohë importimin e paligjshëm të mbetjeve të rrezikshme në Shqipëri pasi mekanizmat e kontrollit dhe monitorimit mund të anashkalohen relativisht lehtë.

Por cilat janë disa nga përfundimet kryesore të këtij studimit?

Lejimi i importit të mbetjeve në këtë pikë ka të ngjarë të dëmtojë ambiciet e Shqipërisë per anëtaresimin në BE pasi do ta bëjë më të vështirë që ajo të përmbushë kriteret kryesore të “Luftës kundër Korrupsionit” dhe “Luftës kundër Krimit të Organizuar”, si dhe Standardet e BE-së për mjedisin dhe shëndetin publik.

Shumë vendimmarrje, sipas projektligjit, janë të përqendruara në duart e Ministrit të Mjedisit dhe të  Financave (vendimet për licencimin, monitorimin, autorizimet e kontrolleve, aktet nënligjore, etj.)

Skaneri në portin e Durrësit nuk mund të zbulojë lidhjet shumë helmuese, komponimet kimike, drogat ose azbestet, por vetëm eksplozivë dhe mbetjet bërthamore.

Rreziqe shtesë lindin nëse stafi në doganë është i prirur ndaj korrupsionit, pasi ka shumë mundësi për të kalaur importet ilegale dhe për të manipuluar sistemin e kontrollit doganor, p.sh. duke manipuluar dokumentet e ngarkesës, duke keqinterpretuar me qëllim ose duke neglizhuar praninë e objekteve të dyshimta në vlerësimin e imazheve të skanerit, ose duke manipuluar të dhënat e imazhit të skanerit.

Importet ilegale të mbetjeve të rrezikshme do të kenë pasoja të rënda për mjedisin, shëndetin publik dhe për ekonominë (bujqësia, turizmi) dhe mund të ngarkojë buxhetin kombëtar me kosto të larta të pastrimit dhe rehabilitimit.

Ndëshkimet që parashikohen në projektligj janë shumë të ulëta për të dekurajuar në mënyrë efektive krimin e organizuar.

Formulimi i fjalive në projektligj shpesh është tepër i paspecifikuar (p.sh. është e nevojshme të përcaktohet “Lista e Gjelbër” si “Lista e Gjelbër e BE-së” apo bëhet fjalë për diçka tjetër?).

Projektligji mund të dobësojë përpjekjet kombëtare për riciklim, pasi nuk përmban stimuj për riciklimin kombëtar.

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here