Home Opinion Rama po takson shqiptarët, për të pasuruar pronarët e mediave!

Rama po takson shqiptarët, për të pasuruar pronarët e mediave!

0

Nga Andi Bushati

Të martën, në komisionin parlamentar të mediave, u zhvillua një diskutim gjysëm perfid dhe gjysëm i pafajshëm, ndërmjet deputetëve që i përkasin PS-së. Disa mbronin idenë se taksa për televizionin që u merret shqiptarëve sëbashku me faturën e dritave duhet shtuar dhe disa të tjerë, se ajo duhej të mbetej aq sa është: pra 1 mijë lekë të vjetra. Debati që në fakt mund të konsiderohet si një shfaqe mes atyre që i dinin qëllimet e mbrapshta të qeverisë dhe atyre që ishin braktisur në parëndësinë e harresës, u zhvillua ndërmjet njërës palë që pretendonte se taksa duhej paguar sipas numrit të aparateve televizivë që ka çdo familje, apo biznes dhe palës tjetër që këmbëngulte se ajo duhet të ishte e nëjtë.

Por, përtej kësaj përplasjeje, në sipërfaqe xhenuine, fshihet një nga projektet me djallëzore që po përpilohet në zyrën e kryeministrit. Ai është i thjeshtë: nëse deri më tani taksapaguesit e vendit derdhnin para vetëm për të financuar TV publik, ata këtej e tutje duhet të paguajnë dyfishin dhe më shumë, që pjesa e shtuar e parave të shkojë në xhepat e pronarëve të mediave private.

Tani është një “sekret publik”, nuk ka gazetar që nuk e di, se bosët kryesorë të mediave në vend kanë zhvilluar disa takime në zyrën e kryeministrit për të vënë në jetë projektin që i lejon atyre të pasurohen me taksat e shqiptarëve.

Natyrisht, kushdo e kupton që ky projekt i çartur është një grabitje e pastër. Kushdo është i ndërgjegjshëm se kjo është përpjekja e fundit për kapjen e televizioneve më të mëdhej në vend që edhe kështu siç janë, ngjajnë përditë e më shumë me ER TV. Kushdo s’mund të ketë asnjë dyshim, se kemi të bëjmë me një nismë që shkallmon tregun, ul edhe atë pak transparencë që ka mbetur dhe e bën qeverinë pronare reale të ekraneve kryesore të Shqipërisë.

Por, thënë këto, problemi është edhe me i rëndë.

Sepse ai lidhet me një strategji të qartë, të ravijëzuar që në fillim të pushtetit të saj nga klika ramiste, për t’i përqëndruar mediat vetëm në pak duar në mënyrë që t’i kontrollonte më lehtë.

Plot tre vite më parë, në maj vë 2015, socialistët dolën në skenë me atë që shumëkush sot e ka harruar dhe që u njoh si amendamenti Balla. Atëherë, nën trysninë e lobeve të fuqishme mediatike, Taulant Balla propozoi shfuqizimin e nenit 62 të ligjit për mediat audiovizive.

Në thelb, ky nen që promovonte pluralizmin në media. Ai ndalonte që televizionet kombëtare dhe platformat dixhitale të ishin nën kontrollin e një njeriu të vetëm (asnjë pronar nuk lejohej të kishte më shumë se 40%) për të mos i përdorur ato si kioska për përfitimet e familjes së vet biologjike, si shantazh për leje ndërtimi, koncesione etj.

Fakti që një eksponent i rëndësishëm i mazhorancës (natyrisht jo me kokën e tij) donte t’i vinte shkelmin këtij kushti thelbësor për lirinë e mediave, i alarmoi institucionet ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë, edhe Këshilli i Europës edhe OSBE ngritën zërin për përqëndrimin e pushtetit mediatik në dorën e një grupi të vogël njerëzish. Alarmet e tyre natyrisht nuk u shikuan dhe dëgjuan nga shumica e teleshikuesve shqiptarë, sepse pothuajse askush nuk i transmetoi ato.

Megjithëatë, shumica ramiste, falë presionit ndërkombëtar u duk sikur u tërhoq. Por vetëm përkohësisht. Atë nismë që s’e realizoi dot me dorën e deputetëve, Edi Rama e zgjidhi me ndihmën e gjyqtarëve, që sot i anatemon aq shumë. Për një nga turpet e saj më të mëdha, Gjykata kushtetuese, të cilën sot po e shkërmoq vettingu, vendosi fiks ashtu siç kishte kërkuar Taulant Balla, t’a shfuqizonte nenin e famshëm 62.

Ajo i hapi rrugë grumbullimit të pushtetit mediatik në pak duar. Ajo sanksionoi, me këtë vendim të kërkuar nga qeveria, se jo vetëm që televizionet më të mëdhenj në vend mund të jenë pronë e një aksioneri të vetëm, por edhe gjendejn aktuale, pra, që ato t’i shërbejnë një familjeje të vetme. Kushdo që punon sot në një nga këto media e ka parë se ato janë kthyer në zyra punësimi të grave apo motrave, kunetërve apo vllezërve, bijve apo bijave, nuseve apo dhëndurëve të pronarëve. Kushdo që ndjek trajektoren financiare të tyre, e di mirë se ato nuk i shërbejnë asnjë gjëje tjetër veçse interesave, tenderave, lejeve, koncesioneve apo PPP, që çojnë para në llogaritë e aksionerëve të vetëm.

Pikërisht këtë deformim të madh që u ndodhi mediave në epokën Rama, e vuri re edhe një studim i fundit investigativ mbi “Monitorim e Pronësisë së Medias-Shqipëri” që u publikua nga BIRN (shiko shkrimin poshtë). Ai theksonte me shqetësim se vetëm 4 familje kanë në teritorin shqiptar monopolin e informimit, duke arritur shifrën e frikshme deri në 58% të audiencës kombëtare.

Pra Rama e realizoi edhe në sferën mediatike skemën e tij të afishuar: ashtu sikurse kontrollon ekonominë, duke zhvatur të vegjlit dhe duke u dhënë një grushti oligarkësh, po me të njëjtën mënyrë, ai monopolizoi dhe informacionin.

Pas kësaj, pas arritjes së këtij synimi, filloi faza e dytë, ajo e korruptimit deri në palcë të kësaj bande të vogël pronarësh. Asnjëri prej tyre nuk mund të ngrejë dorën për të thënë se nuk ka përfituar në këto pesë vite qoftë edhe një pasuri publike (përpos liçencës televizive) ndërsa më të mëdhenjtë kanë gllabëruar lejet e kullave të Tiranës dhe fondet e projekteve 1 miliard euro.

Por sikur e gjitha kjo badërdi të mos mjaftonte, Edi Rama po planifikon tani shtrëngimin edhe më të prangave të lirisë së shtypit duke dashur t’i riblejë këta pak pronarë me shtimin e taksës që do t’u shtojë qytetarëve për aparatet e televizinëve që kanë në shtëpi.

Projekti është në fazë të avancuar dhe të gjitha palët po fërkojnë duart. Të vetmit që trajtohen si viktima janë si gjithmonë, ata më të dobtit, në këtë rast telespektatorët.

Ata jo vetëm janë zhveshur nga mundësia e një pushteti të katërt të pavarur, aq të domosdoshëm në një demokraci, ata jo vetëm janë privuar nga një informim i drejtë dhe i ndershëm, por tani, kulmi i kulmeve, duhet të paguajnë nga xhepat e tyre atë që fitojnë gjatë ditës, për të dëgjuar gënjeshtra kur hapin TV-në në darkë.

Dhe e dini se përse do të shërbejë kjo shifër afro 10 milionë euro që do të ndahet çdo vit vetëm mes pak pronarëve mediatikë?

Për t’a kuptuar vlen një histori e shkurtër. Kur disa zëra të dobët publikë dhe më pas opozita denoncuan skandalin e dhënies me koncesion të inceneratorëve për djegjen e plehrave, skandalin e parave të zhdukura, moszbatimin e rregullave të tenderimit ndërkombëtar dhe së fundi rrezikun për mjedisin, disa nga televizionet më të mëdha në vend, përgatitën disa reportazhe të gjata dhe të sponsorizuara, ku tregonin se kjo ishte një mrekulli ambientale që rilindja dhe koncesionari po i bënte dhuratë popullit.

Pra ato, jo vetëm që e fshehën realitetin, por nuk nguruan aspak të bëjnë të bardhën të zezë.

Ishte vërtet një skandal, por deri në këtë moment çdo qytetari i lindte e drejta ta merrte në dorë telekomandën dhe ta fikte ekranin duke shfryrë: “Të gjithë të shitur”.

Kurse sot, me projektin e ri të Ramës njerëzit po zhvishen edhe nga kjo liri e fundme. Sepse ata tani janë të përfshirë. Ata do të njerrin para nga xhepi për të mbajtur në këmbë makinerinë e gënjeshtrës. Ata do të derdhin taksa për t’u mashtruar.

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here