Home Kultura Rama: Së shpejti nis rruga alternative në kalanë e Gjirokastrës

Rama: Së shpejti nis rruga alternative në kalanë e Gjirokastrës

0

“Gjirokastra sot nuk është më pasuri e UNESCO-s në rrezik, por ka hyrë në një fazë të re zhvillimi”. Kështu ka deklaruar nga Gjirokastra kryeministri Edi Rama, i pranishëm në aktivitetin e përfundimit të punimeve restauruese në Zonën e Pazarit Historik.

Rama deklaroi se investimet në Gjirokastër do të njohin vijimësi, duke theksuar se së shpejti do të nisë investimi i projektit që do të shmangë qarkullimin e automjeteve në këtë zonë. Ai evitoi të përmendë fjalën “by pass” duke e zëvendësuar atë me temin “rrugë alternative”.

“Gjirokastra është nxjerrë nga lista e rrezikut eminent të UNESCO-s. Gjirokastra është kthyer në qendër të vëmendjes së qeverisë për sa i përket trashëgimisë kulturore, ka parë investime në këto 5 vite më shumë sesa 20 e ca vite pararendëse së bashku. Sot nuk është më pasuri në rrezik, por ka hyrë në një fazë të re. Ky projekt është një kartëvizitë e kësaj faze të re. Sot turizmi nuk është më një dëshirë në Gjirokastër, por një shpresë reale e materializuar në rritjen shumë të konsiderueshme të numrit të turistëve dhe zgjerimin e mundësive të banorëve për të jetuar me turizmin. Mjafton të kemi parasysh shifrat.
Në 2013 numëroheshin zyrtarisht 6000 vizitorë në kala, sot deri në shtator ka 80 mijë vizitorë, ndryshim i shumëfishtë. Në 2013 ishin vetëm 4 vende ku të kaloje natën në Gjirokastër, sot, janë shumë më tepër se kaq. Ne do të vazhdojnë investimet, por njerëzit kanë filluar të shohin se po hapet një rrugë mundësish për gjithsecilin duke transformuar shtëpitë e tyre në bujtina, duke hedhur sytë në hapësirat rurale me tradita, histori, mundësi, natyrë të jashtëzakonshme. Kthimi i syve nga agro-turizmi mund të sjellë kalimin nga situatë mbijetese në situatë jetese normale. Turistët janë të shqetësuar nga automjetet në Pazar, pa llogaritur dëmin që shkaktojnë mbi investime. Së shpejti do të nisë investimi për rrugën alternative, ashtu sikundër besoj që shumë shpejt nuk mund të shohim rezultate konkrete të ndërhyrjeve edhe jashtë kufirit të qytetit”, tha Rama.
Restaurimi i ansamblit të Pazarit Karakteristik në Gjirokastër u nis dy vite më parë, në fund të shtatorit 2016. Projekti i plotë që përfshin mbështetje të vazhdueshme për bizneset dhe promovimin e zonës arrin vlerën e 3.5 milion dollarë dhe është një bashkëpunim i Bashkisë Gjirokastër, Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Ministrinë e Kulturës dhe atë të Zhvillimit Urban.

Qafa e Pazarit e ndërtuar në shekullin e XIX ka qenë një nga më problematikët gjatë 25-viteve të fundit. Ajo i është nënshtruar tri restaurimeve që nga viti 2006, por pavarësisht shpenzimeve të shumta asnjëri nga projektet nuk ka ruajtur deri në fund vlerat e monumentit.

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.