Home Editorial Shfaqja e shëmtuar e qeverisë dhe disa mediave kombëtare televizive

Shfaqja e shëmtuar e qeverisë dhe disa mediave kombëtare televizive

0

Para Gjykatës së Tiranës sot është gjendje “lufte”. Mbi 1 mijë forca policie dhe forca speciale kanë bllokuar gjysmën e Tiranës. Nuk lejojnë të kalojë njeri në rrugën e Gjykatës së Tiranës, as në këmbë. Qindra qytetarë protestojnë për lirimin e 23 qytetarëve nga Kukësi që kundërshtuan vendosjen e taksës.

Deputetët e PD-LSI u konfliktuan për të hyrë në sallën e gjyqit. Qytetarëve të arrestuar nuk u njihen të drejtat si shtetas të Shqipërisë, pasi janë arrestuar natën vonë. Prokuroria ka ndryshuar orën e arrestimit për t’i mbajtur me gjatë sesa e lejon ligji. Një pjesë e tyre janë paraqitur në seancë pa këpucë dhe në gjendjen që janë marrë nga shtëpitë ditën e shtunë në mesnatë.

Pasi janë sjellë vërdallë nëpër komisariate si Kukës, Tiranë, komisariete 3, 4, 5 dhe më në fund janë plasur në një sallë gjyqi që më shumë se institicion drejtësia duket si një proces politik i urdhëruar nga lartë.

Shteti po tregon dhëmbët fort dhe kërcënueshëm. Kryeministri Rama ka dirigjuar sot një skenar dinak ku në vend që mediat radiotelevizive  të transmetojnë lajmin nga gjykata apo protesta e qytetarëve, pasi ky është lajmi kryesor sot, ka sajuar një seancë gjoja analizë dhe raportimi të ministrit të Financave para Erion Braçes

Pra me urdhër mediat ose me saktë shumica e pronarëve mediatikë pasqyrojnë si lajm kryesor ministrin Arben Ahmetaj dhe jo seancën gjyqësore apo protestën para gjykatës. Dhe e mbajnë ekranin e tyre me frekuencë publike, atje ku e don Edi Rama. Kjo është sjellje jo profesionale, jo etike ose më saktë kriminale e kësaj media radiotelevizive, e cila i shërben qeverisë në një moment kritik për të e jo publikut, siç e do ligji për mediat.

Ndërkohë po kaq shqetësuese është shpëlarja e trurit që po u bëhet shqiptarëve ditën e sotme. Kur Tirana është në gjendje “lufte”, mediat nuk japin live nga gjykata, përjashtuar tek-tuk ndonjë televizion. Në mënyrën më të turpshme sot mediat transmetojnë live një takim të Erjon Braçes dhe Arben Ahmetajt. Kjo është qesharake, jo për personazhet, por për funksionet që kanë. Kryetari i Komisionit të Ekonomisë mund të takohet me ministrin e Financave në çdo ditë të mundshme. Mund të pinë kafe, të takohen në zyrë madje të komunikojnë edhe në Facebook për financat.

Por jo sot! Sot nuk mund të marrin gjithë mediat me “dhunë” për të transmetuar live pikëpamjet e tyre për taksën e Rrugës së Kombit. Ahmetaj, Braçe dhe kushdo nga PS kishte 5 vjet për të folur për këtë taksë. Kishin 5 vjet për të sqaruar kuksianët, kosovarët dhe shqiptarët se përse u vendos taksa dhe përse duhej 5 euro. Ajo që po bëjnë sot është vetëm një shfaqje e shëmtuar për të largur vëmendjen nga ajo që po ndodh në Tiranë.

Tirana është në shtetrrethim. Po përballet opozita dhe të arrestuarit me shtetin e Edi Ramës e në një vend normal lajmi do të ishte në gjykatë atje ku është vëmendja kombëtare.

Kjo është ajo që po ndodh sot në Tiranë. Një ngjarje që ka mbërthyer vëmendjen e gjithë Shqipërisë dhe ambasadave të BE. Mënyra sesi do të gjykohen 23 kuksianë nuk ka të bëjë me fatin e tyre personal, por me nivelin e drejtësisë që po instalojmë në Shqipëri. Ka të bëjë me faktin nëse qeveria po kalon vijën e kuqe, atë vijë që tregon nëse një pushtet është demokratik dhe funksionon sipas ligjit, apo në vend po instalohet një regjim autokratik me tipare policore.

Ajo që po ndodh sot në Tiranë do të tregojë se çfarë do të ndodhë dhe në muajt dhe vitet në vijim. Proceset gjyqësore të tilla janë “sondazhi” më i mirë që tregon nëse një qeveri është në anën e qytetarëve apo mendon vetëm si të zgjasë jetën e pushtetit. Sigurisht procesi gjyqësor është i pavarur në një vend normal, por letrat e prokurorisë që dolën dje në darkë, ku dukej një manipulim i hapur ishte dëshmia se policia dhe prokuroria funksiojnë sipas urdhrave të qeverisë dhe jo sipas ligjit.

Media si pushtet i katërt në shumicën e tij nuk është më pushtet mediatik, por pjesë e oligarkisë dhe e kryeministrit.

Marrë nga Koha Jone

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.