Home Opinion Shkenca “plagos” aspirinën dhe magjinë e saj

Shkenca “plagos” aspirinën dhe magjinë e saj

0

MYFTAR BARBULLUSHI/

Prof. dr. Myftar BarbullushiNjë ditë duke ecur në pyll, Reverend Edward Stone rastësisht kafshoi dhe përtypi lëvoren e një shelgu. I bëri përshtypje hidhësia e saj, duke i kujtuar në mendjen e tij shijen e hidhur të drurit të kininës nga e cila nxirret kininë, e njohur si mjekimi i etheve të malaries. Reverendi Eduard, njëkohësisht botanist dhe ekspert në çështjet mjekësore, filloi të mendojë se ndoshta lëvorja e shelgut me hidhtësinë e saj mund të jetë e dobishme për luftimin e etheve të malaries. Në 50 pacientët e parë, përdorimi i lëvores së zierë të shelgut rezultoi me efekte të shkëlqyera në luftën kundër etheve malarike, duke e detyruar mjekësinë e kohës t’u përulej aftësive kuruese të shelgut dhe në veçanti, aftësisë së tij kundër temperaturës së lartë. Vetëm në dekadat e para të shekullit të nëntëmbëdhjetë u arrit të përftohet substanca aktive e shelgut, salicina. Megjithatë, vetëm falë kimistit napolitan Raffaele Piria u zbulua se acidi salicinik, përbërësi kryesor i aspirinës, përftohet nga salicina.

Legjenda urbane insiston se pikërisht në sajë të origjinës napolitane te Raffaeles dhe të vetive thuajse magjike të aspirinës, në 1899 kompania e barnave “Bayer” do t’i vinte aspirinës emrin e shenjtit napolitan, Aspreno. Cila është e vërteta, për fat të keq sot ne nuk e dimë, por një shëtitje në kapelën e Sant’Aspreno al Porto, në Napoli, një kishë e vogël kjo, por e konsideruar si shtëpia e shenjtorit, do të na zbulojë një sekret dhe magji të madhe për kohën. Në këtë kishë, në shekullin e shtatë pas Krishtit, u ndërtua një altar shkëmbor, në fundin e të cilit është një vrimë ku besimtarët fusnin kokën për t’u shëruar nga migrena. Edhe sot ka njerëz që shkojnë atje për të qetësuar dhimbjet e kokës. Gjithsesi, kur nuk qetësohen, pinë edhe një aspirinë.

Megjithëse aspirina konsiderohet një mrekulli e re mjekësore, historia e aspirinës, e cila është e pandashme nga historia e lëvores dhe gjethes së shelgut, fillon shumë vite para Krishtit dhe se virtytet e saj terapeutike përmenden në papirusin Ebers, rreth 2000 vjet para Krishtit. Hipokrati (460-377 B.C.), babai i mjekësisë, i këshillonte pacientët e tij të prekur nga dhimbje të ndryshme, të përdornin lëvoren apo gjethet e shelgut. Edhe sot, fshatarët grekë përtypin gjethet e shelgut për të luftuar dhe madje parandaluar dhimbjet reumatizmale. Por, studimet e fundit gjenetike të botuara pak javë më parë, zbuluan se njeriu i Neandertalit i gjetur në një shpellë në El Sidrón të Spanjës, 48.00 vjet më parë, pasi vuante nga një absces dentar, kishte ngrënë një kërpudhë me përmbajtje penicillium dhe për të qetësuar dhimbjen e dhëmbit kishte përtypur lëkurë shelgu.

hëmbit kishte përtypur lëkurë shelgu. Nëse njeriu i sotëm kur nuk ka aspirinë në shtëpi shkon dhe e gjen atë në farmaci, nëse dikur Neandertali e kërkonte dhe e gjente pa recetë mjeku në shelgjet e rritura në natyrë, atëherë po bimët, të cilat nuk mund të shkojnë në farmaci, si bëjnë për të? Në kushte stresi bimët sintetizojnë metilsalicilat që më pas konvertohet në acid salicilik (aspirinë), të cilën më pas e lëshojnë në atmosferë. Kjo është e vërtetë, pasi studiuesit e Qendrës Kombëtare të Studimit të Atmosferës në Amerikë kanë arritur ta matin atë në një pyll pranë Davisit në Kaliforni. Pak kohë më parë, të njëjtën gjë do ta vërtetonte edhe një studim i botuar në revistën “Nature” nga studiuesit nga Illinois, të cilët për më tepër arritën në një konkluzion shumë interesant, që methylsalicylati (aspirina) çlirohet e përdoret nga bimët për t’u mbrojtur nga insektet e dëmshme dhe gjendjet e stresit mjedisor.

Pikërisht në këtë terren mrekullie te aspirinës, një nga ilaçet më të famshme në botë, mjekuesi universal për çdo dhimbje e sidomos për dhimbjen e kokës, studime pafund që dominuan kryesisht në vitet 1980 dhe 1990, konfirmuan vlerën e aspirinës në parandalimin primar të ngjarjeve të rëndësishme të zemrës dhe të trurit. E për më tepër, e përdorur mbi 10 vjet ajo arrin të parandalojë edhe kancerin e zorrës së trashë dhe të prostatës. Mjekon deri dhe impotencën seksuale po aq sa viagra. Dhe ne i dhamë një aspirine 100 mg çdo individi mbi 40 vjeç për të parandaluar ngjarjet e zemrës dhe të trurit dhe sidomos atyre që kishin predispozitë për sëmundje të zemrës. E shijuam për rreth 40 vjet këtë efekt parandalues dhe e ngritëm në qiell supermenin aspirinë si zbulimin më me vlerë të këtij shekulli.

Por, fatkeqësisht, tre studime gjigande rezultatet e të cilave do të prezantoheshin në Kongresin e Shoqërisë Europiane të Kardiologjisë në muajin gusht të këtij viti, (ASCEND, ARRIVE dhe ASPREE) nuk arritën të tregojnë asnjë vlerë te përdorimit te aspirinës në parandalimin e sëmundjeve të zemrës, trurit apo në uljen e incidencës së kancerit të zorrëve dhe prostatës, duke treguar përkundrazi një tendencë të rritur të ngjarjeve të gjakderdhjes, hemorragjisë te përdoruesit e saj. Zhgënjimi ishte i madh, pasi rezultatet e këtyre studimeve rrokullisën gjithçka që mendonim se dinim rreth misterit që rridhte nga lëvorja e shelgut. Gjithsesi, si gjithmonë shkenca nuk i mbyll të gjithë dyert; vendimi për të përdorur ose jo aspirinën si parandaluese të ngjarjeve të zemrës dhe të trurit duhet të përfshijë një diskutim të kujdesshëm mes klinicistit dhe pacientit, bazuar në profilin e rrezikut të pacientit dhe efekteve të saj, sidomos në të sëmurë me probleme hemorragjike

NË VEND TË MBYLLJES

Aspirinë, mikja ime e vjetër: Natën e mirë, princesha e ëmbël dhe fluturimet e trombociteve të këndofshin në pushimin tënd.

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.