Home Opinion “Shqipëria, një shtet që reformohet me hapa otomane”

“Shqipëria, një shtet që reformohet me hapa otomane”

0

BESART KADIA

Banka Botërore ka krijuar indikatorin “Doing Business” me qëllimin e vendosjes së shteteve në konkurrencë me njëra-tjetrën. Reformimi i vazhdueshëm dhe kalimi i ligjeve në avantazh të sipërmarrjes së lirë janë dy nga indikatorët bazë. Kësisoj, Banka Botërore ofron një pasqyrë të reformave institucionale të ndërmarra nga qeveritë e ndryshme në botë për çdo vit, duke u bazuar në dhjetë indikatorë të ndryshëm për secilën ekonomi të shteteve të botës. Prandaj, edhe Arben Ahmetaj, ministër i Financave, shpeshherë e ka bërë si objektiv të rëndësishëm të qeverisë reformimin e ekonomisë për të arritur pikërisht përmirësimin në renditjen e “Doing Business”. Ja pse lajmi i djeshëm, se Shqipëria është përmirësuar me 2 vende në renditjen globale, duket në pamje të parë një hap dhe masë pozitive. Por si qëndron me të vërtetë Shqipëria dhe si jemi ne me vendet e tjera të rajonit?

Bota, në dhjetë vitet e fundit, ka hyrë në një konkurrencë të re për shkak të krizës financiare që zgjat prej vitit 2008. Që atëherë, shumë shtete patën vështirësi të financave publike dhe konkurrenca me ulje taksash, që dominoi ekonominë botërore gjatë viteve 2000 dhe është shndërruar në konkurrencë për përmirësim institucional. Me këtë në mend, Maqedonia, një vend i vogël, pa akses në port, me tensione të forta etnike e për më tepër me konflikte politike të hapura me fqinjin jugor, Greqinë, ka mundur të jetë mjaftueshëm inovatore sa sot të renditet në vend të 10-të në botë për të bërë biznes. Në raportin e vitit 2010, Banka Botërore do ta titullonte raportin e saj “Të reformohesh në kohë të vështira.” Në atë vit, Maqedonia ndodhej në vend të 69-të dhe kishte si synim primar arritjen e krijimit të një infrastrukture institucionale konkurruese, ku mund të përthithte sa më shumë kapital të huaj në formë investimi. Sot, ajo është një histori suksesi në reformim në ditë të vështira.

Po Shqipëria ku ndodhet në këtë garë? Vendi ynë, gjatë krizës financiare të vitit 2008, ishte në një periudhë konkurrence të vazhdueshme me fqinjin lindor për të nxitur reforma institucionale e kështu me radhë. Shqipëria e gjente veten në vend të 136-të në botë për të bërë biznes dhe vetëm në pesë vjet të arriti në vendin e 85-të falë reformave që ndihmonin klimën e biznesit. Ndërsa sot, pesë vite më vonë, kemi mundur të përmirësojmë renditjen me 22 vende, por sërish mbetemi një ekonomi që ofron një “atmosferë jo shumë pozitive për të përthithur investitorë të huaj”. Krahasimisht Shqipëria ndodhet 21 vende pas Kosovës dhe Maqedonisë, me 53 vende.

Raporti i “Doing Business 2019” tregon se vende me popullsi të vogël e krah pune jo shumë konkurrues mundet të jenë tërheqëse dhe atraktive në ekonominë globale vetëm nëpërmjet lehtësirave institucionale. Por Shqipëria duket si e mbetur në kohët otomane, ku mbizotëron burokracia politike dhe ku ekziston besimi se reformat mundet t’i bëjë me një ritëm të ngadaltë dhe pa cilësi. Kështu, Shqipëria vazhdon të mbetet në vend të 122-të në rang botëror për sa i përket indikatorit “pagesa e taksave”; ku bizneset në vend bëjnë 35 pagesa në vit nga 11 që bëjnë vendet e zhvilluara; dhe paguan ndër taksat më të larta në Europë ku arrin 37.3% të fitimit nga 26% që e kanë vendet e tjera, të cilat performojnë mirë.

Shqipëria pashmangshmërisht e ka jetike thithjen e investime të huaja direkte. Teksa vlera e këtyre investimeve të huaja ka arritur edhe në 1 miliard dollarë këto vitet e fundit, duhet thënë se ne mbetemi shumë pak tërheqës për investime “Greenfield”. Kjo është një formë e investimeve të huaja direkte, ku kompanitë mëmë fillojnë një sipërmarrje të re në një vend të huaj duke ndërtuar objekte të reja operative. Përveç ndërtimit të objekteve të reja, kompanitë mëmë krijojnë vende të reja pune afatgjata në një vend të huaj duke punësuar punëtorë të rinj.

Pikërisht në këtë indikator, Shqipëria ka performancën më të dobët në rajon. Në tre vitet e fundit, Maqedonia ka pasur 51 investime të huaja direkte “Greenfield”, ndërkohë që Shqipëria ka pasur vetëm 10. Specifikisht, në vitin e fundit vetëm 3 të tilla, sipas “Satandere Trade”. Me këtë ritëm, Shqipëria rrezikon të mbetet mbrapa për një kohë të gjatë. Arsyet mbeten të njëjtat: ku taksat janë të larta, korrupsioni është sistematik dhe tepër problematik, një infrastrukturë të pazhvilluar dhe një forcë punëtore që do të largohet nga vendi. Mbetet jetike që reformat ekonomike pro biznes duhet të bëhen primare në politikat e qeverisjes. Fatkeqësisht, hapat e ndërmarra të pesë viteve të fundit tregojnë se Shqipëria i ngjan më tepër një vendi që reformohet me hapa dhe në mënyrë kulturalisht otomane.

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.