Home Kryesore Skandali, Bashkim Fino kandidon si deputet përballë Armando Dukës

Skandali, Bashkim Fino kandidon si deputet përballë Armando Dukës

0

Nuk ka më dilema. Përballja për kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit do të jetë mes kreut aktual, Armando Duka dhe ish-kryeministrit dhe deputetit aktual, Bashkim Fino. Ish-kryeministri ka konfirmuar se do të futet në garë për zgjedhjet që mbahen me datën 7 shkurt. Bashkim Fino deklaroi se ky vendim ka ardhur pas shumë kërkesave që i kanë bërë miqtë e tij për tu bërë pjesë e “Qeverisë së Futbollit”. Në një intervistë të dhënë në televizionin shtetëror, Bashkim Fino foli dhe për përvojën e tij në fushatën e futbollit. Përveç se është një tifoz i flakë i futbollit, Fino shtoi se ka marrë pjesë rregullisht në të gjitha studiot televizive ku është diskutuar për sportin.

Bashkim Fino deklaroi se ishte në garë me mikun e tij,  Armando Duka me të cilin ka njohje që gjatë viteve të universitetit. “Ka kohë që shumë dashamirës të sportit më kanë kërkuar që të jem pjesë e sportit. Besoj se e njoh mirë futbollin. Kjo është koha për t’i dhënë një imazh të ri futbollit tonë dhe për t’i dhënë një tjetër dimension. Kënaqësia ime do të ishte që të kishte edhe kandidatë të tjerë. Unë kam paraqitur një plan, por koha është shumë e reduktuar. Për të bërë një fushatë për president, mbase do të ishte mirë që të bëhej një Asamble, kur të lihej një datë tjetër. Të gjithë kandidatët duhet të kishin një kohë të barabartë, për të bërë një fushatë korrekte për të mirën e futbollit. Fakti që bëhet në këtë mënyrë, i bie që avantazhi i presidentit aktual, bën të mundur që unë të jem në një raport jo të favorshëm”, tha Fino.

Por ajo që shokoi ishte se i pyetur nga gazetarët në studio nëse do ta dorëzoj mandatin e deputetit të PS përderisa ai kandidon, Bashkim Fino tha prerë se “jo”. Pra kandidati që vjen nga zyrat e PS dhe titullar kryesor në atë parti qeverisëse tha se nuk ka pse e dorëzon mandatin e deputetit duke kandiduar për President i FSHF.

Edhe pse kandidatura u shpall dje zyrtarisht, propozimi zyrtar është bërë nga ekipi i Lushnjës në Qarkun e Fierit, ku Bashkim Fino është dhe deputet. Ndërkohë ekipi i Korabit dje propozoi kandidaturën e Aramdo Dukës për një mandat tjetër në krye të FSHF. Ditën e sotme pritet që ekipi i Flamurtarit në Vlorë të mbështesë kandidaturën e Finos. Por duket se shumë bashki të PS-së të cilat financojnë nga buxheti i shtetit ekipet e tyre të futbollit do të votojnë Bashkim Finon. Me sa duket urdhëri politik dhe kryeministror është që e gjithë PS-ja në sulm për të marrë kupolën e futbollit, presidencën e FSHF. Që këtu gara merr ngjyra politike, ndërkohë që kurrsesi futbolli nuk duhet përzier apo kapur nga politika.

Pjesa e kandidimit të një ish-kryeministri duket se është më pak problematikja. Bile Fino njihet si një administrator pushteti i mirë, por ama në politikë. Problemi në këtë garë do të nis me statusin aktual të Bashkim Finos. Ai tha se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen nga mandati i deputetit deri në përfundim të garës. Një deklaratë e tillë, në dukje e zakonshme, është një zhvillim skandaloz për autonominë e futbollit. Bashkim Fino është deputet i Fierit dhe Sekretar Organizativ i Partisë Socialiste. Me këto dy poste, Fino ka nën kontroll gjithë strukturat e Partisë Socialiste në bazë dhe pushtetin vendor. Shumica e votave në Asamblenë e FSHF janë nga ekipet që administrohen nga bashkitë. Indirekt gara është e pandershme që në nisje, sepse të gjitha ekipet që marrin para nga bashkitë me urdhër të kryeministrit do të detyrohen të votojnë për kandidatin e preferuar të partisë. E kemi theksuar se Bashkim Fino mbetet një politikan i zoti dhe me dinjitet personal, por fakti që ai futet me fuqinë e deputetit të PS-së në pushtet, e prish garën. Do jetë në njëfarë mënyrë garë mes Armando Dukës dhe qeverisë së PS-së.

Kjo përplasje u paralajmërua dje nga Armando Duka. Duke komentuar kandidimin e deputetit të PS, Duka tha se do të donte të kishte përballë Bashkim Finon dhe jo Sekretarin Organizativ të Partisë Socialiste.

Me kunjë të egër nuk kishte se çfarë ti thoshte Duka, deputetit Fino, tani kandidat zyrtar për FSHF.

Dje ka nisur vetëm përplasja e parë publike për postin më të rëndësishëm të futbollit. Ironia është se Qeveria dhe PS po e shohin gjoja si garim personal të deputetit Fino. Në fakt nuk është kështu. Në garë është një nga deputetët më të rëndësishëm të PS dhe sekretari më shumë lidhje me interesat e botës së futbollit dhe ekipeve.

Gara do të ishte shumë interesante nëse Bashkim Fino futet pa strukturat e pushtetit vendor të PS-së dhe pa mandatin e deputetit të qeverisë.

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here