Home Speciale Të gjitha ulje-ngritjet e eksperimentit demokratik më të ndërlikuar në botë

Të gjitha ulje-ngritjet e eksperimentit demokratik më të ndërlikuar në botë

0

Eksperimenti demokratik më kompleks i botës, mori formë 61 vjet më parë, nën hijen e zgjatur të luftës më të madhe dhe më të tmerrshme botërore.

Nga ato ditë të para me gjashtë anëtarë, deri tek 28 anëtarët që ka sot (shumë shpejt do të jenë 27, sepse Britania e Madhe po largohet), ka qenë i gjithi, si një rrugëtim me karusel.

Dikur thellësisht e ndarë, Europa është sot shumë më e bashkuar, e padyshim më e pasur.

Megjithatë mbetet ende e debatueshme, se sa shumë prej këtij suksesi, ka ardhur prej ekzistencës së BE dhe direktivave e rregulloreve të hartuara në Bruksel dhe miratuara në Luksemburg.

Ja disa prej momenteve më kyçe:

1957: Big bang-u

Gjashtë shtetet fillestare të Gjermanisë, Francës, Italisë, Holandës, Belgjikës dhe Luksemburgut ribëjnë komunitetin e tyre të qymyrit dhe çelikut, duke krijuar një bashkim doganor, si dhe fillimin e një tregu të përbashkët, të bazuar në lëvizjen e lirë të kapitalit dhe mallrave. E bëjnë këtë përmes Marrëveshjeve të Romës, që krijojnë Komunitetin Ekonomik Europian dhe Komunitetin Europian të Energjisë Bërthamore. Ka shumë Baballarë Themelues, por asnjë Mëmë Themeluese.

Delegacionet marrin pjesë në bisedime, përpara firmosjes së marrëveshjeve të krijimit të Komunitetit Ekonomik Europian në mars, 1957

1958: Lindja e zhargonit të BE

Krijohet Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm (COREPER). Ky është fillimi i gjashtë dekadave akronimesh shumëgjuhëshe europiane, fjalësh të sajuara, dhe formash të tjera të gjuhës. Qytetarët kudo, për aq sa kushtojnë vëmendje, janë të shushatur. Nga semestrat (tremujorët) tek komitologjia, nga Antici tek trilogjet, qytetarët e Brukselit tashmë ndeshin në fjali të çuditshme si kjo: “MPCC e re për CSDP-në do të jetë aty në EUMS”. Zyrtarët nuk marrin asgjë më shumë se një përjashtim 40% nga taksat si kompensim për këtë vështirësi.

Vitet 1960: Përplasja e fortë për tregtinë e lirë

Përgjatë gjithë viteve 1960, EFTA ekziston si një rival i qëndrueshëm ndaj komunitetit të ri europian, dhe me më shumë anëtarë: Austrinë, Britaninë, Danimarkën, Finlandën, Norvegjinë, Portugalinë, Suedinë dhe Zvicrën. Ambiciet e veta më të ulëta mbajnë peng rritjen e Komunitetit Ekonomik Europian, që më pas do të bëhet Bashkimi Europian.

1965-66: Karrikja boshe e De Gaulle

Pesëdhjetë vite grindje të pandalshme për Politikën e Përbashkët Bujqësore, sovranitetin, taksimin e nxitur nga Brukseli dhe përdorimin e votimit të shumicës në Këshillin Europian, u kristalizuan për herë të parë në vitin 1965, kur Charles de Gaulle, i zemëruar, tërhoqi përfaqësuesin e tij të përhershëm nga KEE dhe nuk pranoi të marrë pjesë në samite, deri kur i doli e tija. 

Presidenti francez, Charles De Gaulle, në 1966.

1973: Plus tre, minus një

Nga frika e dobësimit të sovranitetit të tyre shumë të çmuar, fituar dhe humbur dhe fituar sërish në kushtet e Arktikut, norvegjezët i kthyen shpinën “tribusë” së euros, në një referendum mbi anëtarësimin. Disa dekada para se të ndizej flaka, norvegjezët u zhvendosën në të majtë të profilit të KEE, para se të mund të kishin qoftë edhe një shans për të njohur njëri-tjetrin. Do të duheshin dekada, para se të caktohej një datë e dytë. Mbretëria e Bashkuar, Irlanda dhe Danimarka nuk kishin dyshime të tilla (ndoshta për shkak se anashkaluan pjesën e bezdisshme të referendumit), dhe u hodhën drejt e në shtrat me KEE-në.

1979: Cherchez la Femme

E mbijetuara e Aushvicit, Simone Veil, bëhet lidere e të parit Parlament Europian të zgjedhur, dhe Margaret Thatcher bëhet Kryeministre e Britanisë. Do të duhet të kalojë edhe një dekadë, para se ndokush do të mendojë të emërojë një komisionere femër, dy të tjera para se të ketë një tjetër presidente femër të parlamentit, dhe tre dekada para se Cathy Ashton dhe Catherine Day të bëhen, respektivisht, kryediplomate e BE dhe shefe e shërbimit civil. Nuk ka patur asnjëherë një presidente femër të Komisionit apo Këshillit.

1987: Bulldogu francez

Émile Noël del në pension si sekretar i përgjithshëm i Komisionit, pas 30 vitesh në detyrë, që nga dita e parë e Komisionit të ri Europian. Pesë njerëz do e mbajnë këtë post në 30 vitet e ardhshme. Trashëgimia kryesore e maratonës burokratike të Noël është ndikimi i metodave administrative franceze dhe përdorimi i gjerë i frëngjishtes në institucionet europiane.

1989: Rënia e Murit të Berlinit

Momenti dramatik e fut Europën në një epokë të re, ku Lindja dhe Perëndimi konvergojnë. Jo vetëm kaq, ajo shpie në ribashkimin e Gjermanisë dhe rindez debatin se si pjesa tjetër e Europës duhet të mbajë Gjermaninë me këmbë në tokë. Një prej zgjidhjeve do të jetë euro, që është sa monedhë, aq edhe mjet prangosës.

Banorë të Berlinit Perëndimor përpara Murit të Berlinit në nëntor 1989.

1985-1990: Thatcher përballë Delors

Lind arritja e madhe e Jacques Delors, tregu i përbashkët i BE-së – kulmi i një shtatzënie torturuese gjashtë-vjeçare, që filloi me Aktin e Përbashkët Evropian. Edhe pse politika ishte frymëzuar pjesërisht nga Thatcheri, ajo gjithësesi e “luftoi” Delorsin në lidhje me të. Pavarësisht shpërthimeve rritëse dhe faktit që ishte krenaria e “prindërve” të vet eurofilë, tregu i përbashkët i BE ka vuajtur nga ndalimet e zhvillimi, gjatë gjithë periudhës së fillimit. Në fjalimin e saj në Bruges në vitin 1988, Thatcheri shfryu “kundër një supershteti europian që ushtron një dominim të ri nga Brukseli”.

Vitet 1990: Gjakderdhje ballkanike

Jugosllavia shpërbëhet dhe lufta e gjenocidi rikthehen në dyert e Europës. BE, një organ i krijuar për të garantuar paqen, sheh i pafuqishëm teksa fqinjët e vet masakrohen mes tyre, në një seri krizash atavike. SHBA ndërhyn për të bërë bashkë liderët e Ballkanit dhe negociuar marrëveshje paqeje. Konfliktet me motive etnike shuhen vetëm në vitin 2001, dhe BE nis ta fusë rajonin nën krahun e vet.

Dy ushtarë kroatë të Bosnjes kalojnë pranë trupit të një ushtari serb të Bosnjes, i vrarë gjatë sulmit kroat në qytetin e Drvarit në Bosnjen perëndimore, gusht 1995.

1992-1993: Traktati i Mastrihtit

Ky traktat, i firmosur në një qytet të vogël e të fjetur, në pikëprerjen mes Gjermanisë, Belgjikës dhe Holandës, është një pikë kulmore e euro-optimizmit, duke hedhur themelet për euron dhe bashkimin më të gjerë. Mastrihti vendos rregulla të qarta për politikën e jashtme dhe të sigurisë, si dhe drejtësinë dhe çështjet e brendshme. Komuniteti Europian u bë zyrtarisht Bashkimi Europian.

1994: 75 vjet pas shembjes së perandorisë, vijnë Austria e Hungaria

75 vjet pasi Austria humbi perandorinë, ajo pranohet në BE. Për shkak se është futur shumë vonë në grup, ndërtesat madhështore të Vienës nuk mund të përdoren nga BE, dhe Unioni ngec në Strasburgun e zymtë dhe Luksemburg, si “shtëpitë” e tij jashtë Brukselit. Ditën tjetër Hungaria – krahu tjetër i ish perandorisë Austro-Hungareze – bëhet i pari vend ish satelit sovjetik që aplikon për anëtarësim.

1995: Lojëra pa kufi

Përmbyllet Marrëveshja e Shengenit. Nuk ka më kontrolle kufitare! Nuk ka më sherre! Europa do të jetojë jetën në korsinë e VIP-ave, ku s’ka kufij. Ndërkohë që BE rrok imagjinatën popullore me këtë hap përpara, është turp që askush nuk ndalet të krijojë një rojë bregdetare, apo një sistem kompjuterik të unifikuar për të monitoruar ata që hyjnë e dalin në zonën pa viza të kontinentit. (Në një shenjë të gjërave që do të ndodhnin më vonë, Britania e përqesh Shengenin dhe thotë jo faleminderit).

Marrëveshja e Shengenit u përmbyll në vitin 1995.

1998: Fetishi i Bankës Qendrore

Me krijimin e Bankës Qendrore Europiane, BE hyn në garën globale për të ngritur bankierët qendrorë në statusin e pothuaj perëndive. Lëvizje vjen në vijim të ngjitjes së ish kreut të Federal Reserve në SHBA, Alan Greenspan, si dhe pavarësisë së sapofituar të Bankës së Anglisë.

1999: Rebelët e Komisionit

Komisionerët tërhiqen masivisht pas akuzave për mashtrime të përhapura, përfshirë edhe kundër Edith Cresson. Komisionerja franceze pagoi të dashurin e saj të moshuar si anëtar të stafit dhe drejtoio në një kohë kur u zhdukën fondet e BE për kërkime. E gjendur nën sulm, Cresson zhvilloi një interes të gjetur rishtaz tek të drejtat civile, por dështoi në përpjekjen e saj për të krijuar të drejtën e elitave politike që të flejnë me njerëzit e vet, ndërkohë që faturën ua dërgojnë taksapaguesve.

Fillimi i viteve 2000: Kasandra parashikon turbulenca

Komisioni Europian rekomandon që Greqia të bëhet anëtari i 12 i eurozonës, bazuar në tregues ekonomikë të falsifikuar. Ekonomistët kudo paralajmërojnë se qeverisja e eurozonës është e paplotë, e ngjashme me një shtëpi gjysmë të ndërtuar që nuk do të jetë në gjendje t’i bëjë ballë një cikloni.

2002: Para qesharake

Udhëtarët kudo festojnë që nuk u duhet të paguajnë para për normën e këmbimit falë Euros, që shumë shpejt fiton statusin e monedhës Nr. 2 në botë, pas dollarit amerikan – dhe ndërkohë i jep vetes një minë me sahat financiare. Gjermania, që mund ta përballojë borxhin, merr hua më lirë se kurrë për t’u shndërruar në një fuqi globale eksporti, që do të dominojë ekonomitë e tjera europiane. Edhe të tjerë marrin hua si gjermanët, por harrojnë të mbajnë mend se janë spanjollë, italianë… ose grekë.

2002 e më tej: Zbatuesi global

Komisioni bllokon një bashkim të propozuar mes kompanive amerikane GE dhe Honeyuell dhe vërteton se mund të përcaktojë agjendën globale për politikën e konkurrencës. Kjo gjë zemëron amerikanët, që e shpikën fushën e antitrusteve dhe tani shohin që kompanitë e tyre bëhen shënjestra në Bruksel. 15 vjet më vonë, një seri gjobash miliarda euro, urdhërash për shlyerje, dhe hetimesh disa vjeçare do të lënë të shastisura kompani të mëdha botërore, mes tyre Microsoft, Apple, Google, Gazprom, Heineken dhe Saint-Gobain.

2004: Madhësia ka rëndësi

Ka skena festimesh të ekzaltuara në tetë ish shtete sovjetike, si dhe në Qipro e Maltë, të cilët i bashkohen radhëve të klubit si pjesë e përpjekjes më të madhe zgjeruese të BE. Për herë të parë, më shumë se gjysma e vendeve europiane janë anëtarë të Unionit. Europa e vjetër nis të bëhet nervoze.

2005: “Periudha e refuzimit”

Me shumë bujë, hartohet një kushtetutë e re e Europës. Disa prej autorëve shpresojnë se do të bëhet versioni europian i kushtetutës së SHBA – një model për demokratët në gjithë botën. Por votuesit në Francë dhe Holandë e shkatërrojnë ëndrrën, duke hedhur poshtë kushtetutën dhe futur Unionin në një “periudhë reflektimi”. BE del nga depresioni duke hartuar Traktatin e Lisbonës – sërish i refuzuar, këtë herë nga irlandezët.

2008: Katastrofa financiare

Kriza financiare globale, për të cilën BE fillimisht fajësoi kaubojsat amerikanë, godet fort. Europa mbikëqyr shpëtimin e një banke në ditë, ajo sheh tregun e përbashkët të vihet në rrezik, dhe papunësinë të rritet shumë, ndërkohë që rritja ekonomike pëson një rënia dhe disa shtete kërkojnë paketat poshtëruese të shpëtimit. Shumë qeveri europiane kanë neglizhuar implementimin e reformave strukturore që do të kishin ndihmuar ekonomitë të përballonin valët e tronditjes, por e kanë më të lehtë të fajësojnë Uoll Stritin, Xhorxh Bushin… dhe Brukselin.

BE u godit fort nga kriza financiare e vitit 2008.

2010-2016: Europa e kursimit

Unioni forcon arsenalin duke krijuar një fond shpëtimi dhe union bankar. Eshtë i pamëshirshëm në shuplakat për vendet të cilët kanë shkelur rregullat e buxhetit të BE dhe u nevojitet një shpëtim, sidomos me Greqinë. Por ka suksese në Irlandë, Portugali dhe Spanjë, që marrin pilulat e hidhura dhe rregullojnë buxhetet.

Greqia ka vuajtur shumë për të dalë nga gropa ekonomike.

2015: Shengeni pengohet

BE ka një zonë të lirë pa viza, pa një politikë reale migrimi apo kufi të jashtëm efektiv. Kjo gjë bëhet e dukshme në verën e 2015, teksa refugjatët dhe migrantët ekonomikë vërshojnë në BE, duke shembur gardhet në kufi dhe drejtuar për në Gjermani. Merkeli del si fytyra e re e liberalizmit global duke mirëpritur imigrantët me krahët hapur. Brukseli lihet mënjanë teksa qeveritë e vendeve anëtare arrijnë fillimisht në një marrëveshje për shpërndarjen mes tyre të imigrantëve, por më pas refuzojnë ta zbatojnë.

2016: A ka një magji Brukseli?

Mbretëria e Bashkuar voton për të dalë nga një union që asnjëherë nuk e përqafoi plotësisht, duke shkaktuar një krizë ekzistenciale mes bllokut 27-anëtarësh. Vota e Britanisë vjen e simbolizon një seri populizmash nacionaliste që vënë në rrezik Unionin, përpara një serie zgjedhjesh. Teksa zyrtarët në të dy anët e Kanalit grinden mbi logjistikën dhe pasojat e shkëputjes së Britanisë nga Brukseli, Brexit shndërrohet në fiksimin e BE, me negociatat që rrezikojnë të zvarritet përtej limitit prej dy vitesh që përcakton Neni 50. /Bota.al/

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here