Home Editorial Të ikësh kur do vetë!

Të ikësh kur do vetë!

0

Nga Mero Baze

Fatmir Xhafaj i gjeti të gjithë të papërgatitur. Fillimisht opozitën, e cila u betua se do shtrihej tek pragu i zyrës kur të futej për herë të pare, dhe për herë të dytë dhe nuk e kishte mendjen fare kur doli vetë.

I vendosur nën një sulm të pamëshirshëm dhe të pandershëm, rreth një historie të vjetër të vëllait të tij, ai u ndihmua si nga Zoti, me dorë të opozitës, e cila për ta bërë më shpërthyese situatën, fabrikoi në bashkëpunim me SHISH-in e politizuar dhe disa figurantë që vetëquhen gazetarë, telenovelën “Babalja”.

Pas 7 muajsh hetime dhe zbardhje të së vërtetës, Fatmir Xhafaj arriti të provojë se qënia e tij në pushtet, nuk i ka shërbyer për asgjë historisë së vëllait të tij, i cili ndërkohë u kthye të shlyejë formalitetin e një dënimi nga gjykata italiane në vitin 2002.

Fatmir Xhafaj trazoi plot ujëra dhe brenda pushtetit. Goditja e menjëhershme e grupeve që merreshin me kultivim hashashi dhe superaksioni i fundit, i cili çoi në pranga një grup me lidhje kriminale në Shijak, i afërt me një parti opozitare në koalicion me Bashën, si dhe dy ish- deputetë socialistë, i ktheu policisë autoritetin dhe fuqinë e goditjes ndaj krimit dhe korrupsionit.

Ndërkombëtarët, të cilët pamvarësisht përbaltjes nga opozita, që e kishin Fatmir Xhafajn një nga njerëzit e tyre më të mbështetur në qeveri, u gjendën po ashtu të befasuar nga ikja e tij. Pa asnjë rezervë ndaj tij dhe me mbështeje të deklaruar publikisht, ata ishin të bindur se ajo zyrë kishte njeriun e duhur.

I vetmi shpjegim real për ikjen e Fatmir Xhafajt nga ministër i Brendëshëm, është se ai iku kur deshi vetë.

Edi Rama ka negociuar 48 orët e fundit qëndrimin e tij me çdo kusht në qeveri, duke u përforcuar në këtë mision të pamundur edhe nga kryetari i parlamentit, Gramoz Ruçi, por duket se Xhafaj kishte marrë vendimin e tij.

Zelli i Edi Ramës për ta pasur me çdo kusht në zyrë motivohej dhe nga fushata e re të goditjes së grupeve kriminale dhe betejës ndaj të “fortëve”. Ministria e Xhafajt kishte marrë mbështetjen e kryeministrit për të përgatitur një paketë ligjore për forcën që duhej treguar ndaj këtyre grupeve. Revanshi i shtetit ndaj krimit të rrugës dhe bandave, filloi të ndjehej në superaksionin e fundit dhe Fatmir Xhafaj u largua në kulmin e saj, si për të provuar se i kishte të gjitha mundësitë të ishte një ministër i vërtetë dhe se askush nuk kishte mundur ta gjunjëzonte.

Njeriu që udhëhoqi procesin e vështirë dhe plot humnera të reformës në drejtësi, me një mbështetje konstante të Uashingtonit dhe Brukselit, mund ta mbyllte karrierën e tij i qetë, pas asaj historie, duke lënë pas një histori suksesi profesional në politikën shqiptare. Dhe me aq sa bëri në reformën në drejtësi, urrrejtjen e opozitës e kishte fituar të plotë.

Por emërimi i tij ministër i Brendshëm nga Edi Rama, në kulmin e një krize raportesh me ish- ministrin Saimir Tahiri dhe fillimi i baltosjes nga opozita kundër tij, ishin ato që shtynë Fatmir Xhafajn t’i rezistonte përbaltjes së opozitës dhe të priste momentin e zbardhjes të së vërtetës, për të ikur.

Fatmir Xhafaj iku nga një zyrë në të cilën deshën ta përbaltin për diçka që ai nuk ishte përgjegjës. Muaj më pas, kur e vërteta është në Prokurori, kur ka filluar hetimi penal ndaj atyre që fabrikuan çështjen, dhe kur në vend të tij janë disa opozitarë të marrë të pandehur, kur policisë i është kthyer dinjiteti dhe fuqia ligjzbatuese, ai vendosi t’i lërë të gjithë në hamendjet e veta dhe të iki në shtëpi.

Në historinë politike të tridhjetë viteve, nuk kam parë asnjë ministër ta vuajë kaq shumë emocionalisht atë histori përbaltje si ajo që ju bë atij, dhe dukej sikur rrinte ministër, vetëm duke pritur ditën që të provonte ligjërisht se balta e hedhur mbi të, ishte një krim penal i opozitës.

Sot, në uikendin e parë të lirë si ministër dhe politikan, tërbimi i opozitës për ikjen e tij, lexohet lehtë. Lulzim Basha thotë “fitore” për ikjen e njeriut më të besuar të faktorit ndërkombëtar në Shqipëri, dhe duket sikur inatin nuk e ka me të, por me Brukselin dhe Uashingtonin, që e mbështetën deri në fund.

Sali Berisha, si një kukudh i lig, fillon e lexon filxhanin përse ka ikur, duke lëshuar fantazinë e njeriut të rrjedhur.

Të tjerë bëjnë lidhje pa lidhje, me Saimir Tahirin, një tjetër viktimë e përbaltjes, i cili thjesht kishte njoftuar dhe po ashtu e kishte tërhequr njoftimin një ditë më parë, se do të bëjë publike përfundimit e hetimeve ndaj tij në shtetin fqinj Itali, ku rezulton i pastër dhe ku balta e opozitës është një tjetër krim.

Të tjerë shpikin grupe dhe kulisa brenda PS, duke i ndarë kampet e të hidhëruarve dhe të gëzuarve.

Në fakt, Fatmir Xhafaj iku për llogari të vetat si qytetar, si politikan dhe si një zyrtar që i doli zot detyrës së tij. Iku kur deshi vetë, siç ikin të gjithë ata që e kanë veten në dorë.

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.