Tortura me gaz, kundër së drejtës për të protestuar

0

ARTUR ZHEJI/

Sigurisht që urdhërin për të lëshuar gaz të shumtë, në disa seanca të përsëritura, kundrejt kundrejt protestuesve që po qëndronin paqësisht dhe me flamur kombëtar përpara Kuvendit të Shqipërisë, e keni dhënë ju zoti ministër! Por unë nuk dua ta besoj ose më saktë, nuk do të doja ta besoja. Sepse pikërisht kur gazi u derdh mbi shqiptarët që nuk e mendojnë si ju, por që janë shqiptarë po aq sa ju, ata ishin më paqësorë se asnjë çast tjetër të asaj proteste.

Kjo do të thotë se gazi u përdor si torturë dhe si ndëshkim masiv, thjesht sepse ata po protestonin kundër Kryeministrit tuaj dhe kundër qeverisë ku ju bëni pjesë. Kjo, ndoshta ju që e mendoni ndryshe nga ata, por keni pushtet, policë, pushkë e gaz, mund t’ju ketë lënduar dhe revoltuar në brendësi.

Ndoshta ju si ministër, si ish-anëtar e kryetar bordesh të rëndësishme, ndoshta ju pra, po përjetoni pjesën më të bukur të jetës suaj dhe të karrierës që keni ëndërruar, që kur u veshët me uniformë ushtarake për herë të parë.

Ndoshta ju dëshironi me gjithë shpirt që të qëndroni ministër për një kohë sa më të gjatë, të jepni urdhra dhe të ndiheni i rëndësishëm, kjo është pa dyshim një ndjesi e bukur në jetën tuaj personale, që dukshëm ju ka magjepsur dhe ju bën tashmë të pandjeshëm ndaj njerëzve.

Ndoshta ju, në këtë kohë krize, ndiheni fill pas shefit tuaj që ju besoi kaq shumë, njeriu më i begenisur i kësaj qeverie mjerane dhe kjo ju jep një gjumë plot ëndrra dhe një zgjim mëngjesor nën tingujt e një borie imagjinare triumfuese!

Një ish-rekrut i thjeshtë me plot ëndrra në sirtar bëhet gjeneral dhe më pas, ish-rekruti është sot ministri i rëndësishëm, që komandon mijëra e mijëra vetë, që ndiqet nga kamerat e televizionet si një yll kinemaje e plot gudulisje sedre si këto, në një moshë kur ndoshta e kishit humbur shpresën se mund të vinte një ditë e tillë edhe për ju…

Dhe nuk ju zgjon më në mëngjes prej shumë kohësh boria e ashpër e zgjimit në kapanon, por tringëllima me variacione e celularit, mbushur me sms-ra kryeministrore…

Të gjitha këto, t’i gëzoni zoti gjenaral e ministër Lleshaj, por në emër të këtyre miklimeve, ledhatimeve të sedrës apo të përfitimeve të tjera, nuk keni të drejtën të helmoni mijëra njerëz me gaz të rëndë dhe të merrni në shënjestër të gazit të varfrit e popullit tuaj, deputetët e vendit tuaj, mediat shqiptare në krye të detyrës, fëmijët e shumtë që barisin si pjesëmarrës apo si kureshtarë në radhët e protestuesve. Ajo që ndodhi në datën 13 prill 2019 ishte një goditje ndëshkuese me gaz nga Policia e Shtetit!

Ishte një goditje për të shkaktuar dhimbje dhe vuajtje, pa asnjë shkak dhe detyrim operacional. Perimetri i Kuvendit, ndryshe nga perimetri i Aeroportit të Rinasit, ku u grabitën ditën për diell 10 milionë euro, ishte i sigurt, i paprekur dhe aspak nën sulmin e protestuesve.

Dhatë pra, ju zoti Lleshaj, një urdhër krejt antiligjor, ndëshkues dhe torturues, ndaj mijëra njerëzve të pafajshëm dhe të pambrojtur, madje më pas patët edhe hipokrizinë të akuzonit se shkaku ishin ata dhe maskat e tyre.

Gjithsesi, unë ju falënderoj për këtë veprim që bëtë, sepse ju zoti ministër, me këtë akt themeluat shtetin e ri policor të vitit 2019 dhe bëtë edhe më të dukshme se jeni i gatshëm të urdhëroni ose të jepni edhe vetë urdhra kundra popullit që ju paguan mirë dhe shtrenjtë, që ta mbroni dhe jo ta sulmoni!

Populli nuk është armiku juaj zoti Lleshaj, ndërsa ju kryet një vepër të vullnetshme ndëshkimi të paramenduar ndaj tij.

Mendoj se sot, së paku moralisht, ju zoti Lleshaj i humbët përgjithmonë gradat e djersitura të gjeneralit, që mbani diku në sirtar, qëkurse u veshët me teshat civile të ministrit dhe helmuat me qëllim torturën dhe vuajtjen, popullin tuaj, që ushtronte të drejtën kushtetuese të protestës! /360gradë

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.