Home Kultura Ura Vajgurore, qyteti “muze” në qiell të hapur

Ura Vajgurore, qyteti “muze” në qiell të hapur

0

BORA XHANIJA/ “Një pikturë që vjen si shembull i përkryer i përdorimit të hapësirës. Vepra ‘Flirtimi’ është muralja e tretë e realizuar në qytetin e Urës Vajgurore në Shqipëri. Bashkë me ‘Kampioni’ dhe ‘Ura e Mendjes’, ajo është pjesë e trinitrisë së muraleve të pikturuara në këtë qytet”. Ky lajm i revistës prestigjioze zvicerane “Wild Walls”, që e rendiste muralen shqiptare mes 10 më të mirave të botës, bëri xhiron e rrjetit dhe të mediave kryesore shqiptare në Ballkan, duke i shtuar thirrjet drejt celularit të kryebashkiakes së Urës Vajgurore, Juliana Mema. Mes urimeve të shumta, ajo nisi të pranonte edhe kërkesat e homologëve të saj, kryetarë të bashkive të tjera në Shqipëri dhe komunave të Kosovës, që kërkonin të “kopjonin” modelin e saj në Urën Vajgurore.

Veçohet ky moment, pasi padyshim ishte një nga pikat kulmore të karrierës së saj politike. Nuk ndodh në Shqipëri që një femër të fusë risi të tilla urbane, kaq të guximshme, aq më tepër kur bëhet fjalë për një qytet të vogël si Ura Vajgurore. Për ta kuptuar këtë, duhet kuptuar më parë Juliana vetë, e cila hyri në skenën politike lokale, nëpërmjet thyerjes së një miti. “Theva një mit, pasi nuk kishte ndodhur që në të gjitha bashkitë e qarkut të Beratit të zgjidhej një femër për postin drejtues të bashkisë, duke lënë pas një traditë të krijuar ndër vite”, shprehet ajo.

ART NE QYTET

Për Julianën, momente të tilla janë ato që ndryshojnë gjithçka, sado të vogla mund të duken. Teksa risjell në vëmendje të gjitha çastet e fitores së saj në zgjedhjet e 2015-s, ajo rrëfen se si vendin e entuziazmit ia zunë lotët e gëzimit. Më në fund, ia kishte dalë që të triumfonte mbi skepticizmin e përgjithshëm, të shoqëruar si gjithnjë në të tilla raste, me mosbesim, përqeshje dhe pikat e helmit që nuk mungojnë kurrë ndaj kujtdo që përpiqet që të sjellë diçka të re dhe ndryshe. Në tre vitet e mandatit të saj të parë si kryetare bashkie, ajo kishte realizuar shumë projekte; kishte ndjekur nga afër ndërtimin e disa veprave të rëndësishme publike; kishte kaluar ditë të vështira, të gëzuara apo të trazuara; ia kishte dalë që të merrte edhe kritikat, por edhe përgëzimet e zgjedhësve të saj. Por ishte hera e parë ndoshta, që emri i Urës Vajgurore i kalonte kufijtë e Shqipërisë. Duke u përfshirë në njërën prej top listave botërore, për një vepër të veçantë të njërës prej rrymave më popullore të artit të sotëm modern. Juliana Memaj i përket atij brezi të ri të menaxherëve të punëve publike, që e kuptoi shpejt se ekzistonte një rrugë për të tejkaluar pengesat: Duke i ofruar banorëve të bashkisë së vet shpresën dhe të huajve ndërthurjen e traditës me modernen. Juliana Memaj është sot 40 vjeçe dhe nëna e tri fëmijëve. Kjo me sa duket ka ndikuar që ta shohë drejtimin e bashkisë, si atë të një familjeje të madhe. E cila kërkon energjitë e një gruaje të re, dashurinë e një nëne të përkushtuar dhe vizionin e një brezi që do të bëjë ndryshimin. “Të qenit nënë, të bën më të ndjeshme përsa i përket plotësimit të nevojave që fëmijët kanë. Jo pa qëllim, ndër projektet e para që kam realizuar në Bashkinë e Urës Vajgurore lidheshin pikërisht me fëmijët”, thekson kryebashkiakja.

KRYEBASHKIAKJA

Kryetarja e Urës Vajgurore duket se është koshiente për barrën që i kanë ngarkuar bashkëqytetarët për ta mbajtur atë mbi supe e për ta çuar bashkë me ta drejt destinacionit të shpresës. Me çiltërsinë e një politikaneje që po “konsumon” më shpejt nga sa e ka menduar mandatin e saj të parë të qeverisjes lokale, me buzëqeshjen e një njeriu që kërkon t’i shohë ata, që e votuan, por edhe ata që nuk e kanë votuar, në sy, ajo shpesh risjell në mendje fushatën elektorale. Atëherë kur tre vjet më parë, bashkë me ëndrrën për të qeverisur Urën Vajgurore, në shtatin e saj ishte ngjizur dhe kishte nisur që të rritej një tjetër jetë. Kishte qenë ky momenti, kur ajo e kishte parë këtë si një shenjë fati. Ndaj, ishte betuar ashtu në heshtje, se nuk do t’ia linte rastësisë besimin që sapo i kishin ngarkuar bashkëqytetarët e vet. “Në fushatë ndodhesha me një status tjetër, si mama për herë të tretë. Kjo më bëri që ta shikoj zhvillimin e qytetit nga ana sociale dhe që t’i shërbente familjes, pasi Ura Vajgurore duhet të jetë vendi ku ashtu si familja ime, edhe çdo familje tjetër, të krijojë të ardhmen”, shprehet kryebashkiakja Memaj.

“DJALOSHI I DIMALIT”

Legjenda e lashtë e qytetit të vjetër, rrënojat e të cilit ndodhen jo larg Urës Vajgurore, thotë se “Djaloshi i Dimalit”,- statuja e të cilit sot zbukuron qytetin,- ishte një atlet fitues i lojërave të kohëve antike. Ndaj Juliana Memaj duket se ka kuptuar, që për ta merituar plotësisht qenien kryetarja e bashkisë së re, edhe ajo duhet të vrapojë. Duhet të eci aq shpejt sa edhe vajza e dikurshme e Dimalit të vjetër, krahas atletit të famshëm të qytetit më të fortifikuar të Ilirisë. Suksesi ka filluar të japë shenjat e para. Më shumë se sa vetë Juliana, këtë e tregojnë shifrat e vizitorëve të huaj që kanë nisur të ndalojnë gjithnjë e më shumë në qytet. Ura Vajgurore nuk është më thjesht një shprehje gjeografike në një tabelë, ndanë ca godinave të vjetra, ndanë rrugës drejt Beratit. Por një vend ku mund të takosh jo vetëm “Djaloshin…”, por edhe “Kampioni”-n. E pasi të kesh kaluar mespërmes “Urës së Mendjes”, mund të të qëllojë në fund, që të kesh një “Flirt” me qytetin e çuditshëm që endet mes së shkuarës dhe të ardhmes. E gjitha çfarë po i ndodh sot Urës…, nisi ndoshta si një dëshirë më shumë se e guximshme e kryetares së bashkisë për të sjellë diçka ndryshe. Vitin tjetër, mbi tavolinën e saj ajo na tregon se është projektuar që të nisë udhën një traditë e re dhe e panjohur më parë në Shqipëri, “Street Art Festival”. “Duke pasur parasysh suksesin e arritur pas krijimit të 3 muraleve të para në qytetin tonë, do të vijojmë atë që kemi nisur. Duke e shndërruar të gjithë qytetin, në një ‘muze’ në qiell të hapur, ku vizitorë të shumtë mund të parakalojnë dhe shijojnë ndryshimin e godinave të saj, përmes ngjyrave”. Qershorin e ardhshëm, pritet të zhvillohen zgjedhjet e reja lokale në Shqipëri. Lidhur më kandidimin e mundshëm, Juliana shprehet optimiste për rikandidimin. E në fakt, nuk ka arsye përse mos ta bëjë. Falë saj, edhe bashkia e vogël, deri dje e panjohur pranë Beratit magjiplotë të trashëgimisë botërore të UNESCO, ka nisur që t’i kapërcejë kufijtë e Shqipërisë. Nëpërmjet artit…

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.