Home Kultura Violinisti i njohur shqiptar, koncert sot në Tiranë

Violinisti i njohur shqiptar, koncert sot në Tiranë

0

Violinisti i njohur shqiptar, Jonian Ilias Kadesha, do të performojë sot në mbrëmje në Tiranë, për publikun kryeqytetas.

Në sallën koncertale të Katedrales Orthodokse, Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar do të hapë sezonin e ri artistik, me pjesëmarrjes speciale të violinisti me origjinë shqiptare, i cili shoqërohet edhe nga dy miqtë e tij artistë, dirigjentin Jonathan Bloxham dhe violinçelisten Vashti Hunter.

Para koncertit, violinisti Kadesha u prit në takim nga kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. “Dua të të jap një dhuratë të vogël si çun Tirone që je, edhe pse ke lindur jashtë, po genin dhe gjakun e ke tirons: Kjo është Kulla e Sahatit të Tiranës. Pavarësisht vendit ku do të jesh duke performuar, ky sahati ynë i vogël tregon gjithmonë orën e Tiranës. Prandaj, sa herë që të kthehesh te tavolina ose bufeja ku do e vendosësh, do kujtohesh sa është ora në Tiranë dhe se sa i mirëpritur je këtu. E jap këtë Kullë në emër të qytetit, si shenjë mirënjohje, admirimi e respekti për ty”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku vlerësoi se Jonian Kadesha përfaqëson ata djem dhe vajza që ia kanë dalë mbanë falë talentit dhe punës së tyre, ndërsa i ftoi të gjithë qytetarët që t’i bashkohen koncertit sot në orën 19.00. “Mezi presim kur dëgjojmë se çuna e goca të reja nga Shqipëria kanë ecur përpara, na bëjnë krenarë, janë të suksesshëm, jo vetëm për krenarinë që na jep ne, por edhe për faktin që u tregon djemve dhe vajzave këtu, se çdo gjë është e mundur. Kur arrin të bëhesh yll i botës së muzikës në moshën 20 e ca vjeçare vetëm falë punës, inkurajon çuna dhe goca të tjerë në të gjithë Shqipërinë. Presim që të gjithë të jeni te Katedralja Orthodokse, te Qendra e Kulturës, ku Joni dhe dy kolegët e tij kanë një koncert të shkëlqyer, unik në Shqipëri”, deklaroi Veliaj.

Violinisti Jonian Ilias Kadeshi i shprehu mirënjohjen kryebashkiakut Veliaj për këtë vlerësim dhe u shpreh i entuziazmuar që do të ketë mundësi të luajë në hapjen e sezonit të Orkestrës Simfonike të Radio Televizionit Shqiptar, ku për shumë vite ka luajtur edhe babai i tij.

“Jam shumë mirënjohës për këtë dhuratë simbolike, me shumë domethënie. Do ta vendos në vendin më të çmuar që kam në shtëpi, aty ku mbaj violinën. Faleminderit shumë për të gjithë mbështetjen dhe do gëzohesha edhe unë shumë, të shoh sa më shumë njerëz nga Tirana për të na mbështetur në një koncert shumë special, hapjen e sezonit të Orkestrës Simfonike të Radio Televizionit Shqiptar. Një orkestër me të cilën jam shumë i lidhur që në moshë të vogël. Babai im ka luajtur në orkestër dhe shumë kolegë të tij, miq të tij të ngushtë, janë bërë edhe miqtë e mi”, theksoi ai.

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.