Home Opinion Vrasjet pa emër në Tropojë dhe nevoja për një rigjykim special të...

Vrasjet pa emër në Tropojë dhe nevoja për një rigjykim special të tyre

0

Nga Mero Baze

Zylfije Haklaj, motra e vëllezërve Haklaj, të vrarë në spiralen e dhunës që shpërtheu për arsye politike në Tropojë, jep një detaj të ri në intervistën e saj për “Shqiptarja.com”, detaj i cili nuk është thënë kurrë më parë në çdo përshkrim të nisjes së konfliktit mes Sali Berishës dhe tyre. Bëhet fjala për skenën e 23 qershorit 1997, kur në udhëtimin e tij për në Tropojë, Berisha, por dhe njerëzit afër tij, e kanë paraqitur si një pritë të bërë nga Haklajt, ndërsa ai zbriti nga trageti, dhe më pas, si antimiting kundër tij, që prodhoi kasetën e famshme që u bë strumbullari i vrasjeve pa fund.

Kaseta e cila është lakuar aq shumë, tregon se si Sali Berisha u kërkon rojeve të tij ta rrëmbenin një prej vëllezërve Haklaj që po protestonte kundër tij, dhe t’ia çonin Berishës në Tiranë. Mbi këtë kasetë pastaj u thurrën shumë legjenda dhe u përdor deri në fund si mekanizëm alibie dhe pabesie, që nga vrasja e Azemit, e deri tek vrasjet e fundit në Tropojë.

Por të gjithë që kanë folur rreth pikënisjes së konfliktit, kanë folur vetëm për vrasjen enigmatike në Milot më 22 qershor, dhe që Haklajt fajësuan Berishën për to, por jo për faktin që Berisha nuk ka lejuar arkivolët e dy të vrarëve të udhëtojnë në një traget me të, duke shkaktuar zemërim dhe duke shpjeguar arsyen, përse njerëzit prisnin përtej tragetit. Pritjen përtej tragetit të kundërshtarëve të tij, Sali Berisha e ka shpjeguar gjithnjë si pritë për atë, duke justifikuar kështu faktin pse shpërtheu ndaj tyre.

Për herë të parë një pjesëtare e familjes zbulon një detaj i cili ndryshon shumë arsyet përse nisi konflikti dhe kalon tërësisht peshën e fajit nga Sali Berisha, jo vetëm si mbështetës i vrasjeve, por dhe si inicues i një konflikti makabër, i cili mes të tjerash i mori jetën dhe një prej politikanëve kryesorë të pluralizmit në Shqipëri, Azem Hajdarit.

Por më tej, në rrëfimin e saj shikon se ka një motiv të madh, që reforma në drejtësi, por sidomos Vettingu, duhet të shkojë në sitë çdo prokuror dhe gjyqtar që ka vepruar në Tropojë nga viti 1997, dhe që ka mbyllur pa autorë shumicën e këtyre vrasjeve.

Sa herë që është shkruar e rishkruar historia e këtyre vrasjeve, gjithmonë është shmangur ky detaj, që ka të bëjë me nisjen e konfliktit të udhëtimit të Berishës drejt Tropojës.

Historia është paraqitur si një kundërvënie politike. Në fakt, ky detaj tregon se kundërvënia ka qenë njerëzore dhe shkak i nxitjes së saj, ka qenë vetë Sali Berisha.

Vendimi i tij për të mos lejuar të transportohen dy viktimat e një vrasjeje, duket se ka brenda jo vetëm kompleksin për autorët e vrasjeve, por dhe përpjekjen për t’iu imponuar atyre në një ditë tragjike për ta.

Kjo do të mjaftonte që dosjet e vrasjeve pa emër në Tropojë të rihapoen nga një gjykatë speciale, dhe të analizohet çdo detaj, larg emocioneve politike të kohës kur kanë ndodhur, dhe të vihet në vend drejtësia.

Shumë prej gjyqtarëve dhe prokurorëve të sotëm kanë bërë karrierë nën pushtetin e Berishës, falë përdorimit në këto histori të pista, dhe vetë Berisha është përpjekur të viktimizohet duke e mbajtur të vërtetën larg syve të publikut.

Nëse dosjet e korrupsionit shumica janë parashkruar dhe kanë kaluar afatet, nëse historia e “Rrugës së Kombit” është shamngur nga rigjykimi për shkak të “detyrës” së re të Bashës, nëse historia e Gërdecit po përpiqet të kthehet nga djali i Berishës, në histori pazari për të fituar gjyqin ndaj atyre që e kanë bërë personazh filmi në Hollivud, historia e vrasjeve të Tropojës duhet të bëhet shembull se si drejtësia vonon, por nuk harron.

Vrasjet nuk parashkruhen dhe hapja e tyre një për një, nga një gjykatë speciale, do të ishte ndoshta produkti kryesor i vendosjes së drejtësisë pas reformës.

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here