25 prilli, Mediu: Rama po tremb shqiptarët, opozita të mos përçahet. 6 arsyet pse sulmon Vjosa Osmanin

0 371

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu: Duhet të kemi një qëllim, votat e opozitës të kthehen në mandate sepse çdo votë që nuk kthehet me mandat, shkon në favor të Ramës

 Intervistoi: Redjon Shtylla

Pandemia e Covid-19 mbërtheu jetën e çdo shqiptar për 12 muaj, kurse arena politike në këtë vit pandemik ka pasur shumë ngjarje, ku kulmorja pritet që të jetë 25 prilli, zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Si do të jetë opozita në këtë sfidë, po Partia Republikane çfarë kërkon nga PD-ja dhe së fundmi, pse u sulmua vizita e Presidentes në detyrë Vjosa Osmani në Tiranë? Përgjigjet e këtyre i jep një intervistë për “Koha Jonë”, kreu i PR-së, Fatmir Mediu, ku fillimisht thotë se opozita duhet të ndërtojë qëndresën qytetarë për të grantuar zgjedhje të lira dhe të zhvishet nga kompleksi për të qenë në krah të protestës së qytetarëve në përballjen me Rilindjen. Ende nuk ka një logjikë fikse, sesi do të funksionojë dhe do të dalë opozita në zgjedhjet e reja. Për Mediun, duhet aplikuar ai koalicion elektoral i cili optimizon votat të cilat shëndrohen në mandate për opozitën, por pa paragjykuar asnjë forcë politike apo individ. Sjellja kundër Presidentes në detyrë, Vjosa Osmanit për kreun e PR-së erdhi për gjashtë arsye. “Ka një merak të dukshëm se mos prishet dashuria dhe vllazëria e ndërtuar me Beogradin dhe Vuçiçin”.

 2020 është viti që revista “Time” e fshiu, por në politikën e vendit, ishte një vit me protesta nën pandeminë e Covid-19. Politikisht, PR-ja dhe e gjithë opozita ka përgjegjësinë që të rrëzojë Edi Ramën në zgjedhjet e 25 prillit. Rrezikojmë të humbasim orientimin tonë, drejtpeshimin dhe të ardhmen? Si do të veprojë opozita në këto muaj të parë të vitit dhe çfarë duhet bërë sipas jush?

Ky vit ka qenë një vit i vështirë për mbarë globin. Miliona jetë njerëzish të humbura dhe akoma në gjendje të rëndë shëndetësore. Shumë viktima në Shqipëri dhe ndërmjet tyre mjek, dhe punonjës të sistemit shëndetësor, të cilët kanë qenë heronj të vërtetë, dhe të gjithë duhet ti jemi mirënjohës. Shqipëria përveç kësaj pamdemie ka probleme shumë të mëdha të një regjimi të korruptuar të Edi Ramës, i cili ka shkatërruar çdo element kushtetues, ligjor dhe institucional që garanton demokracinë, liritë, dhe të drejtat e qytetarëve. Ky regjim ka krijuar një pandemi të rëndë ekonomike që po shndërrohet me pandemi sociale të zhvlerësimit të politikës, humbjes së shpresës dhe besimit. Mijëra të rinj e të reja janë larguar nga Shqipëria dhe të tjerë duan të largohen, papunësia dhe pasiguria shfaqen qartë me çdo skaj të Shqipërisë. Regjimi i korruptuar i Edi Ramës është vendosur kundër shqiptarëve dhe Europës. Qeveria ka humbur orientimin, por duhet që shqiptarët ti rikthehen qëllimit të tyre Europian dhe kjo kërkon që opozita të marrë përsipër përgjegjësinë për të ndërtuar shtetin që i takon, edhe i përgjigjet nevojave të Shqipërisë dhe interesit kombëtar.

Vrasja e të riut Klodian Rasha nxiti një valë protestash dhe një revoltë që nuk është shuar. Çfarë konkluzioni kanë ato protesta, sepse janë përfolur shumë përsa i takon dhunës, dhe jo vetëm nga ana e policisë siç është parë, por edhe nga ana e vetë protestuesve. Si e keni parë këtë raport, policia dhe protestuesit nga të dyja krahët? Kjo revoltë që është ndezur, për ju si duhet që të vijojë?

Pushteti që vjen nga marrëdhëniet me krimin, manipulimin e votave dhe synon vetëm interesa ekonomike, dhe politike të një klani të caktuar nuk ka rrugë tjetër veçse të qëndrojë nëpërmjet dhunës. Dhunë nuk është vetëm ajo çfarë policia dhe qeveria ka ushtruar në mënyrë brutale me gaz lotsjelës, dhunë fizike dhe arrestime, deri me vrasjen e Klodian Rashës, por që në ditët e para në cënimit të dhunshëm antikushtetues, ligjor kundër pronës private dhe publike, zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, dhunës parlamentare. Burgosjes dhe përbuzjes ndaj familjeve që nuk kishin mundësi për të përballuar pagesat e dritave dhe ujit për shkak të varfërisë. Shkatërrimi i Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, ishte legjitimim i dhunës antikushtetuese dhe antiligjore mbi çdo gjë, dhe mbi interesat e Shqipërisë. Qeveria nuk do heq dorë nga dhuna, grabitja dhe manipulimi për të shqiptarët janë veç numra elektorale. Opozita duhet të ndërtojë qëndresën qytetarë për të grantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe të zhvishet nga kompleksi, por edhe nga paragjykimi për të qenë në krah të protestës së qytetarëve në përballjen me regjimin e korruptuar të Rilindjes. Kemi qartësisht një qeveri të dhunshme kundër qytetarëve.

Ende nuk ka një logjikë fikse, sesi do të funksionojë dhe do të dalë opozita në zgjedhjet e reja. Ju keni propozuar daljen me dy lista. Ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim kërkon kandiatë të pastër. A duhet që të gjitha partitë, edhe ato që po krijohen për 25 prillit të bëhen bashkë nën siglën e PD-së? Në këtë kohë që të gjithë (partitë) kërkojnë largimin e kësaj qeverie, duhet që viti i ri të jetë një ogur për bashkim?

Së pari ti paraqesim shqiptarëve një kontratë qeverisje për ta kthyer Shqipërinë në rrugën Europiane. Së dyti një qeveri që tejkalon interesat e pushtetit të lidershpit opozitar, por që ndërton shtetin që qeveriset nga profesionistë të zotë që jetojnë brenda dhe jashtë Shqipërisë që bashkon shqiptarët. Së treti duhet aplikuar ai koalicion elektoral i cili optimizon votat të cilat shndërrohen në mandate për opozitën, pa paragjykuar asnjë forcë politike apo individ. Duhet të kuptojmë rëndësinë e largimit të këtij regjimi të korruptuar dhe që mundëson që votat opozitare kthehen në mandate, dhe nuk shkojnë në favor të Ramës. Janë mundësitë që opozita të jetë e bashkuar si në qëllime politike dhe në koalicione elektorale.

A përbëjnë shqetësim për PR-në partitë e reja që janë regjistruar në Gjykatë pak muaj para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit? A besoni se ato do të rreshtohen përkrah opozitës para dhe pas zgjedhjeve?

Nëse jetojmë në demokraci duhet të kuptojmë lirinë personale, kjo për të zgjedhur qëndrimin politik apo organizimin në parti politike. Me rëndësi është përputhja e interesit apo qëndrimit individual dhe partisë me interesin e shoqërisë, dhe interesin. Prandaj mendoj se sot duhet të jemi të gjithë të bashkuar për të larguar regjimin e korruptuar, gjë e cila është shumë më e rëndësishme se ndjesitë apo diferencat tona. Ja kemi detyrim demokratëve, republikanëve, shqiptarëve që na kanë mbështet ndër vite dhe na kanë dhënë një status më të previlegjuar social dhe politik, por padyshim dhe përgjegjësi më të madhe përballë tyre, dhe vendit tonë. Duhet të kemi një qëllim elektoral, votat e opozitës të kthehen në mandate sepse çdo votë që nuk kthehet me mandat, shkon dyfish në favor të Ramës. Kryeministri ka një interes dhe do bëjë çdo gjë që është e mundur që opozita të jetë e përçarë me shumë parti, që të dalë e vetme në zgjedhje dhe jo me koalicion.

Faktet tregojnë se bandat kriminale të drogës janë lidhur me pushtetin dhe politikën, nga ku po investojnë dhe pastrojnë paratë në fushën e ndërtimit, por edhe në zona turistike. A është një këmbanë raporti nga OKB-ja, që për demokracinë në vend do të thotë që zgjedhjet e 25 prillit janë të rrezikuara?

Nëse besojmë se Rama do të lejojë të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme, jemi më shume se naiv, jemi “cretin” politik dhe turp të mendojmë se drejtojmë opozitën. Në asnjë moment Rama që nga koha që ka qenë në bashki apo ka ardhur në pushtet nuk është ndal në manipulimin e zgjedhjeve, përdorimin e pushtetit, korrupsionit dhe grupeve kriminale. Kanabizmi ka qenë dhe ngelet politikë e organizuar qëllimisht nga Rilindja. Ndryshimet e Kushtetutes dhe Kodit, janë manipulim i hapur i zgjedhjeve të 25 prillit. Ka vetëm një rrugë për t’u përballur, opozitë dhe qytetarë të bashkuar në çdo gjë qendër votimi në përballje me këdo që kërkon të manipulojë. Kjo duhet të fillojë urgjentisht dhe çdo vonesë është në dëm të zgjedhjeve të lira, në dëm të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Edhe pse takimet elektorale janë të ndaluara, Partia Republikane vijon punën në terren. Në bisedat me qytetarët, cilat janë disa nga ankesat kryesore? Pse duhet që shqiptarët të bashkohen siç opozita kërkon dhe të votojnë kundër Edi Ramës? Ku do të kandidoni si deputet?

Kërkojmë respektimin e Kushtetutes dhe prandaj i jemi adresuar Gjykatës Kushtetuese. Kushtetuta përcakton se qytetarët janë të barabartë përballë ligjit, ndërsa vendimi i qeverisë krijon dy lloj shtresash, pushtetarë për të cilët vendimi nuk vlen dhe qytetarë që duhet të ulin kokën nën urdhërat antikushtetuese të pushtetit. Kushtetuta ka përcaktur liritë politike dhe partite politike si institucione kushtetuese. Vendimi i qeverisë lejon pushtetin qëndror dhe lokal të takojë ku dhe sa të dojë për qëllime politike qytetarët, dhe për ta nuk ka problem zbatimi i rregullave të Covid-19, ndërsa opozita duhet të mbyllet në shtëpi dhe të vëzhgojë Shqipërinë nën pandeminë e krimit, korrupsionit dhe varfërisë. Rama kërkon të trembë shqiptarët që të mos dalin në votime, apo dhe të pengojë me platformat e kontrolluara dhe të manipulueshme prej tij. Qytetarët duhet të luftojnë për liritë dhe mundësitë e tyre të mohuara dhe rrëmbyera nga regjimi i Ramës. Shqiptarët duhet të bashkohen me një kontratë qeverisje të opozitës që garanton ekonomi, punësim, luftë kundër krimit dhe korrupsionit. Shqiptarët duhet të bashkohen duke i kërkuar opozitës ndërtimin e shtetit që i takon shqiptarëve dhe jo pushtetin e radhës të politikës. Nuk kam akoma një vendim se ku do të kandidoj.

Vizita e Presidentes në Detyrë të Kosovës, Vjosa Osmani ka zgjuar debate. Çfarë tha dhe çfarë veprimesh bëri Osmani që në Tiranën zyrtare, mbështetësit e qeverisë Rama e cilësojnë agjendën përçarëse?

Sjellja e organizuar e njerëzve të Edi Ramës kundër Presidentes në detyrë, Vjosa Osmanit erdhi për disa arsye. Së pari ajo në mënyrë të thjeshtë, denoncoi me gjuhë të thjeshtë dhe të qartë politikën anti-kosovare, dhe antikombëtare të Ramës. Së dyti demaskoi hipokrizinë e marrëdhënieve ndërmjet dy anëve të kufirit të dominuara nga interesa personale dhe korruptive. Së treti ka një grup të ndërtuar nga Rama në Kosovë, dhe Shqipëri që mendojnë se kanë monopolin e diskutimit apo marrëdhënieve ndërmejt Kosovës, dhe Shqipërisë apo pazareve në dëm të Kosovës, dhe interesave shqiptare. Kushdo që i del kundër këtyre qëndrimeve është i paaftë, i paditur, injorant paçka se këta mendje ndritur e kanë çuar Kosovën në momentin e zhvlerësimit të historisë më të lavdishme të luftës së Kosovës dhe pavaresisë së saj. Së katërti këta mendojnë që konspiracionet apo pazaret e korridoreve dhe kulisave janë më të vlefshëm se të jesh i ndershëm me historinë, dhe të ardhmen e vendit tënd. Së pesti ka një merak të dukshëm se mos prishet dashuria dhe vllazëria e ndërtuar me Beogradin dhe Vuçiçin. Së gjashti po të shkoni mbas në kohë, do të shihni që me të njëjtën gjuhë që sot flasin kundër Osmanit, kanë folur kundër njëri-tjetrit kur kanë qenë në interesa apo pozicione të tjera.

Leave A Reply

Your email address will not be published.