26-vjeçarja rrëfen kronologjinë e njohjes: Mali më rrëfeu se ai ishte hasmi, Billën e doja

0 60

“Arrest me burg” dha Gjykata e Tiranës për 26-vjeçaren Adjola Lakra, e arrestuar disa ditë më parë nën dyshimin si bashkëpunëtore në vrasjen e Hekuran Billës. Para Gjykatës, 26-vjeçarja ka mohuar akuzat, duke mos pranuar se ka qenë bashkëpunëtore në ekzekutimin mafioz që ndodhi në zonën e Komunës së Parisit. Avokati mbrojtës, Andi Duro mohoi akuzat ndaj klientes së saj, ndërsa tha se e vetmja arsye pse ajo u la në burg është për shkak të helmimit që i është bërë opinionit publik.

Në dëshminë e publikuar nga gazetarja Anila Hoxha, mësohet se Adjola ka treguar se gjatë kohës që ka qenë në lidhje me Sebastian Malin (i cili ndodhet në burg si bashkëpunëtor në vrasje), ka njohur Hekuran Billën. Ajo shton se ka qenë vetë Mali, ai që i ka marrë telefonin dhe i ka bërë ftesë në Instagram Billës, përmes adresës së saj, duke i thënë: Ky është hasmi im! Më pas, Lakra tregon se pas ftesës në Instagram, ka filluar të flasë me Billën, e ka pëlqyer dhe më pas i ka thënë Malit se do ndaheshin sepse ajo ndihej mirë me 40-vjeçarin.

Ditën e vrasjes, Lakra rrëfen se krimin e ka marrë vesh pasi ka mbërritur në vendin ku takonte Billën, tek Komuna e Parisit. Adjola tregon se përmes telefonit ka kuptuar se kishin vrarë të dashurin e saj, Hekuran Billën. Më pas është kthyer në parking, ka qarë, i ka rënë timonit me grushte dhe e ka parë mamaja e Sebastianit. Ndërsa telefonin, tregon se e ka thyer nga dëshpërimi.

Dëshmia

U lidha me Sebastian Malin para dy viteve, sapo kishim ardhur në Tiranë, ku jetoj me familjen. Në një parukeri u njoha me Lule Malin, e ëma e Sebastian Malit. E më pas u lidha me Sebastian Malin. Një ditë ai  më mori telefonin, më tha dua të shoh diçka dhe klikoi një llogari me emrin Lani Billa në Instagram, e më pas i bëri ftesë. E pyes se kush është dhe më tha “hasmi im”!

Më tha mos ki merak se nuk jam budalla të të fus ty dhe familjen tënde në siklet. Personi me emrin Lani Billa më pranoi ftesën, ne filluam të flasim dhe unë fillova ta pëlqej. Ai më tha se jetonte në Anvers, Belgjikë. U lidhëm në nëntor të 2019, takoheshim përherë pranë qendrës tregtare, pasi Lani jetonte me qira aty afër. Unë ndërkohë u ndava nga Sebastiani, i thashë që më pëlqen Lani dhe ai më tha të vazhdoj jetën time.

Ditën e ngjarjes e lamë se do të takoheshim në darkë. Në orën 20:00 e lamë që do të takoheshim për një orë. U nisa me makinën time, por rrugës kishte shumë trafik. Hapa telefonin dhe pashë çfarë kishte ndodhur, aty pashë që kishte ndodhur një vrasje. U ktheva dhe parkova makinën në garazh, aty pashë Sebastianin. Isha duke qarë dhe duke i rënë timonit me grushta. Kur unë po qaja më pa Lulja, mamaja e Sebastianit dhe më pyeti se “çfarë ke?”, i thashë: Kanë vrarë Lanin!”. Telefonin e theva nga dëshpërimi.

Leave A Reply

Your email address will not be published.